Pse qesha sot “në të zezë” me kryeministrin tim

0

Fejton

Sot qesha me kryeministrin e vendit tim. Qesha fort, si asnjëherë tjetër. Qesha “në të zezë” si puna që bëj tash njëzet vjet duke selit e krasit lulet e padronit tim grek.
Atë që pashë sot në ekranin e vogël nëpërmjet satelitit nuk e imagjinoja se do ta shoh ndonjëherë.
Në fakt, lëvizje të tilla nëpër ekranin e vogël të kryeministrit tim kisha parë shumë herë.
E kisha parë disa herë duke fole për Lungo Maren (ku dreqin e gjeti këtë emër nga poliglotësia e tij kur ka fjalë shqipe shumë të bukura që i merr vesh edhe fëmija i klasës së parë) duke bërë me duar e me këmbë “teatër kryeministral”  sa nga deti aq nga toka.
E kisha parë në një rrugicë në Tiranë tek ecte në “Pedonale” më këmbë duke i befasuar të gjithë me poliglotësinë e tij kur të tilla rrugë, të përkthyera shqip, quhen “Rrugë këmbësore”, bile edhe populli nga Veriu në Jug kështu i quan, “Rrugë Këmbësore”…
E kisha parë të përurojë “zyra punësimi” anë e kënd vendit, zyra që u bënë objekt humori të shkruar e të vizatuar…
E pashë edhe në kampionatin Evropian në udhëtim me paratë e taksapaguesve shqiptarë, udhëtim  që do ta kopjonin edhe titullarët mbi të e nën të.
E pashë edhe në pritjen në aeroport, në dhuratën “një milionë“, “pasaportat diplomatike”, fjalimet përpara të pranishmëve që koteshin nga lodhja e rrugëtimit dhe monotonia e fjalimit.
Sot kryeministri i vendit tim që di shkrim e vizatim përuroi një zyrë ku klientët paguajnë faturat e konsumit të energjisë elektrike. E pashë tek i gëzohej skenës ku qytetari shkonte tek një makineri, shtypte butonin, merrte një kupon dhe ulej në pritje që të thërrisnin numrin e tij.
Do të desha që të shihja edhe klientin me faturën në dorë dhe arkëtarin i cili pasi e kalon në mekanizmin elektronik ia jep në dorë me mirësjellje pas tre sekondash…
Nuk i pashë. Faturat në Shqipëri janë si defter bakalli.
E fal presidentin e parë të Shqipërisë demokratike që në vitin 1992 u entuziazmua nga një “fermer fierak” i cili në një gjysmë dynymi në një serrë diellore kishte marrë “një mijë tonë” domate (!) Kaq din e kaq flet, thashë asokohe.
E fal edhe presidentin e parë të majtë që doli në ekranin e vogël për të falënderuar një “fermer” nga Fushë-Kruja i cili pasi ishte kthyer nga Greqia kishte mbjellë një ngastër me panxhar të kuq dhe me prodhimin e marrë kishte furnizuar të gjithë restorantet e kryeqytetit (!) Më çuditi atëherë sepse panxhari i kuq ishte një bimë pjesë e perimoreve të të gjitha ndërmarrjeve bujqësore.
Kryeministri im që di shkrim e vizatim, që ka kaluar vite të tëra në mërgim më habiti me këtë përurim…
Qesha, qesha “në të zezë”, për faqen e zezë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 27 qershor 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.