Pse prokuroria pret nga të tjerët provat që duhet të gjejë vetë

0

Nga Carlo Bollino

Debati rreth kërkesës për arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për çështjen Habilaj po nxjerr në pah një tjetër aspekt të dështimit të shtetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar: në ç’mënyrë kryhen hetimet në Shqipëri?

Fakti që nuk arrestohen kurrë krerët e trafikut të drogës apo porositësit e vrasjeve të bujshme (edhe kur arrestohen, më pas i lenë të lirë gjykatat), varet vetëm nga korrupsioni në të cilin është zhytur sistemi i drejtësisë, apo edhe nga paaftësia e Policisë dhe Prokurorisë për të sjellë prova të pakundërshtueshme? Përgjigja më korrekte është se fajin e kanë të dyja. Në një hetim, ku provat janë të dobëta ose kontradiktore, është më lehtë për një polic, prokuror apo gjyqtar të korruptuar të interpretojnë si të duan procesin, e kështu ta lenë të lirë fajtorin e të mos e arrestojnë fare.

Hetimet mbi çështjen Tahiri deri tani kanë treguar me saktësi përmasat e këtij problemi. Provat që Prokuria e Krimeve të Rënda i ka dorëzuar komisionit të imunitetit kundër ish-ministrit të Brendshëm janë të sikletshme për një organ të Akuzës që pretendon të arrestojë ish-numrin dy të qeverisë. Prej vitesh kam mbuluar si gazetar sektorin gjyqësor, duke ndjekur disa nga hetimet më të rëndësishme italiane kundër mafies, politikës dhe krimit të organizuar. Edhe në Itali Prokuroria është përplasur me trafikantë, super-bosa, ministra, ish-ministra dhe kryeministra, por çdo herë që e bënin këtë, nëpër duar kishte tonelata letër, përgjime, dëshmi, kontrolle bankare, tabulate telefonike, video, foto. Disa herë ishin prova të padiskutueshme, disa të tjera ishin indicje të forta, por kuptohej që, pas pozicionit të Prokurorisë, gjithnjë qendronte puna e një hetimi gjigand, që kishte kërkuar muaj, ndonjëherë edhe vite.

Por, po të shohësh atë pako të vogël dokumentash që iu dorëzua komisionit të mandateve nga Prokuroria dy ditë më parë, kupton që deri tani nuk është bërë asnjë punë serioze hetimore mbi Saimir Tahirin. 80 për qind e materialit të paraqitur ishte frut i punës së një prokurorie të huaj dhe një pjesë e madhe e debatit u përqendrua pikërisht mbi shpresën që nga Italia të vinin edhe dosje të tjera dhe dokumenta të tjerë me prova të vërteta, pasi ato të mbërritura deri tani nga Catania nuk përbëjnë një provë kundër ish-ministrit. Puna e vetme e bërë nga Prokuroria shqiptare duket të jetë marrja në pyetje, e pasqyruar në katër faqe, e bërë me nxitim më 20 tetor (domethënë pas plasjes së skandalit në Itali) e një oficereje të Policisë, që praktikisht nuk thoshte asgjë që ta komprometonte ish-ministrin e Brendshëm, veç asaj që kishte dëgjuar të thuhej se ai ishte kushëri i Habilajt. Provat nuk mund të jenë perceptime, dhe as emocione, provat duhet të jenë fakte.

Ligji aktual mbi imunitetin e deputetëve nuk e ndalonte Prokurorinë të hetonte mbi Saimir Tahirin, edhe para se të merrte leje nga Parlamenti. Ligji aktual i ndalon Prokurorisë vetëm t’i privojë lirinë një deputeti, apo t’i kontrollojë shtëpinë, ose t’i përgjojë telefonatat pa lejen e Parlamentit, por hetimet janë të lejuara: Po pse, kur Prokuroria dyshonte seriozisht që Saimir Tahiri trafikonte drogë, nuk ka hetuar edhe më parë për të? Aq më tepër që Saimir Tahiri nuk është më ministër i Brendshëm tanimë prej muajsh? Dhe pse atëhere akti i vetëm hetimor i kryer nga Prokuroria mban datën 20 tetor 2017, domethënë pak ditë pasi nga Italia kishte ardhur urdhër-arresti për vëllezërit Habilaj?

