Panucci : Kamer Qaka zëvendëson Abrashin

0

Mosrekuperimi në kohë i Amir Abrashit e ka detyruar Panucci-n të thërrasë në vend të tij një të “panjohur”. Kamer Qaka është lojtari më i ri që i bashkohet Kombëtares Shqiptare.

22 vjeçari, ka lindur në Kosovë nga ku emigroi me familjen drejt Norvegjisë kur ishte ende në moshë të mitur. Mesfushori i rritur në Norvegji, aktualisht luan në Ligën 1 të Rumanisë, kategoria elitare e futbollit në shtetin ballkanas me Politehnica Iași, ku është një prej lojtarëve më të rëndësishëm të ekipit, me 15 ndeshje të luajtura deri në këtë pjesë të sezonit, ku në 14 raste ka qenë titullar.

Kamer Qaka u grumbullua me kuqezinjtë nga trajneri Panucci, për të zëvendësuar Amir Abrashin, i cili ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi dhe nuk do të jetë në dispozicion të skuadrës për miqësoren e 13 nëntorit me Turqinë. E ndërsa Abrashi do të vijojë fazën e rehabilitimit te klubi i tij, Freiburg, Qaka do t’i bashkohet Kombëtares në Antalia, me ekipin që ka nisur grumbullimin pasditen e kësaj të hëne. Mesfushori 22-vjeçar e ka nisur karrierën në Norvegji te Valerenga, ndërsa edicionin e kaluar luajti në elitën e futbollit të vendit skandinav me ngjyrat e Kristiansund.

Kamer Qaka ka luajtur edhe me përfaqësueset e 17 dhe 19-vjeçarëve të Norvegjisë, por përfaqësimi i ngjyrave kuqezi duket zgjedhja më natyrale. Lojtari i talentuar i shtohet prurjeve të reja në epokën Panucci, pas mesfushorëve Astrit Ajdareviç, Ylber Ramadani dhe Sabien Lilaj. Ai do të stërvitet për një javë me skuadrën në Antalia, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ai të debutojë për disa minuta në miqësoren me Turqinë.

 

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.