“PSE RAMA ISHTE VESHUR SPORTIV ME MOGHERININ DHE SERIOZ ME NATO-N… E TRUMP-IN”

0
Mga Mentor Nazarko
Në kërkim të mesazheve të veshjes së Ramës në  takimet me Mogherinin, mediat e Ballkanit ende po merren me të. Dhe ky kësisoj është arritur qëllimi i parë i Ramës: të flitet për të veçmas homologëve të tjerë. Por do ishte gabim ta nënvleftësojë këtë shfaqje vetëm e vetëm si ekzibicionizëm i shfrenuar i një lideri të Ballkanit në garën për dukshmëri në sallonet e BE-së.

Kush ka lexuar me vëmendje njoftimet zyrtare për darkën, a takimin e liderëve të Ballkanit me Komisioneren, e ka shquar fjalën «informale». Nuk ishte një samit i planifikuar, periodik liderësh të Ballkanit, ku ishte dhe Komisionerja, dhe mbi të gjitha nuk ekziston një format i tillë takimi i BE-së me këto vende. Pra, takimi në fjalë ka qenë informal dhe supozohet se dhe veshja do duhet të ishte e tillë. Nëse vetëm Rama mezi ka pritur të shkojë ashtu sportiv, mbase nuk është faji i tij, por i të tjerëve që ishin veshur me kostum serioz. Dhe vetë nikoqirja apo mikpritësja ishte informale në veshje, diçka që dukej te këpucët e saj të hapura përpara ku shquheshin gishtat.

A ka pasur mesazhe të tjera veshja e Ramës? Sigurisht që po, sepse Rama ka dashur të ketë. Një njeri i përkushtuar fuqishëm tek imazhi nuk mund të bëjë diçka krejt rastësisht. Këtu jemi në fushën e supozimeve, pandehmave, interpretimeve dhe kultura e interpretimit lejon hapësira të gjera. Sigurisht veshja nuk është vepër arti e mirëfilltë, që interpretimet të bëhen pjesë e vetë veprës. Por nëse do sforcoheshim vetëm me imagjinatë dhe me stil, mund të gjenim mesazhet e dashura prej tij.

Kjo veshje mund të ishte një lloj nënvlerësimi për vetë BE-në, në momentin kur ajo nuk është në kulmin e fuqisë dhe ndikimit të saj. Për fat të mirë, vendet e tjera nëse do ta konsideronim veshjen e liderëve të tyre në takim si marrje seriozisht të BE-së, e respektojnë ende atë. Në fakt, takimi në fjalë megjithëse i planifikuar më herët, kishte një lloj domethënieje: BE-ja, me ndihmën e SHBAve ia arriti të zgjidhë krizat e vendeve të Ballkanit dhe të rikonfirmonte kësisoj ankorimin e tyre në anijen e BE-së.

Mesazhi tjetër i gjasisshëm i Ramës lidhej me situatën e brendshme. Rama synon të japë idenë e forcës, e sfidës ndaj rendit tradicional të gjërave brenda dhe jashtë vendit, dhe kësaj here e bëri me veshjen. E bëri dhe në parlament me veshjen e tij para pak ditësh e vijoi ta bëjë në mes të Europës së bashkuar, domethënë BE-së. Me siguri do vazhdojë ta bëjë dhe herë të tjera brenda dhe jashtë, duke u përpjekur të mbahet mend si dikush që jep mesazhe dhe nëpërmjet veshjeve si dikur Madame Ollbrajt jepte mesazhe nëpërmjet karficave në xhaketat e saj diplomatike.

Sigurisht Rama ka dashur të duket ndryshe nga të tjerët, në një formë që e sheh publiku i Ballkanit, jo thjesht liderët e tij. Dhe mediat sipërfaqësore ushqyen facebookun, facebooku ushqeu imagjinatën popullore të ballkanasve që vërshoi në mediat sociale.

Dhe më në fund, veshja informale në përgjithësi është një mënyrë për të nxitur intimitet. Jo thjesht midis Shqipërisë dhe BE-së, që si e tha Rama, priten të takohen në një version të përbashkët me opozitën për çeljen e negociatave pas qershorit. Me siguri BE-ja ka dashur të krijojë një valë të re intimiteti mes liderëve të Ballkanit, pas klimës së ashpër të debateve ndëretnike në Maqedoni, midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë etj. Por megjithatë në pritje të fushatës elektorale lokale, i mandatuari si kryeministër në Maqedoni, Zaev edhe për shkak të alfabetit i ndejti Ramës shumë larg. Të dy në skaje. Maqedonia është në prag të zgjedhjeve lokale dhe Zaevi ka frikë t’i jetë afër Ramës. Dhe si riosh që është në këto takime, ishte nxënësi më serioz mes ballkanasve. BE-së i duhen nxënës të tillë pas telasheve me paraardhësin e tij. Ndërsa Rama me kompromisin që bëri, nuk quhet më problematik, edhe sikur veshja e tij të quhet e tillë!

