Një i “vdekur” në përrua, një mushkë në humnerë dhe “dhuna e lirisë” ’96

0

Në kujtesë të “Votës së lirë dhe të ndershme” të 26 majit 1996

Shënime të gazetarit

Ajo kohë mos ardhtë më. Për ato zgjedhje për Kuvendin e Shqipërisë, zgjedhjet e 26 majit 1996, duhet të flitet e bërtitet. Kjo, sepse gjuha e futur në ezofag të mbyt…
Zgjedhjet e 26 majit i pashë në vorbullën e tyre vrastare më të egër se kurrë.
Dikush, ai që i organizoi dhe i frymëzoi, ngujuar në çadër, thërret gojëshqyer për “zgjedhje të lira”. Nuk ka zot, se po të ketë bubullon e veton e me rrufe shigjeton…
Po përcjell “fletë nga ditari”, shkurt si “tituj shkrimesh” asokohe botuar në faqe gazetash, një dhunë vrastare në Ostren të Bulqizës dhe një zoomasakër në Lunik të Librazhdit.

SHËNIME NË DITAR…

E premte, 10 maj 1996
Kadri Rapi kandidat për deputet i Partisë Socialiste pengohet për të biseduar me zgjedhësit e fshatit Burim në Maqellarë. Partia Socialiste  e rrethit bën denoncim në prokurori.

E shtunë, 11 maj 1996
Dy djem të rinj eurosocialistë, Arben Ismaili dhe Mirush Deda burgosen pse po vinin parulla të fushatës së PS në qytet.

E diele 12 maj 1996
Arben Ismailin e kanë nxjerrë nga burgu kurse Mirush Dedën ia kanë kaluar policisë ushtarake.

E martë 14 maj 1996
“Zëri i popullit” në faqen 10 nën titullin “Human Right Watch raporton” përkthen e boton:
“Abdurahim Ashiku, Zëri i popullit”. Një korrespondent i Zërit të popullit në zonën e Dibrës, zoti Ashiku u rrah keq me shkopinj në zyrën e tij më 22 prill 1993 nga tre vetë. Ashiku kishte shkruar një artikull më 16 prill për një anëtar të ekipit të kontrollit të shtetit që sipas raportimeve shtinë pushkë në një urban, duke plagosur një njeri. Që nga ajo kohë ai thotë se është kërcënuar nga Medat Kaca, shef i ekipit të kontrollit në Dibër.

E mërkurë 15 maj 1996
Flitet se Arben Ismaili është rrahur nga një “polic” i prefektit, nga stafi kriminal i tij.
6 makina IFA ushtarake u dislokuan në mbrëmje para zyrave të PD në bulevard ngarkuar me ndihma elektorale. Citohet se ata janë pjesë e autokolonës…

E shtunë 18 maj 1996
Sa vjen e nervozizmi rritet, nervozizëm i pakufi. Nesër njoftohet se vjen Sali Berisha. Do të ligjërojë mbi “grumbullin e plehrave” të sheshit “Nazmi Rushiti…
Arben Imami  takim në kinema. Dyndje salijugenësh në sallë. Fjalor i pistë rrugësh
Në mesnatë, rreth orës 01.00 dyndje “salijugenësh” nëpër rrugët e qytetit, thirrje histerike për revansh, bori makinash, zhurmë. Peshkopia nën një trusni të paparë ndonjëherë. “Eja mblidhuni këtu…”
Bulevardi i “vdekur” nën pushtimin e targave të huaja dhe pa targa. Zhurmë, fishkëllima, bori, pluhur. Policia me pranga gati!!!

E diele 19 maj 1996
Ka ardhë Sali Berisha, ka ardhë natën, në mesnatë. Pse natën?
Miting i Sali Berishës. Fjalim çapraz i tij përballë salijugenësh të ekzaltuar në kulm.
Koncert i Sali Berishës. E prezantojnë këngëtarët.
Në Sopanikë (!) paska përuruar ujësjellësin, fillimin e punimeve (!) kur 40-50 për qind e punimeve janë kryer në vitet 1988-1989.
Në Maqellarë: “Ata që kanë tokë ta mbjellin grurë e misër. Ata që s’kanë tokë ta mbjellin çfarë të duan.
Kur unë isha mjek më vinin nga Maqellara me sëmundjen e misrit (!)
Në Bulqizë: Ju prezantoj Azem Zhulalin…
Spektakli humoresk “Berisha humor” .

E hënë 20 janar 1996
Ekziston frika e manipulimeve por edhe gatishmëria për t’iu kundërvënë atyre.

E mërkurë 22 maj 1986
Skalioni me mjetet motorike ushtarake në mbështetje të  kandidatit të PD, zëvendësministër i mbrojtjes ndahet në dy familje të fisit Fida. Kandidati Lazimi me shoqëruesit e lartë darkon tek kryetari i PD të fshatit Grevë Ajet Fida. Shoferët dhe shoqëruesit e tjerë ia çuan Eshref Fidës i ardhur nga Italia për mort pas lajmit për zhdukjen më 9 mars të 30 dibranëve të rinj në valët e Otrantos, mes të cilëve ishte edhe djali i tij.
Ndërsa udhëheqja e lartë ngrinte dolli për Sali Berishën dhe sukseset e PD, shoferët dhe shoqëruesit pasi u bënë tapë i zoti i shtëpisë (komunist i vitit 1992) i ngre në këmbë dhe i detyron të ngrenë dolli për Enver Hoxhën dhe të këndojnë këngën “Enver Hoxha tungjatjeta”.

