PD largohet nga konferenca e kryetarëve ku do të diskutohej projektbuxheti

0

Ka nisur me debate mbledhja e Konferencës së Kryetarëve në Kryesinë e Kuvendit, ku do të diskutohej projektbuxheti i vitit të ardhshëm. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj prezantoi draftin përpara deputetëve, por kjo nuk kënaqi aspak opozitën PD-LSI, të cilët akuzuan maxhorancën për lidhje me krimin dhe drogën.

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho ngriti shqetësimin se situata nuk është aspak normale, duke iu referuar çështjes Tahiri. Ai tha se qeveria ka rënë dhe se ajo që mbetet është të dorëhiqet. “S’mund të sillemi si një situatë normale. Qeveria ka rënë, prandaj duhet të dorëhiqet sepse është e lidhur me drogën. Ne nuk bëhemi pjesë e fasadës, nuk marrim pjesë në këtë mbledhje”, u shpreh Spaho, ndërsa pas këtij momenti deputetët demokratë dhe ata të LSI-së lënë Konferencën e Kryetarëve.

Nga ana e tij, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla kërkoi diskutime për rendin e ditës, atë të projektbuxhetit, ndërsa për bojkotin e opozitës tha se janë shqiptarët ata të cilët do ta gjykojnë. “Bojkotoni buxhetin ju por do iu gjykojnë shqiptarët. Më vjen keq për PD që u largua nga salla, nuk më vjen keq për LSI që e ndjek nga pas“, tha Balla. Kundër bojkotit u shpreh edhe kreu i komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe i cili tha se opozita braktisi pensionistët, por atij iu përgjigj, në largim e sipër deputetja e PD Albana Vokshi e cila tha se qeveria i ka mbytur pensionistët me drogë.

Ministri Ahmetaj ka prezantuar pikat kryesore të buxhetit për vitin 2018 dhe shtyllat ku ai mbështet. Ai tha se buxheti për shëndetësinë u rrit me 5.6%, ndërsa paralajmëroi rritje të akcizës për duhanin. “Akciza do rritet 7 lekë për paketë. Kjo është një formë për të mbrojtur shëndetin“, tha ministri i Financave.  Ahmetaj theksoi gjithashtu se 61 mijë subjekte dhe biznese të vogla ngelen jashtë skemës së TVSH-së. “Rreth 11 mijë biznese shtohen në skemën e TVSH. Nuk ka rritje çmimesh dhe as kosto. Jemi të vendosur të luftojmë informalitetin”, tha Ahmetaj. Opozita edhe ditën e djeshme braktisi mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe atë të Sigurisë

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.