BE presion për disiplinimin e deputetëve

0

Vendet e Bashkimit Evropian, përmes ambasadorëve në Tiranë, ka ushtruar presion mbi Parlamentin Shqiptar, për të miratuar Kodin Etik që rregullon dhe disiplinon sjelljen e deputetëve shqiptar. Përfshirja e Kodit të Sjelljes së Deputetëve në axhendën e Kuvendit, pas tre vitesh bllokadë, është diktuar nga presioni i ndërkombëtarëve. “Unë ju thashë që me rastin e zgjedhjes sime Kryetar takoj dhjetëra ambasadorë dhe një nga problemet që shtrojnë ata është pikërisht kjo. Ky ishte njëri, nuk thashë se ishte kryesori.

Ka qenë reforma në drejtësi, reforma elektorale, ligji “Për pakicat kombëtare” dhe të tjera, por përmendet edhe kjo që “keni dy-tri vjet që e keni aty”. Unë nga kjo u detyrova ta riaktivizoja”, ka deklaruar kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, gjatë mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Ndërkaq, deputeti Ulsi Manja, ka propozuar që deputetit duhet t’i kthehet dinjiteti. Sipas tij, deputeti është sot shofer, mekanik, sekretar, roje parkingu etj. “Unë jam që deputetin duhet ta veshim në radhë të parë, sepse e kemi zhveshur komplet.

Për çështjet e dekriminalizimit, të pastrimit të parlamentit, të inkriminimit e të gjitha, falë vullnetit politik dhe këtij parlamenti, sot kemi një kuadër ligjor, një kuadër kushtetues dhe ligjor, kemi plot institucione që i kemi ngarkuar për t’u marrë me këto punë. Deputetit duhet t’i kthehet dinjiteti, sepse deputeti sot është shofer, deputeti sot është mekanik, deputeti sot është motorist, gomist, thotë Myslimi, çfarë të doni e keni deputetin, sekretar e keni. Meqenëse jemi te ky Kod dhe parimisht jemi dakord që të kemi një kod sjelljeje, bashkërisht këtu do t’i trajtojmë problemet në të gjithë dinamikën që ka.

Absolutisht, edhe puna e veshjes duhet të adresohet në Kod, por, në radhë të parë, duhet të kemi ne respekt për vetveten, pastaj të na respektojnë ata që na kanë dhënë votën dhe kështu me radhë. Sot deputeti është edhe roje parkingu, po të doni”, thotë Manja.

Strazimiri ironizon OSBE
Deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, ka ironizuar misionin e OSBE, teksa ka pohuar se OSBE-ja mendonte se problemi i parlamentit ishte se deputetët nuk prisnin thonjtë. “OSBE-ja mendonte se problemi që kishim ne në parlament ishte fakti që kishim deputetë që nuk dinin të thoshin: “Mirëmëngjesi”, “Mirëmbrëma”, “Faleminderit”, “Ju lutem” apo nuk prisnin thonjtë dhe nuk mbanin shami me vete, por nuk ishte ky problemi, problemi ishte se kishim njerëz që s`kishin lënë burg pa shkelur në vendet e Evropës”, ka pohuar deputeti i PD.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.