E enjte 23 maj 1996
Bllokadë totale ndaj materialeve propagandistike të PS. Përpara degës së brendshme pankarta të grisura nga policët.
Eurosocialistët të frikësuar nga dhuna.

E diele 26 maj 1996
Votova i dyti pas Abas Kacës. Votova për PS, kundër diktaturës berishiane, për demokracinë, për popullin, për të ardhmen e fëmijëve, për gjithçka të mirë e të bukur që hap demokracia e vërtetë, demokracia e njohur e grekëve të lashtë, ëndrra e tyre.
Qendra e votimit nr.3 pa çati, e shkatërruar.
Terror masiv. Në Bllice votim i hapur. Bajram Krrashi arrestohet. Medat Kodra me trimat ka bllokuar hyrjen e qendrës së votimit nr.3. Një trim i tij më kërcënon (shih foton) e më shan, më ndjek me gurë. Në Brezhdan terror. PD-ja në sulm për vota terrori.
Terrorit PS dhe partitë e tjera i përgjigjen me bojkotim zgjedhjesh 4 orë para hapjes së kutive të votimit.
Opozita nuk e pranon diktaturën e PD-së.
…………………

 

NJË I “VDEKUR” NË PËRROIN E OSTRENIT
E premte, 24 maj 1996

Një grup njerëzish me Azem Hajdarin në krye kanë goditur për vdekje Muharrem Kolën (kryetar i Partisë Socialiste të rrethit të Bulqizës) dhe e kanë hedhur në një përrua në Ostren. E kanë gjetur fshatarët dhe e kanë dërguar në shtëpi nga ora 12.30 e natës. Në orën 2 ka ardhur policia të hyjë në shtëpi. Në orën 7 e kanë marrë me forcë dhe e kanë futur në burg. Ferit Dukën, kryetar i Konfederatës së Minatorëve, e kanë rrahur barbarisht në mes të Bulqizës.

Detashmentet kriminale të Partisë Demokratike nuk njohën kufi dhune dhe reprezaljesh. E hodhën si të vdekur Muharrem Kolën. Nuk u mjaftuan me linçimin mesjetar. I shkuan në shtëpi në mesnatë duke tronditur familjen dhe fqinjët. E morën zvarrë si të mos ishte njeri. I vunë prangat në duart e gjakosura. E hodhën në çimenton e ftohtë të burgut pa i dhënë as ndihmën elementare mjekësore.
Si i përgjigjet kërkesës time në adresën e tij Izet Haxhia, dëshmitari i drejtpërdrejtë i asaj kohe, tashmë në kampin e të vërtetave si i shikon ai atë kohe?

Unë: Ju me siguri atëherë do ta keni dëgjuar rastin e masakrimit të kryetarit të PS të Bulqizës, gjetjen pa ndjenja nga fshatarët e Ostrenit në përrua, arrestimit dhe burgosjes në Bulqizë. Ka qenë rasti më makabër i atyre zgjedhjeve.
Izeti: Po kam dëgjuar. Vepër e Azemit dhe atyre të SHIK-ut. Partia Demokratike i dha Azemit zonën më të vështirë ngaqë donte që të humbiste dhe Azemi përdori gjitha mënyrat mafioze për të fituar që nga rrahjet e kamionët me grurë.

NJË MUSHKË “FLUTURON” MBI HUMNERËN E LUNIKUT

 

Ai ishte komisionar i Partisë Demokratike në një nga fshatrat e thella të Librazhdit, vendlindja e tij. E donte dhe betohej për partinë e vet, siç e quante. Në mesditën e 26 janarit i lajmëruan që të ngarkojnë kutitë e votimit mbi mushkë dhe të udhëtojnë për në Librazhd. Votimi kishte mbaruar dhe Partia Demokratike në lajmet radiofonike dhe televizive të pasdites kishte shpallur fitoren.
U nisën. Në gjysmë të rrugës lajmëruan se nuk ka nevojë ti sillnin kutitë e votimit. Fitorja ishte siguruar një qind për qind. Ndaj kthehuni në shtëpi.
“Po me mushkën çfarë të bëjmë?” pyetën. “Hidheni në përrua së bashku me kutitë se e paguaj unë”.
Komisionarët e tërhoqën mushkën në cep të rrugës, aty ku  humnera ishte më e thellë. I vunë duart ndër vithe dhe një të shtyrë dhe mushka fluturoi thellësive të Lunikut…
Atë ditë ai iku për të mos e kthyer kokën kurrë nga “partia e vet”. Për të tash e tutje ajo ishte bërë parti e huaj, parti e krimit në tërë përmasat e veta, mbi njerëz të pafajshëm e mbi qenie të gjalla.
Atë ditë ai vendosi të ikte. Kishte mbaruar studimet e larta për kimi. Druhej të futej në klasë e tu fliste nxënësve duke i parë në sy. Kokulur mori rrugën pa kthim të kurbetit.
Ka 21 vjet në Greqi. Është martuar, ka një djalë dhe një vajzë, ka marrë nënshtetësi greke.
Ndonjëherë kur pimë kafe bashkë ia kujtoj “fluturimin e mushkës në humnerë”.
“Mos ma kujto”-më thotë. “Më dhemb. Më vjen turp”…
Ngryset dhe për ndonjë minutë, deri sa ndërroj temë, nuk flet.

 

Abdurahim Ashiku

Athinë 11 mars 2017

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.