“PRANGAT” MBI ABETARE DHE NJË HISTORI MËSUESISH RILINDËS TË GJUHËS SHQIPE NË GREQI

0

“PRANGAT” MBI ABETARE DHE NJË HISTORI MËSUESISH RILINDËS TË GJUHËS SHQIPE NË GREQI

Dy shoferë të Ministrisë së Punëve të Jashtme me makinat e ngarkuara me Abetare u arrestuan. Pas ndërhyrjeve nga Ambasadori i Shqipërisë në Republikën Greke, u lanë të lirë…
Ky  lajm përshkoi tërë median e shkruar, pamore dhe online në të gjithë hapësirën shqiptare. Hamendjet ishin nga më të ndryshmet, hamendje me të shkuarën shekullore kur gjuha shqipe ishte në “lugën e helmit”, “tehun e thikës” dhe “shënjestrën e pushkës”, hamendje me të tashmen kur gjuha shqipe në Greqi vegjeton si bima pa ujë dhe pa dritë.
Them “pa ujë e pa dritë” sepse në këto 15 vjet e disa muaj që nga 7 marsi 2001 kur Mimoza Dako, kryetare e atëhershme e shoqatës “Shqiptarët e Selanikut”, pas peripecish e gurësh nën rrota ia dha fjalën Dashmir Zaçes që të shkruajë  e lëçisë përpara fëmijëve dhe prindërve germën e parë të gjuhës shqipe, me përjashtim të abetareve disa muaj me vonesë nga tetori kur fillon mësimi, asgjë nuk është bërë.
Ajo dritë e vogël në Selanikun e lëvizjeve të mëdha të shqiptarëve drejt Lindjes e lëvizjeve të shkronjave shqipe drejt Shqipërisë nën pushtimin osman, mund të themi me plot gojë se mësimi i gjuhës shqipe në Greqi ka kapur jo vetëm sterenë që nga Veriu në Jug të Greqisë por edhe ishujt e Egjeut. Në një përmbledhje në tre vëllime të librave “Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës” dhe “Shkolla shqipe e Selanikut”, janë portretizuar 67 mësues në 1100 faqe shoqëruar me 450 fotografi mësuesish e nxënësish në një betejë të pashoqe për mësimin e fëmijëve të shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë fjalën shqipe. Një film dokumentar, “Vera-mësuesja e dy ishujve” jep përmasat e mëdha të dashurisë të një brezi mësuesish emigrantë që pasi punojnë tërë javën në punët e rëndomta të mërgimtares, gjejnë kohën ta kalojnë edhe detin për tu mësuar fëmijëve, vullnetarisht, pa asnjë lloj shpërblime material dhe moral (asnjë mësuesi gjatë këtyre 15 vjetëve nuk i është dhënë nga shteti shqiptar jo ndonjë dekoratë por as edhe një fletë e thjeshtë lavdërimi) të ishullit karshi gjuhën shqipe. Në Selanik, mësuesja Aurela Konduri të shtunën u jep mësim fëmijëve të Janicasë në vendin ku banon kurse të dielën udhëton disa dhjetëra kilometra për të bërë të njëjtën gjë me nxënësit e saj në mjediset e hapura nga Universiteti “Aristotelos” i Selanikut.
Në librin “Shkolla shqipe e Selanikut” janë përshkruar 21 mësues që me përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm atdhetar e qytetar  u kanë mësuar më se një mijë fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë ta shkruajnë dhe ta lexojnë gjuhën shqipe.
Të njëjtën gjë do të thosha për  mësuesit e Shkollës shqiptare të Athinë (katër mësuese me Ermira Morinën në krye) që kanë në bankat e klasës 110 fëmijë të klasave të ndryshme, shkollën e”Porta” në Athinë, shkollën e Korinthit, Patras, Artës, Dhomokosë, Volosit, Kalabakës,  “Federatës së Shoqatave shqiptare”, etj., etj.
Mësuesit/set vullnetarë në Greqi, siç i ka quajtur edhe shkrimtari i madh shqiptar Dritëro Agolli, me punën dhe përkushtimin e tyre, janë shndërruar në Rilindës të Kohës Sonë.
Rilindës pa asnjë përkrahje nga shteti, pa asnjë ligj kuvendar që ti radhisë ata midis mësuesve shqiptarë në Shqipëri (Kosova ka një ligj të veçantë për mësuesit e vet) pa asnjë marrëveshje zyrtare midis shtetit shqiptar dhe shtetit grek që gjuha shqipe të jetë në mos gjuhë e dytë në shkollën greke të paktën të shtunat e të dielat klasat e shkollave të jenë të lira që fëmijët ta mësojnë gjuhën e nënës normalisht, me po ato kushte që mësojnë gjuhën e vendit ku jetojnë.
Ajo që ndodhi të hënën më 14 nëntor 2016, po qe se do të kishte një ligj për mësimin e gjuhës shqipe në diasporë, po qe se do të kishte një marrëveshje ndërqeveritare për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi, nuk do të ndodhte.
Për shkak të boshllëkut ligjor dhe atij marrveshtor një gjë e tillë mund të kishte ndodhur edhe më parë, në udhëtimet “klandestine” të abetareve drejt Athinës dhe Selanikut, e nga ambasada e konsullata drejt shkollave shqipe në Greqi.
Ndodhi pas pesëmbëdhjetë vjetësh. Miratimi i një ligji për shkollimin shqip në diasporë, lidhja e marrëveshjeve ndërshtetërore për legalizimin deri në gjuhë të dytë të shkollimit shqip të fëmijëve, është një problem që duhet zgjidhur sa më shpejt që ngjarje të tilla të mos ndodhin  më.
Mbase ky rast do të bëjë që shkollimi shqip i fëmijëve në Greqi (numërohen më se 150 mijë në sistemin shkollor grek) do të lexohet si histori mësuesish vullnetarë për tu shndërruar në histori mësimi legal të gjuhës shqipe në diasporë.
Këtyre shënimeve po u bashkëngjis dy portrete mësuesesh, portretin e Vera Shkurtit në udhëtimin e saj në dy ishuj dhe portretin e Aurela Kondurit në udhëtimin e saj midis dy qyteteve. I pari i shkëputur nga skenari i filmit dokumentar “Vera-mësuesja e dy ishujve) kurse i dyti i shkëputur nga libri “Shkolla shqipe e Selanikut”.
Shpresoj që vepra e mësuesve në Greqi të dalë në pah gjerësisht dhe të nderohet më së afërmi  në Samitin e Parë të Diasporës dhe më tej në një ceremoni dekorimi nga Presidenti i Republikës, në një ligj kuvendar dhe në një marrëveshje midis dy shteteve për gjuhën shqipe

Abdurahim Ashiku

Athinë, 15 nëntor 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.