Pesëdhjetë milionë euro për Lurën

0

PESËDHJETË MILIONË EURO PËR LURËN…

 

Qafa e Mërkurthit ndan Dibrën me Mirditën, më saktë Lurën me Mirditën…
Nga maja e saj shoh dredhat e rrugës që zbret drejt Kurbneshit.
Nga maja e saj, pas një rrotullimi njëqind e tetëdhjetë gradë shoh teposhtën që zbret bjeshkëve të Krej-Lurës, shtëpitë me qoshe mermeri të kuq shkulur  nga shkëmbi që merr i pari rrezet e diellit (mbase për këtë është bërë edhe i kuq) për ti zbritur e ngjitur sekonda më pas Arrëmollës, Pregjë Lurës…
Rrotullohem përsëri njëqind e tetëdhjetë gradë dhe në sy më vjen një pamje e bukur e freskët ku era e ziftit përzihet me atë të luleve të pranverës…
Rruga sapo është ngjitur në Qafë.
E vizuar bukur…
Me shenja rrugore që shkëlqejnë…
Gjashtë metra e gjerë…
Nuk më besohet…
I them një njeriu që si edhe unë ia ka ngulur sytë  pamjes.
– Më picko të lutem.
– Më pickoi.
– Fort, fort.
Ndjeva dhimbje sa mishi nën këmishën krah shkurtër u skuq si të lyhej me bojë.
-Faleminderit!- i them. Nuk qenkam në ëndërr…
Poshtë, trasesë që zbret për në Krejë Lurë për të marrë Zabelin e Nikës e për tu ngjit në Lurën e Vjetër, makinat e rënda, buldozerët, kreperët, rulot…vazhdojnë  ec e jakët në një garë kush t’ia kalojë njerës e kush t’ia lëshojë vendin tjetrës…
Një tabelë e madhe më ngop sytë…
Një hartë gjarpëruese më merr me vete për të më ngjitur në të përpjetat e liqeneve të Lurës.
Skema e rrugës, midis kurorave të pishave dhe gjelbërimit pranveror, e gjerë gjashtë metra, vizuar e bardha mbi të zezë, më flladit duke ma mbushur gjoksin me aromën e luleve të Livadhit të Gjergjit e pesë liqeneve që si kurorë i mblidhen Liqenit të Madh, Liqenit të Koçekut, me një gojëdhënë shtojzovallesh nga më të bukurat.
E lë hartën…
Marr rrugën ulur në ndenjësen e parë të një makine tank nga ata që s’pyesin për gurë e shkrepa në rrugë.
Ecja dhe pas më vinte asfalti i zi dhe vizat e bardha mbërthyer pas tij…
Syri më kish kapur një oaz mes pyjeve që dikur i kam ra mes përmes për tu ngjitur kreshtës nga ku Zall-Gjoçajn e tërë luginën e Matit e merr në dorë si të marrësh një thëllëzë të sapodalë nga guaska e vezës.
I kalova të gjithë liqenet njeri pas tjetrit: të Ziun, të Kallabës, të Luleve…
Ishin tërë ngjyra ndryshe nga fotot e arkivit tim bardh e zi fiksuar një gjysmë shekulli më parë…
Në Fushë të Pelave po zbriste duke fishkëlluar helikat një helikopter i bardhë.
Në qendër një pistë uljeje shtruar mbi dërrasa pishe dhjetë centimetra të trasha nuk i kishte lënë vend betonit aq të dëshiruar e lakmuar nga qeveritarët.
Rreth e qark popull, shumë popull. Kishin ardhur jo vetëm nga kurbeti brenda vendit, nga Bathorja, Kamza e Këneta e Durrësit… por edhe nga Amerika, Kanadaja, Australia… Nga Evropa po e po, nga ajo e Mesdheut dhe nga ajo e rrethit polar.
Nga helikopteri zbriti një njeri i gjatë. Aq i gjatë ishte sa u kërrus fort për të dalë nga dera e makinës fluturuese…
Mikrofonat ia afruan aq afër gojës sa dukej se po i zinin frymën.
Kamerat filmuese dhe fotografuese fiksonin historinë…
Nuk dëgjova gjë nga ato që tha…
Atë çast ra zilja e telefonit…
Ishte Aleksi që si çdo ditë më ftonte të pimë kafe në sheshin para kishës Agio Nikolao, sipas stilit gjerman “secili nga xhepi i vet”, nga një euro ekspresi…
U vonova dhe kafja  e porositur si gjithnjë nga ai, ishte ftohur…
Hyra në internet dhe pashë se ato pesëdhjetë milionë euro që Evropa i akordonte Shqipërisë për ndërtimin e rrugëve ishin për…
Nuk po e them.
Pse ta them kur nuk ishin për Lurën, Perlën e perlave të bukurive shqiptare, një ndër bukuritë e shumta të Dibrës që unë i kam me vete në mërgim nëpërmjet fotove bardh e zi?
Edhe po ta them nuk ia vlen, thjesht se për të nuk ka zëra ta lakojnë, nuk ka veshë ta dëgjojnë, nuk ka sy ta shikojnë…

Abdurahim Ashiku

Athinë

 

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply