Paloka-Ramës: Fute kriminelët në Parlament, tani zgjidh mes krimit dhe ligjit

0
Paloka-Ramës: Fute kriminelët në Parlament, tani zgjidh mes krimit dhe ligjit

Pas tërheqjes së alarmit për përdorimin e vezëve në seancë, Parlamenti i Shqipërisë ka nisur punimet.

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka, duke prekur çështjen e dekriminalizimit, e ka vënë theksin tek rasti i deputetit Armando Prenga. 

“Rama i solli me shumicë kriminelët në Parlament. Deputeti i tij, Armando Prenga, qëlloi me armë në komisariatin e policisë. Ishte ky deputet që Rama e kishte zgjedhur pikërisht për bëmat e tij, sepse i duheshin votat në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Paloka. 

Ai ka akuzuar kryeministrin Rama se, e futi Prengën në Parlament dhe komisione parlamentare, ku deputeti ka ushtruar dhunë ndaj kolegëve dhe njëkohësisht e shpërbleu me lagunën e Patokut. 

“Ndërsa kur nuk kishte nga t’ia mbante, Rama e detyroi të tërihqej”, ka thënë Paloka. 

Ai e ka konsideruar si absurd kthimin e Prengës pak ditë më parë në punimet e komisionit të sigurisë kombëtare, në një kohë kur pritet të realizohet shkëputja e politikës nga krimi. 

“Kjo është një ditë e rëndësishme. Kjo çështje mbyllet këtu. Ose votohet dekriminalizimi, ose vazhdohet me krimin. Votoni propozimet tona”, ka thënë Paloka duke iu drejtuar kryeministrit dhe deputetëve të mazhorancës.

Më tej, ai ka kërkuar që t’u hiqet mandati deputetëve Kokëdhima, Leskaj e Suli, që sipas tij kanë shkelur Kushtetutën, duke marrë konçesione përmes mandatit. 

Duke marrë menjëherë fjalën, nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj ka vijuar me rendin e ditës, duke anashkaluar kërkesën e opozitës për votimin e akteve nënligjore për dekriminalizimin, veprim ky që ka sjellë dhe reagimin e deputetëve të PD, që janë mbledhur përpara folëses së Parlamentit. 

Deputetja demokrate Jozefina Topalli, duke iu drejtuar kryetares së Kuvendit dhe kryeministrit, i ka akuzuar ata për kriminalizimin e këtij institucioni. 

“Ky parlament është kriminalizuar tërësisht. Nuk është faji i Armando Prengës pse ndodhet aty, por i atij që e futi në Parlament. Le të ulet Armando Prenga në vend të kryeministrit”, ka thënë Topalli. E gjendur në tension, kryetarja Leskaj ka dhënë 5 minuta pushim.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.