Pëllumb Troci, gazetar i Radio Tirana, në një bisedë nga larg

0

Intervistë me gazetarin Abdurahim ASHIKU, prej vitesh me banim ne Greqi:
Të nderuar dëgjues, përshëndetje!
Ashiku është një prej  intelektualeve më te njohur ne Dibër dhe me tej. Punoi si gazetar në disa gazeta para dhe pas viteve ’90, ku edhe u largua ne emigracion. Krijimtaria e Ashikut në emigracion dhe gazetari do të jenë ne fokus të intervistës.
-Mire se erdhët drejtpërdrejt në Radio TIRANA
Faleminderit! Pas njëzet vjetësh në mërgim është hera e parë që komunikoj me dëgjuesit e Radio-Tiranës,  kaq larg e kaq me mall.
Vendlindja juaj?
Kam lindur, siç kam shkruar në kopertinën e librit “Njerëz që i dua”, “pesë ditë para Ditës së Verës për tu regjistruar pesë ditë pas Shëngjergjit, më 11 maj 1941…”, në fshatin Brezhdan-Zdojan të Dibrës
Më 11 maj zyrtarisht mbusha 75 vjet jetë.
Cilat janë botimet tuaja të para?
Shkrimi im i parë është botuar më 8 maj të vitit 1957 – 59 vjet më parë në gazetën “Sporti popullor”. Ka qenë një kronikë e një ekskursioni të shkollës time, Teknikumit Bujqësor Fier,  në Apolloninë e lashtë asokohe nën tokë, e mbuluar tërësisht me gjelbërim.
Pas këtij shkrimi do të vijoja në një bashkëpunim të gjatë, si nxënës në Fier, si agronom i mesën në Dibër, por veçanërisht si student në vitet 1961-1966 me Zërin e Rinisë, gazetë që në atë kohë ishte më e lexuara, më pranë rinisë në shkollat e mesme dhe universitetit e instituteve, djep ku u përkundën shkrimtarë të mëdhenj si Ismail Kadare, Dritëro Agolli,Vath Koreshi, Agim Cerga, Loni Papa dhe shumë të tjerë.
“Zëri i rinisë” ishte shkolla ime e gazetarisë e cila më dha krahë për të shkruar tërë jetën. Me këtë rast dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim pa kufi për Dhimitër Verlin-kryeredaktor, Liri Lubonjën – zëvendës kryeredaktore, redaktorët dhe gazetarët Luan Dibra i cili ndërroi jetë para disa muajsh, Vath Koreshin, Pirro Tasen, Kliton Gjilanin, Loni Papën, Zef Gurakuqin, Agim Cergën. Ata ishin mësuesit e mi të gazetarisë.
Kam mbledhur pothuajse të gjitha shkrimet e mija gjatë kësaj kohe që i kalojnë të treqind faqet e një libri.
Në vitin 1974 u bëra gazetar profesionist, gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për Dibrën e Matin. Më tej redaktor i gazetës “Ushtima e maleve”, për ta mbyllë fletën e publicistikës nga Shqipëria në korrik të vitit të 1996 si gazetar i “Zërit të popullit”, kohë kur fillova udhëtimit të gjatë të emigrantit.
Si e vlerësoni   përvojën tuaj në gazetari, një koment!
Si dëshirë të madhe shpirtërore, si një ushqim shpirtëror që më mban në këmbë për të ecur me hapin e kohës. Si një dashuri për njerëzit.
Në kushtet e emigracionit si e keni mbajtur gjallë publicistikën?
Më ngjan se nuk e kam mbajtur unë gjallë publicistikën. Më ka mbajt gjallë ajo. Po të mos shkruaj një ditë të vetme e ndjej veten bosh, të lodhur, të mërzitur…
Sa është i organizuar komuniteti shqiptar në Greqi, si trajtohen shqiptaret?
Komuniteti shqiptar në Greqi është i organizuar në shoqata dhe shoqëri të shumta në të gjithë hapësirën greke, në stere dhe në ishuj. Ka një Federatë të Shoqatave shqiptare në Athinë, ka një Lidhje të Mësuesve Shqiptarë në Greqi, ka grupe sportive e kulturore. Gjerë e gjatë për ta kam shkruar në faqet e gjashtë librave të mi, në adresën time në google, në faqet e gazetave shqiptare në Greqi, në faqet e gazetave në Atdhe.
