NJË PARTI PA “ZË” E PA “LAPS” NË 25 VJETOR

0

Shënime të një gazetari

Aktualisht në zë e në germë, Partia Socialiste në përvjetorin e 25-të të ditëlindjes së saj, vjen si qyqe, zogu që në biologjinë e vet nuk ndërton fole, i vendos vezët në foletë e zogjve të tjerë të cilët i ngrohin, i çelin duke humbur pjellën e tyre e duke ushqyer zogjtë e qyqes. Ajo nuk ka organ të saj ku të përcjellë zërin e vet në tinguj e në germë. I mbetet vetëm, si qyqja, ta përcjellë në fole zogjsh të tjerë duke harruar se ata janë zgjuar dhe i hedhin vezët e saj para se të çelin.

Një parti pa zë e pa laps në përvjetorin e njëzet e pestë të krijimit të saj, ose më saktë të lindjes nga “mitra e përgjakur” e Partisë së Punës, fëmija i fundit i dalë nga mitra e saj. Më parë kishin dalë të tjerë simotra shpërndarë me sprucim djathtas e majtas, në qendër e në periferi. Ajo do të ishte motra më e vogël…
Partia e Punës e Shqipërisë shndërrohet kështu në “nënën politike” unikale në lindje e perëndim në ish vendet komuniste dhe kapitaliste.
Fëmijës së vogël me kanun i takon shtëpia e prindërve dhe të gjithë reliktet që lidhen me ta. Edhe “fëmija i ri politik” do të merrte me kanun e mbi kanun gjithçka nga prona e PPSH-së. Do të merrte godinat, makinat, mjetet teknike dhe “lapsin”.
Një pjesë të pasurisë do t’ia merrnin e do ta shpërndanin ndër partitë e tjera, godinat t’i bënin universitete e qendra të ndryshme publike, por atë që nuk do ta lëshonte ishte gazeta “Zëri i popullit”, gazeta më e vjetër shqiptare, gazetë e lindur në luftë dhe e botuar mes plumbave të okupatorit. Nuk e lëshoi edhe për një arsye të thjeshtë: asnjëra nga partitë (përjashtuar partinë komuniste) nuk e lakmonte.
Me infrastrukturë të plotë, me zyra, shtypshkronjë e mbi të gjitha me një staf profesional nga më të lartët e të përkushtuarit për kohën, partia socialiste ishte një hap para partive të tjera, hap që do ta shfrytëzonte si në zgjedhjet e 31 marsit 1991 po ashtu edhe përpara e pas zgjedhje të njohura për dhunë dhe manipulim flagrant të 26 majit 1996.
Gazetarët ishin vija e parë e mbrojtjes dhe e sulmit të partisë socialiste. Ata do të provonin shkopinjtë e gomës, rrahjet dhe reprezaljet, burgimin dhe përndjekjen individuale dhe familjare.
Nuk ka gazetar të “Zërit të popullit” që në periudhën 1991-1997 të mos jetë dhunuar, përgjakur, burgosur, syrgjynosur.
Personalisht, si gazetar i “Zërit të popullit”  deri në korrik 1996 kur u detyrova të largohem nga atdheu për ti shpëtuar linçimit fizik dhe ndonjë tragjedie të paralajmëruar familjare, kam pas deklaruar se “mos qofsha gazetar i “Zërit të popullit” kur në pushtet do të vinte partia socialiste”. E kam thënë këtë sepse njerëzit që kisha pranë nuk e kishin mendjen tek interesat e popullit, tek problemet që përjetonte ai në procesin e shkatërrimit fizik të gjithçkaje të krijuar me djersë e me gjak e që i kishte prerë me thikë burimet e punës dhe të ardhurave për tu hedhë mbi shpinë thesin me plaçka për një udhëtim pa kthim jashtë vendit dhe migrimit të dhimbshëm brenda vendit. Synimi i tyre ishte ti shtonin ndonjë diplomë të kamur profesionit të tyre të dalë jashtë mode apo të zinin ndonjë karrige deri në aulën e kuvendit apo në strukturat qeverisëse që erdhën më pas.
Tetë vjet në pushtet partia socialiste nuk arriti të mbajë në këmbë zërin e vet të shkruar, gazetën e vet. Kryeredaktorët që erdhën njeri pas tjetrit do ta linin në mes të katër rrugëve. Kryeministrat dhe kryetarët e partisë socialiste që erdhën që nga Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko e përsëri Fatos Nano e shuan zërin e vetëm të partisë  të tyre deri në shkallën që ajo, për të paguar pagat mjerane të redaktorëve të paktë që kishin mbetur dha me qira tërë zyrat që i ishin dhënë si trashëgim nga e kaluara.
Në vitin 2005, pas rënies së Fatos Nanos dhe ringjitjes në skenë të Sali Berishës, në medien e shkruar u shpërnda një thirrje lëmoshe për të ndihmuar gazetën “Zëri i popullit” nga njeri prej gazetarëve më luftarakë të saj Hamdi Jupe. Asokohe thirrjen e tij e botova në një gazetë të vogël në emigracion, sigurisht me dhimbjen qytetare për një zë që po i merrej goja dhe fryma.
Në tetë vjet qeverisje partia socialiste nuk kishte qenë në gjendje të mbante me reklama e me donacione të tjera zërin e vet të përveçëm.
Kryetari Rama që erdhi fill pas kryetarit Nano do ti vente kazmën përfundimtare duke e lënë pa zë e pa germë organin e vet.
Kryeredaktorët që erdhën pas vitit 1997…Luan Rama, Erion Braçe, Aldrin Dalipi… e harruan gazetën e partisë në kërkim të vendeve të rehatshme në gjirin e saj.
I fundit, Aldrin Dalipi, hodhi lopatën mortore me baltë mbi varrin e parapërgatitur të gazetës së partisë socialiste…
Aktualisht në zë e në germë, Partia Socialiste në përvjetorin e 25-të të ditëlindjes së saj, vjen si qyqe, zogu që në biologjinë e vet nuk ndërton fole, i vendos vezët në foletë e zogjve të tjerë të cilët i ngrohin, i çelin duke humbur pjellën e tyre e duke ushqyer zogjtë e qyqes. Ajo nuk ka organ të saj ku të përcjellë zërin e vet në tinguj e në germë. I mbetet vetëm, si qyqja, ta përcjellë në fole zogjsh të tjerë duke harruar se ata janë zgjuar dhe i hedhin vezët e saj para se të çelin.
Në të gjithë Shqipërinë kanë shpërthyer festimet për përvjetorin e 25-të të Partisë Socialiste, drekat e darkat, daljet euforike në mjetet pamore, të shkruara e në ato online, brenda e jashtë vendit.
Si gazetar i Zërit të popullit u uroj të jenë të gëzuar, të shëndetshëm, vetë dhe familjet…
Uroj që mbi supe të kenë “kokë” me “ZË” e me “LAPS”

Abdurahim Ashiku

Athinë,13 qershor 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.