PEDAGOGËT E FILOLOGJIKUT DHE MËSUESIT VULLNETARË TË SHQIPES NË GREQI
Pedagogët e
Fakultetit Filologjik të Universitetit të Tiranës mësohet se janë ngujuar në
grevë së bashku me studentët.
Dy nga pedagogët, të njohur si analistë partiakë të djathtë (njeri ish deputet
i PD-së) nga njeri kanal në tjetrin, ngulin këmbë si “dhia në urën e telit” që
të shuhet nga faqja e dheut ligji për arsimin e lartë, ligj që është miratuar
nga dy parti asokohe në të njëjtin lengjer të çorbës tash 28 vjeçare të
miratimit dhe ç’miratimit të ligjeve sa herë ndërrohen kuajt në karrocë.
Nuk do të merrem me ta, po i lë ti mbushin mendjen vetes në kanalet televizive
netëve të gjata të dimrit.
Gjetkë dua të dal, tek mësuesit e gjuhës shqipe në Greqi (e më gjerë), mësues
vullnetarë të cilët që nga 7 marsi i vitit 2001 janë të harruar nga shteti dhe
shoqëria shqiptare nga kanalet dhe (k)analistët.
Mësuesit janë ish studentë të filologjikut (apo të universiteteve të tjerë) që
morën nga tekstet e shkollës së lartë Naimin e Gjergj Fishtën, dhe të mëdhenjtë
e të mëdhenjve të Rilindjes Kombëtare për t’i bërë pjesë të ndërgjegjes së
fëmijëve të emigrantëve, të prindërve dhe fëmijët e tyre që nuk deshën dhe nuk
duan që të vdirret gjuha shqipe.
Janë shkruar drejtpërdrejt nga “stekat e emigrantëve”, “podrumet”, madje edhe
nga tavolinat e klubeve (një foto të cilën po e përcjell) dhjetëra e dhjetëra
shkrime, madje edhe 4 libra me mbi 2000 faqe e mbi 600 fotografi, për Ta e për
dëshirën e tyre për të mos u sprapsur asnjë çast nga mësimi i fëmijëve të
mërgimtarëve si ta shkruajnë, si ta lexojnë e si ta këndojnë gjuhën e nënës
Shqipëri.
Dritëro Agolli, në një bisedë për ta, i ka quajtur “Rilindës të kohës sonë”.
Asnjë qindarkë nuk ka rrjedhë në xhepin e më se 50 mësuesve vullnetarë në Greqi
nga shteti shqiptar apo nga ndonjë fondacion bamirësie.
I vetmi “kujdes” në shkallën “bezdisëse” ka qenë dërgimi (me muaj të tërë
vonesë) i abetareve.
Megjithatë, ato mësuese e mësues, nuk janë sprapsur. I ndjeri Dashmir Zaçe
mësues i parë i gjuhës shqipe në Greqi (Selanik 7 mars 2001) në një bisedë me
të më thoshte:
“…Unë
dua ta shtrijë në kohën e rilindësve sepse edhe ne punojmë në ato kushte që
bëhej mësimi i shqipes në kohën e tyre. Edhe ne bënim mësim fshehur me frikën
se mos nga zbulonte policia greke. Edhe ne e bënim pa libra, i fotokopjonim ato
dhe ua jepnim nxënësve. Por ka një ndryshim të madh që mua më shqetëson, nuk më
kënaq. Në qoftë se librat, abetaret, në kohën e rilindësve shtypeshin në
shtypshkronjën e Bukureshtit, sot në kohët moderne ne punonim pa abetare. Dua
të them se ne punojmë në kushte të vështira. Lumturia jonë është sepse ne edhe
në këto kushte të vështira gjuhën shqipe arrijmë tua mësojmë fëmijëve. Rrënjët
e identitetit ne po i ruajmë dhe nuk do ti lëmë që të zhduken për atë pjesë që
na vjen në shkollë.
Ka edhe diçka tjetër. Ne, përveç abetares, gjithmonë në veprimtaritë tona
fëmijëve u japim vetëm poezi të rilindësve. Kjo sepse, atje është në mënyrën më
të qartë, identiteti kombëtar. Atje pasqyrohet në mënyrë, jo se në të tjerat
nuk pasqyrohet por është më i kapshëm, kombi, thjesht patriotizmi i kulluar.
Për veprimtari ne shfrytëzojmë literaturë nga Fan Noli, nga Migjeni, nga Nonda
Bulka, Lasgush Poradeci, Fishta, Mjeda… Naimi është i pari, është i pranishëm
në të gjitha….”
Dashmir Zaçe iku duke lënë pas emrin dhe respektin tek nxënësit e tij jo vetëm
në Përmet por edhe në emigracion.
Iku pa një “Fletë Nderi” apo ndonjë stimul zyrtar kur, për veprën dhe
përkushtimin atdhetar, meriton të shpallet “Nder i Kombit”.
Është kërkuar për ta (dhe për mësimin e gjuhës shqipe në mërgatë) të ketë një
ligj (Kosova e ka) ku ata të njihen zyrtarisht si mësues të gjuhës shqipe në
emigracion, të jenë pjesë e amzës zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të
shpërblehen për punën që bëjnë, të ketë fond të veçantë në buxhetin e shtetit
për ta dhe për mësimin në tërësi të gjuhës shqipe në mërgatë.
Deri sot, tash 18 vjet nga 7 Marsi 2001, mund të mbushim gojën plot dhe të
themi se për ta dhe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë në emigracion nuk është
bërë asgjë përveç përrallave treguar (zënë ngushtë nga ndonjë pyetje) në ndonjë
takim apo në seminare tërësisht të pabarabarta mes mësuesve vullnetarë
shqiptarë në Greqi e gjetkë dhe mësuesve kosovarë që për punën që bëjnë
paguhen, ka ligje specifike për Ta.
Do të desha që pedagogët e Filologjikut të Tiranës t’i shihja jo korridoreve
dhe sallave të leksioneve mbi
grumbuj tavolinash e karrigesh, por në
një ballafaqim me mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në Greqi (dhe më gjerë).
Do të desha të shihnin ku e zhvillojnë mësimin mësuesit vullnetarë dhe sa të
frikësuar janë ata se mos ekstreme të njohura të së djathtës greke u hyjnë një
ditë në klasë e shkatërrojnë pa pikën e përgjegjësisë gjithçka.
Do të desha që të bënin një ballafaqim me ministren e arsimit duke i kërkuar me
këmbëngulje që mes dikastereve përkatëse të lidhej marrëveshje zyrtare që
mësimi i gjuhës shqipe në Greqi e gjetkë të bëhej në klasa plot dritë dhe
mësuesit të jenë ligjërisht të mbrojtur.
Pedagogët dhe studentët në Shqipëri paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, edhe
nga mësuesit vullnetarë të gjuhës shqipe në mërgatë.
Do të desha që t’i njihnin këta “Rilindës
të Kohës Sonë” për t’i futur si shembull të madh atdhetarie në leksionet e
tyre…
Abdurahim Ashiku
Gazetar
Athinë, 21 janar 2019