Televizionet kombëtare shqiptare nxjerrin në faqe të parë apo krye lajm televiziv njoftime për vrasje, dhunime, vjedhje etj. që siç kam shkruar është TURP PUBLICISTIK, janë integruar, janë bërë qytetar me respekt e dinjitet, kanë ndërtuar Greqinë, kanë rrit prodhimin bujqësor e blegtoral në ishuj, fusha dhe male, mbajnë me një dashuri të jashtëzakonshme pleq e plaka, kanë besimin e grekëve për rritjen e fëmijëve. Familje të shumta greke ua kanë lënë në dorë grave shqiptare çelësat e shtëpive me një besim që tregon respekt pa kufi.
Greqia, mund të them me bindjen e mërgimtarit dhe gazetarit, është bërë atdhe i dytë i shqiptarëve.
Çfarë vendi  ka zënë realiteti emigrator në librat tuaj?
Vend të parë pas realitetit të vendlindjes, Shqipërisë. Kam botuar gjashtë libra.
Librat kanë një titull të përbashkët NJERËZ QË I DUA, me mbi 2000 faqe me disa nëntituj:
Njerëz që i dua,
Rilindësit e kohës sonë,
Shkolla shqiptare e Athinës,
Po Dibrës! Jo Skavicës!,
Rrëfimet e komshiut,
Shkolla shqipe e Selanikut.
Theksoj se njeriu, gazetari, kur ulet, merr penën e shkruan, kalon gishtat mbi tastierën e kompjuterit, po nuk i deshi zemra, shpirti, po nuk tha “Të dua”, nuk mund të shkruaj. Nga të gjashtë librat, tre i kam më të dashurit, tre libra që lidhen me një nismë pak të çuditshme për kohën që jetojmë, me mësuesit e gjuhës shqipe në mërgim, me pasionin e jashtëzakonshëm të tyre për të mbledhë fëmijët ku të mundin e si të mundin, pa përkrahjen e shtetit, për ti mësuar ata të shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë në gjuhën e bukur shqipe. Punojnë vullnetarisht, pa asnjë shpërblim material e moral, pa edhe një “fletë-nderi” nga shteti shqiptar.
Të tre librat së bashku kanë 1100 faqe, kanë nëpër faqe 450 fotografi, përcjellin nëpërmjet gjinive publicistike si portret, reportazh, përshkrim, intervistë etj. 67 mësues të gjuhës shqipe në Greqi dhe përvojë nga kolegë të tyre në Zvicër, Austri, Gjermani, Finlandë, Suedi, Angli, Itali etj.
Kam realizuar me ndihmën e Arian Melonashit, ish gazetar i televizionit shqiptar me banim në Itali, filmin dokumentar “Vera-mësuese e dy ishujve”, film i cili flet dhe përshkruan një mësuese në ishullin e Tinosit e cila mblodhi 72 fëmijë të mërgimtarëve shqiptarë në ishull, i ndau në dy klasa dhe të shtunën e të dielën u mësoi të shkruajnë, lexojnë e këndojnë shqip. Pasioni dhe dashuria për gjuhën shqipe e çoi në ishullin e Sirosit afro dy orë larg me traget ku shkonte çdo të enjte dhe bënte të njëjtën gjë me pasionin dhe dashurinë e rilindësve të moçëm.
Më duhet të theksoj se titulli “Rilindësit e kohës sonë” nuk është imi por i shkrimtarit të madh Dritëro Agolli.
Në kopertinët e librit “Rilindësit e kohës sonë”, kam shkruar…
Isha në mëdyshje për titullin . Disa herë e shkrova dhe e shova. Më në fund më erdhi në ndihmë Dritëro Agolli i madh i letrave shqipe kur në një bisedë me Të më 9 prill 2008 më tha:
“…Këtë anë rilindëse të emigrantëve të hershëm e kanë shfrytëzuar apo e kanë përvetësuar emigrantët e sotshëm duke vazhduar kohën e Rilindësve që të punojnë për mëmëdhenë.”
