Plani konkret i qeverisë për të mbështetur 8 kërkesat e studentëve

0

Drafti i ‘Paktit për Universtitetin’, që qeveria ka si përgjigje për të zgjidhur jo vetëm 8 pikat, por edhe për të shëruar plagët në arsimin e lartë shqiptar. Për çdo pikë ka edhe afate, duke plotësuar kërkesat e studentëve, që Rama i ka cilësuar të drejta dhe të duan zgjidhje me dialog. Pakti do të hidhet për diskutim në universitetet e vendit.

Drafti    

Kryeministri ka angazhuar disa grupe pune, të cilat po punojnë për dokumentin e një Pakti për Universitetin. Përtej përgjigjes konkrete për 8 pikat e dala nga protesta studentore, Pakti për Universitetin, do të jetë një dokument angazhimesh për të adresuar probleme të përgjithshme për Universitetin, si edhe probleme specifike për çdo universitet – bazuar në informacionet, opinionet, idetë e sugjerimet e mbledhura gjatë procesit të saponisur të Dialogut. Kjo faqe u krijua enkas për t’i shërbyer këtij procesi dhe është në dispozicion të kujtdo që dëshiron të kontribuojë me idetë e veta.

Ja një kopje e draftit të punës me 8 pikat në stadin aktual, e cila është e hapur për diskutim në çdo pikë:

PIKA 1

● Tarifat të paguhen nga qeveria nga 100% deri në 50% me shkallëzim.

● 100% për studentët me mesatare 9 deri në 10, për studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe për të verbërit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë. Këto dy kategori mund të kenë edhe një bursë prej 100 USD.

● 75% për studentët me mesatare 8 deri në 9

● 50% për studentët me mesatare 6 deri në 8

(50% po ashtu me mesatare më të ulët se sa 6, por deri në fundvitin akademik 2019-2020. Kjo bëhet për një mundësi të barabartë në një start të ri dhe për këtë arsye asnjë student, pavarësisht mesatares, nuk do të paguajë më shumë se sa 50% të tarifës deri në vitin e ardhshëm akademik).

Skema e shkallëzimit meritokratik është ende në diskutim dhe të gjithë janë të ftuar të kontribuojnë me mendimin e tyre

Afati i zbatimit: Janar 2019

PIKA 2

● Të krijohet një faqe online, ku të publikohen të gjitha buxhetet dhe shpenzimet e Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë dhe çdo IAL-i publik. Faqja të shërbejë edhe si një platformë, për ekspozimin e akteve të korrupsionit apo të shkeljeve të çdo lloji në universitet.

Afati i zbatimit: Janar 2019

PIKA 3

● Çdokush që ka njohuri për një praktikë ndërkombëtare, ku pesha e votës së studentëve në zgjedhjet në universitet është siç kërkohet në këtë pikë, është i lutur ta bëjë publike. Momentalisht po punohet për ta adresuar këtë pikë, duke parë me detaje çështjen e përfaqësimit të studentëve në vendimmarrje, sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.

Afati i vendimit: Janar 2019

PIKA 4

● Transparenca e titujve shkencorë është aktualisht një detyrim ligjor i Universitetit. Sidoqoftë po punohet për një propozim konkret si më poshtë, që meriton të diskutohet.

● Biblioteka Kombëtare të ngrejë një portal të unifikuar, ku të hidhen të gjitha doktoraturat.

 Të digjitalizohen doktoraturat që janë në letër (hardcopy). Kontrolli antiplagjiaturë i tyre të kryhet nëpërmjet një softëare-i të posaçëm dhe të gjitha rastet e dyshuara t’i kthehen Komisioneve të Posaçme Universitare për rivlerësim.

● Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë nga ana e saj, të nisë Verifikimin e Kritereve të Ligjshmërisë për titujt akademikë.

Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019

PIKA 5

● Qeveria të shkarkojë të gjithë anëtarët e bordeve të emëruar nga MASR. Anëtarët e rinj të emërohen nëpërmjet një procesi të hapur, ku figura publike dhe ekspertë me profil të lartë, të zgjidhen rojtarë të interesit publik në administrimin e Universiteteve. Po hulumtohen praktikat më të mira ndërkombëtare për të parë mundësinë që njëri prej anëtarëve të vijë nga trupa studentore.

