Po populli pse hesht, pse nuk kërkon referendum për reformën në drejtësi ?

0

Opinion

Ka tashmë më se dy vjet që drafti për “Reformën në Drejtësi” përcillet si “këmba e kinezit në romanin e Kadaresë” sa në Venecia, në Bruksel, Uashington, sa në tokë aq në qiell.
Ka më se dy vjet që populli dëgjon e shikon në ekranet e vegjël të televizioneve kombëtare, faqeve të para të gazetave, “grushtet turinjve” sa të njërës palë të palës tjetër.
Ka më se dy vjet që kuvendi i Shqipërisë shkarkon nga goja e liderëve fjalorin më banal të mundshëm.
Ka më se dy vjet që opozita braktis kuvendin pse lideri i saj historik flet si sëpata pa bisht.
Ka më se dy vjet që populli, sovrani siç e quajnë “ajka” e vendit, HESHT. Hesht dhe rrotullohet si kali në lëmë kur e qëllojnë nga koka.
Hesht dhe thotë me vete si në atë meselenë e ujkut me gomarin, “do Zoti jam në ëndërr”
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është miratuar me referendum popullor, me votën masive të popullit. Në të shkruhet:

  1. Populli, nëpërmjet 50 mijë shtetasve me të drejtë vote, ka të drejtën e referendumit për shfuqizimin e një ligji, si dhe t’i kërkojë Presidentit të Republikës zhvillimin e referendumit për çështje të një rëndësie të veçantë.
  2. Kuvendi, me propozimin e jo më pak se një së pestës së deputetëve ose me propozimin e Këshillit të Ministrave, mund të vendosë që një çështje ose një projektligj i një rëndësie të veçantë të shtrohet në referendum.

Më e qartë nuk ka si shkruhet dhe lexohet. Me 50 mijë firma populli ka të drejtën legjitime të kërkojë referendum të gjerë popullor për ti thënë PO ose JO projektligjit për Reformën në Drejtësi (!)
Shoqëria civile e cila ka bërë dhe po bën namin për “pesë dynymë pyll tek liqeni”, hesht për një problem kaq të madh për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Hesht kur duhet të ngrejë zërin e të marrë në dorë fatet e vendit (!)
Një e pesta e deputetëve, baras me 28 vetë, nuk marrin guximin qytetar për ta kaluar në referendum popullor draftin e projektligjit të rekomanduar nga Këshilli i Venecias, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian (!)
Takimi mes treshes së Bashës dhe treshes të Ramës dështoi, një dështim i parashikuar. Rama doli blof edhe në “lëshimin e madh” për votimin me dy të tretat.
Në tunel nuk ka dritë.
Të enjten e kësaj jave me siguri Berisha do të dalë, do të bëjë thirrje e do të shajë (kësaj here me të drejtën ligjore që i dha prokuroria e përgjithshme) me rrënjë e me degë duke provokuar përjashtimin e tij të radhës nga kuvendi dhe bojkotimin e opozitës për “dhjetë ditë” të punimeve të tij.
Rama, çuditërisht në vend që me një “propozim të Këshillit të Ministrave” të vendosë për Referendum Popullor për projektligjin për Reformën në Drejtësi, kërcënon me “zgjedhje të parakohshme” duke rënë tërësisht në prehrin e opozitës (me siguri edhe të njerëzve brenda koalicionit) që nuk e do një ligj që i “zbath brekët dhe i le cullak në rrugë”.
Zgjedhjet e parakohshme pak a shumë, me deputetë të listës, të kamur nga vjedhja e madhe që i kanë bërë Shqipërisë dhe popullit në këtë një çerek shekulli, nuk do të krijojnë kurrë koalicione me “dy të tretat”. Pushteti i zgjedhjeve do të përballet përsëri me të njëjtën pamje të koalicionit zgjedhor të 2009 ose të 2013. Ato do ti diktojë LSI dhe Ilir Meta.
Zgjedhjet e parakohshme nuk do të arrijnë të miratojnë një ligj për reformën në drejtësi. Ata do të jenë shkaku kryesor për shkatërrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, dhunës dhe kontrabandës, ikjen masive të shqiptarëve rrugëve të Evropës dhe të botës, krijimin e hapësirës për një “vit të ri të mbrapshtë-1997”, deri në një revoltë me armë (ala 1997-1998) pas thirrjes “të ligjshme” të Berishës për armatosjen e të gjithë popullit.
Një referendum masiv popullor për ti thënë PO projektligjit për Reformën në Drejtësi, është e vetmja rrugë që Shqipëria të ecë përpara, që qytetari të jetë i sigurt në vendlindjen e tij, që ekonomia të zhvillohet, që drejtësia të vendoset, që kriminelët dhe hajdutët e mëdhenj të ndëshkohen.
Fatkeqësisht këtë referendum nuk e do as e majta e as e djathta.
Nuk e do as populli, kurrizi i të cilit është bërë urë e mbi të hedhin valle “të zgjedhurit e tij”.

Athinë 7 qershor 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.