E njejta pyetje mund të shtrihet, nga çështja Tahiri, tek qindra raste të korrupsionit, krimi të organizuar dhe trafikut të drogës për të cilat flitet prej vitesh në media, ndërkohë që në burg nuk ka parfunduar asnjë fajtor i vetëm i rëndësishëm. Pas çdo parcele me kanabis ka një financues: sa janë financuesit e trafikut të drogës që janë arrestuar deri tani nga Prokuroria? Asnjë. Sa porositës dhe organizatorë vrasjesh të bujshme kanë përfunduar në burg? Asnjë. Sa ministra, drejtorë, apo VIP-a ka kapur Prokuroria në një çështje korrupsioni? Asnjë. Cili politikan apo biznesmen është kapur nga hetimet, me prova dhe dokumenta, se ka fshehur apo ricikluar para të pista? Asnjë.

Trafiku i drogës nuk është një ekskluzivitet i Shqipërisë dhe lufta kundër tij është një përparësi kudo. Por si shpjegohet që, në vendet e tjera, pas arrestimit në flagrance, për shembull, të një korrieri të drogës, hetimet vazhdojnë nga ana e prokurorive përmes metodave të hetimit më komplekse (ndjekje, përgjime, kontrolle bankare, marrje në pyetje, etj, etj) për të mundur të zbulohet më pas edhe pjesa e fshehur e rrjetit të trafikantëve, këtu në Shqipëri kjo nuk ndodh asnjëherë? Përse në vende të tjera kërkohen nivelet më të larta të përgjegjësisë për çdo krim, ndërkohë që këtu ndalohet në nivelin e parë, pa shkuar më tej? Kemi të bëjmë vetëm me një problem dëshire, apo edhe aftësie?

Ka shumë policë dhe prokurorë të përgatitur dhe një nga fajet e politikës është edhe ai i mbajtjes larg nga rolet vendimtare, ndoshta pikërisht për të penguar që policia dhe prokuroria të funksjonojnë siç do të duhej.

Në sistemin gjyqësor shqiptar, si dhe në atë të shumë vendeve evropiane (me Italinë në krye), iniciativa dhe përgjegjësia në hetimin penal i takojnë Prokurorisë dhe jo Policisë, e cila ka detyrë vetëm të kryejë hetimet e drejtuara nga Prokuroria. Kjo nuk mjafton të shfajësojë Policinë nga fajet e saj, por Prokuroria nuk mund të skandalizohet nëse krimi është rritur kaq shumë, duke bërë sikur nuk ka asnjë rol në luftën kundër kriminalitetit. Në rast se krimi është rritur me të vërtetë aq shumë derisa të depërtojë në qeveri, çfarë ka bërë deri tani Prokuroria për ta penguar? Kundër Saimir Tahirit nuk është gjetur deri tani asnjë provë, pavarësisht nga përplasjet gati personale, të cilat prej vitesh kanë kundërvënë Tahirin me Prokurorinë, dhe kjo pra nuk përjashton mundësinë që Prokuroria të ketë dashur të hetojë, e megjithatë deri tani nuk është gjetur asnjë provë: pra, ose Prokuroria është krejtësish e paaftë të zhvillojë çfarëdolloj hetimi, ose Saimir Tahiri është i pastër si një ëngjëll. Si në rastin e parë, edhe në të dytin, Prokuroria nuk ka të drejtën morale sot të ndjehet viktimë e presioneve. Duhet vetëm të fillojë të punojë.

Comments

comments

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.