TAKIMET BRENDA SAMITIT TË NATO-S DHE ME… PRESIDENTIN TRUMP

Por nëse do mësoje se Rama ka pasur gjatë ditës dhe një axhendë tjetër, takime në kuadër të samitit të NATO-s, atëherë ti mund të besosh se Rama ka dashur të bëjë dhe diferencim midis kësaj pjese të parë të axhendës dhe pjesës së dytë, më serioze dhe më ushtarake…

E vërteta është se NATO i krijon hëpërhë një lideri ballkanik, një ballkon apo dritare tjetër ku duhet të duket dhe sigurisht të duket më modest. Ecja në një marshim paqësor me Trump në mes midis Brukselit, por së bashku me liderë të tjerë kryesisht të vendeve më të fuqishme të botës, të frymëzon një qasje tjetër të ndryshme, veç veshjes. Zhvillohen takime dypalëshe dhe diskutohen tema sekrete që të bëjnë të ndihesh i rëndësishëm në nivel global. Për më shumë që ardhja e Trump në drejtim të SHBA-ve, kërkesat e tij për një rol të ri të NATO-s, shkatërrimi i ISIS nëpërmjet një plani të tij, janë një tjetër vitrinë për Shqipërinë dhe liderin e saj ekzekutiv.

Rama ka shkuar i rilaksuar në të gjithë axhendën e vet, dhe në pjesën europiane dhe në atë të NATO-s, sepse ka zgjidhur krizën. Vetëm imagjinoni si do dukej ai në të dyja pjesët e kësaj vizite nëse do kishte protesta në rrugët e Tiranës, apo çadër delegjitimuese. E pas zgjidhjes së saj, ai mund t’i lejonte vetes dhe veshje sportive në pjesën e parë, dhe duart në xhepa si nxënës serioz në marshimin e pjesës së dytë.

Rama ka takuar kryeministrin Cipras dhe ky është një hap i mirë pozitiv, rilaksues në marrëdhëniet dypalëshe i krijuar me siguri falë angazhimit të diplomacisë. Nuk dihet çfarë është biseduar dhe a është futur çështja e kërkimeve të naftës në det nga ana e Greqisë, si çështja më e rëndësishme aktuale sot për sot në marrëdhëniet dypalëshe. Por rivendosja e kontaktit të drejtpërdrejtë dhe fizik mes dy kryeministrave është pozitive. Rama nuk ngjan aq ngacmues për Greqinë, megjithëse si rregull liderët ballkanikë e teprojnë në kuadër të fushatës. PDIU nuk është në koalicionin qeverisës, dhe ky është një moment tjetër shtesë për rilaksim. Fati i Dules brenda apo jashtë parlamentit, nuk është shqetësim pangrek, që të kushtëzojë marrëdhëniet midis dy vendeve.

Rama ka takuar dhe presidentin Trump, megjithëse në një takim të shkurtër – dhe ky është një lajm i madh. Jo aq shumë për axhendën e tij personale sesa për atë të Shqipërisë. Mundej që deklarimet e tij gjatë fushatës presidenciale në Amerikë të ndikonin në marrëdhëniet ndërpersonale e si pasojë dhe në marrëdhëniet ndërshtetërore, por kjo gjë nuk u vërtetua. Mund dhe të ndodhte: sot televizionet e botës kanë treguar Trump duke hapur rrugë me njëfarë arrogance e duke shtyrë pak kryeministrin malazez, që mbase dhe nuk e ka njohur, ndaj çdo gjë mund të ndodhte. Nëse takimi është bërë me ndërmjetësim, me lobim apo me vepër thjesht diplomatike, kjo nuk ka rëndësi. Fakti është se kryeministri shqiptar u takua me presidentin amerikan dhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane të konfirmuara dhe me gjeste të tjera, fakte të tjera, takime të niveleve të tjera, mbeten shumë të mira.

E në këtë kontekst, Rama ka bërë dhe modestin. Në faqen e tij në internet nuk ka njoftime në kohë reale. Nuk ka entuziazëm për takimin me presidentin Trump. Njoftimin e ka bërë një kongresmen amerikan, kongresmen republikan diçka që i jep njoftimit karakter serioz. Kongresmeni është përpjekur që ta paraqesë takimin si çmim për kontributin e Shqipërisë në luftën kundër ISIS dhe reformat e Ramës, dhe rolin e tij veçanërisht për zgjidhjen e krizës.

Me këtë nivel informacioni që kemi, të merremi njëherësh dhe me veshjen e Ramës në pjesën e parë, dhe të qajmë pse ai e kritikoi Trumpin gjatë fushatës presidenciale, ngjan diçka e kapërcyer. Politika lëviz shpejt, ajo ka pjesën e show, por dhe pjesën serioze, dhe kufijtë mes tyre janë jo gjithmonë të qartë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.