Afati i zbatimit: Shkurt 2019

PIKA 6

● Marrëveshja e nënshkruar në nëntor me Qendrën e Shërbimeve Arsimore Franceze, për ta bërë kartën tonë pjesë të European Student Card (ESC) është një bazë shumë e mirë për finalizimin e këtij procesi

Të miratohet VKM me shërbimet që do të ofrohen me çmim të reduktuar për studentët. Të fillojë procesi i pajisjes me Kartën e Studentit dhe të pajisen të gjithë studentët.

Afati i zbatimit: Shtator 2019

PIKA 7

● Të përfundojë procesi i blerjes dhe vënies në dispozicion të studentëve të Bibliotekës Universitare Digjitale. Të gjitha Universitetet në vend do të kenë akses në bibliotekën elektronike universitare, si dhe në databazën kombëtare të doktoraturave.

Afati i zbatimit: Mars 2019

PIKA 8

● Të nisë vlerësimi i performacës për çdo IAL në vend, ku elementët kyç do të jenë:

– Sondazhi Kombëtar i Studentëve për çdo pedagog, program mësimor; departament e fakultet;

– Vlerësimi i Produktit Kërkimor për çdo department, fakultet dhe IAL;

– Vlerësimi i jashtëm i cilësisë, në përputhje me ”Kodin e Cilësisë së Arsimit të Lartë”.

Afati i fillimit të zbatimit: Mars 2019

Shënim: Gjithë sa më lart është në fazën e diskutimeve në grupet e punës, të cilat mirëpresin çdo sugjerim. Ndërkohë, më poshtë çdo individ i interesuar, është i ftuar të kontribuojë me opinione, ide, sugjerime a kërkesa për Universitetin në tërësi dhe universitetin apo fakultetin e tij në veçanti.

Sa u përket shërbimeve në fushën e Arsimit, Sportit dhe Rinisë studentët do të përfitojnë hyrje në stadiume, pallate sporti, palestra dhe aktivitete sportive. Mbajtësit e Kartës së Studentit do të përfitojnë shërbime edhe në fushën e transportit publik i të gjitha llojeve, përfshirë  dhe transportin ajror, kurse dhe lëshim patentash dhe dokumentash të tjera të ngjashme

Qeveria, me një projekt-vendim që do të kthehet më pas në VKM, do të ligjërojë përfitimet e shërbimeve nga entet shtetërorë përmes përdorimit të Kartës së Studentit. Sipas dokumentit, studentët do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara, për shërbimet në fushën e Kulturës si hyrje në biblioteka, muze, galeri arti, parqe arkeologjike dhe monumente të kulturës, hyrje në teatër dhe shfaqje artistike; Shërbimet në fushën e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale: Shërbime shëndetësore pjesë e listës së barnave të rimbursueshme, të paketave të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit spitalor që mbulohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor; Përjashtim dhe reduktim nga pagesat e drejtpërdrejta, për alternativat e para të barnave të listës së barnave të rimbursueshme, Sigurim shëndetësor, Regjistrim në çerdhe dhe kopshte për fëmijët e studentëve apo Strehim social.

.Mbajtësit e Kartës së Studentit, do të përfitojnë shërbime me çmime të reduktuara edhe nga subjekte të tjera që kanë objekt të tyre interesa studentore, si dhe nga persona juridikë privatë që ofrojnë shërbime të ndryshme, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të lidhura konform përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.

Shpenzimet për prodhimin dhe lëshimin e Kartës së Studentit do të përballohen nga buxheti i miratuar për ministrinë përgjegjëse për arsimin. Procedurat ligjore për lëshimin e kartës do të kryhen nga QSHA.

Përfitimet e studentëve nga përdorimi i kartës së studentit do të përballohen nga buxheti i ministrisë përgjegjëse për arsimin dhe entet shtetërore që ofrojnë shërbimin me cmim të reduktuar, sipas marrëveshjeve specifike të lidhura mes palëve.

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.