PO BEQAJN ÇFARË E LIDH ME DIBRËN?

0

Gjashtë kandidatë për kuvendarë në Kuvendin e Shqipërisë dalin në dritë për Dibrën, për Dibrën qark që fillon nga Skuraj në Martanesh e nga Klenja në Draj-Reç e Krej-Lurë, një hapësirë gjeografike prej më se dymijë kilometra katrorë.

Në krye të listës, i sigurt për kuvendar, një njeri që Dibra as e ka parë, as e ka dëgjuar, as e di se i kujt është dhe nga është. Një kuvendar “kalë hip” si në rrëfenjat me mesele të vjetra që Dibra i ka shpotitur në këngë…
Si ministër i shëndetësisë, për të mos ia ngrënë hakun, në zgjedhjet për pushtetin vendor, i dha Maqellarës një “ambulancë”…
Ajo që e lidh Ilir Beqajn me Dibrën, në mos gaboj sepse jam njëmijë kilometra larg, është vetëm “Ambulanca e Maqellarës !!!
Vetëm kaq…
Asgjë më tepër…
Për Peshkopinë…
Për Bulqizën…
Për Klosin…
Për Burrelin…
Mos radhisim qendrat e tjera me emër të përveçëm…
Dibra mbarë, socialistët dibranë, bashkë me Bulqizën e Matin, nuk paska asnjë intelektual, asnjë njeri të përkushtuar për ta udhëhequr në kuvend, për ti dalë zot me Rrugën e Arbrit, me turizmin malor nga Lura, në Balgjaj, Tërnovë e Lenë të Martaneshit, me kromin e Bulqizës, Batrës, Selishtes Tërnovës e Shkallë Cerujës, me ripërtëritjen e pyjeve të shkatërruara nga të dy krahët e tharë të politikës shqiptare në këtë një çerek shekulli, me gjithçka që lidhet me popullin e një qarku më punëtori në të gjithë vendin, një qarku të harruar dje dhe sot, një qarku me pasuritë e mëdha të nëntokës e të mbitokës që krijuan floririn që ndërtoi vendin e bonifikoi fushat e Shqipërisë e që në fund mori rrugën e madhe të arratisë, rrugë e cila ia kaloi udhëtimit biblik të vitit të mbrapsht të Londrës 1913…
Dibrës iu dashka ta udhëheqë një njeri që ka lindur në Tiranë, që ka studiuar informatikë, që është ngjitur në Kuvend me votën e socialistëve të Durrësit në vitin 2013…
Ilir Beqaj është në krye të listës së kandidatëve për në Kuvendin e Shqipërisë.
Ja lista:
Ilir Beqaj
Almira Xhembulla
Halit Palamani
Mufit Durici
Naim Asllani
Lindita Tako
Iliri e ka të sigurt karrigen për në Kuvendin e Shqipërisë.
Po qe se do të kishte sistem zgjedhor të drejtpërdrejtë, sistem ku të votohej me emër e mbiemër në vlerat e njeriut për Dibrën dhe dibranët, Ilir Beqaj do të mbetej “prapa listës”.
Ilir Beqajn nuk e lidh asgjë me Dibrën dhe dibranët…

Abdurahim Ashiku

30 prill 2017

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.