 Çfarë përfaqëson Dibra për ju?
Nuk gjej fjalë nga fjalori i jetës sime t’i përgjigjem. Dibra është vendlindja ime. Vendlindja e ngushtë me Brezhdan-Zdojanin, vendlindja në shtëpinë me qerpiç në dy poda të babait – Hajredin Ashiku dhe nënës Defe Ashiku (Zhuzhi), është Lugina e Drinit me atë bukuri e begati të pakufi, janë malet e Dibrës që u jam ngjitur që nga Stebleva, Bulqiza, Prati, Balgjaj, Liqenet e Kacnisë dhe të Lurës, Dardha, Reçi, Kalaja e Dodës, Grama…
Për Dibrën kam bërë librin “Po Dibrës! Jo Skavicës!” në mbrojtje të vlerave të mëdha të saj historike, ekonomike, shoqërore.
Shkruaj dhe edhe pse larg, jetoj me Dibrën dhe dibranët. Shkruaj dhe udhëtoj me mend nëpër Dibër duke shuar paksa mallin e mërgimtarit.
Flisni pak për pasionin për fotografinë, bashkudhëtare e përjetshme e juaja!
Aparati fotografik ka qenë një gjymtyrë e pashkëputur e trupit tim në udhëtime. Një mik, Prof. Dr. Nazmi Koçi, më dhuroi një skaner, aparat i cili filmat negativë i kthen në pozitivë, i nguros në memorien e kompjuterit.
Në disa kuti këpucësh, që nga viti 1964, kisha mbështjellë një numër të madh negativash. Mendoja se janë diku te tre mijë shkrepje. Deri tani e kanë kaluar numrin pesë mijë. Mbase do ta kalojnë edhe shtatëmijë-shin..
Mund t’ju them se dixhitalizimi i këtyre filmave më ka rinuar, më ka bërë më të gjallë, më të qeshur, më optimist për jetën. Atje, në pozicione gjeografike nga majat e maleve, luginave, galerive të Bulqizës, Batrës e Selishtës, livadheve me lule shumë, me qengja e dele, fabrikave e punishteve, plantacioneve frutore e vreshtave, kudo kam fiksuar në celuloid  njerëz që i kam dashtë me shpirt e kam shkruar me pasion.
Ishte dhe është një mrekulli shpirtërore e jetës sime.
Ku po botoni tani?
Ku të mundem e kush t’i marrë. Gazetat në emigracion u shuan. Nuk ka më as gazeta e as revista për mërgimtarët shqiptarë në Greqi.
Bashkëpunoj me gazetën “Rruga e Arbërit” për mua një gazetë që e mban gjallë shpirtin dibran.
Gazetat në Shqipëri preferojnë të keqen, vrasjet, dhunën, anën e errët të jetës së mërgimtarëve. Tek tuk ndonjë gazetë hap ndonjë faqe me kryetitull “Emigracion”. E hap, e mban disa numra dhe e mbyll. Një e treta e Shqiptarëve në mërgim kujtohen vetëm për remitancat,postimin e parave dhe thirrjet blu e rozë “investoni me një euro” pa asnjë dritë jeshile.
Na kanë ndërruar edhe emrin. Nuk na thonë më emigrantë por diasporë.
Projektet krijuese!
Kam shumë “zarfe kompjuterike” që presin të kthehen në libra. Nja dy-tre janë vetëm për Dibrën dhe dibranët në mërgim…
Gjashtë librat i kam botuar me pensionin tim dhe të bashkëshortes time, mësueses Natasha Ashiku, pension që bashkërisht nuk i kalon 250 euro.
Për ta mbyllur po përdor një përgjigje të të njëjtës pyetje që i kam bërë arvanitasit të madh Aristidh Kola në shkurt të vitit 2000, disa muaj para se të ikte nga kjo jetë, pyetje e lidhur me librin e tij “Greqia në kurthin e Millosheviçit…
Është një joshje e madhe të shkruaj një pjesë të dytë me brendi ngjarjet e fundit në Kosovë . Por, si ka thënë Gëte , “Ndërsa arti është i pafund, jeta është e shkurtër.”

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.