Një letër që desha të më vijë nga vendi im ?!

0

Ftesë për në Shkollën Verore për fëmijët e Diasporës në Kosovë.

E kam pritur që një ditë, një ftesë si kjo, të më vijë nga vendi im, nga Ministria ime e Arsimit, tash njëzet vjet në mërgim, më saktë tash pesëmbëdhjetë vjet nga dita kur një grup “rilindësish çudi”, guxuan dhe hapën një kurs për tu mësuar fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë në Selanik si të shkruajnë, lexojnë dhe këndojnë në gjuhën e mëmës Shqipëri.
Nuk më ka ardhur as mua dhe as rreth 60 mësuesve që u mësojnë vullnetarisht fëmijëve të emigrantëve shqiptarë gjuhën shqipe në kurse apo shkolla (si të doni quajini) që nga Kallabaka në Veri të Greqisë e deri në Arta e ishujt e Egjeut.
Edhe këtë vit, si gjithë vitet e tjera, që kur Kosova u bë Republika më e re në botë, që kur atje menjëherë u krijuan institucione zyrtare si Ministria e Arsimit dhe Teknologjisë dhe Ministria e Diasporës, që kur me ligj të veçantë u vendos që fëmijët kosovarë në diasporë të mbështeten profesionalisht me mësues legjitimë, financiarisht me ligj Kuvendi për shpenzimet përkatëse, moralisht me ndjekjen së afërmi të çdo veprimtarie dhe së fundi me organizimin vit për vit të Muajit të Diasporës ku mblidhen fëmijët e mërgimtarëve në kampe pushimi e shëtisin anë e kënd Kosovës për tu njohur me vendlindjen.
E kam pritur që të njëjtën gjë të bënte edhe Ministria jonë e Arsimit (ministri diaspore nuk ka !)
Nuk e ka bërë dhe nga përvoja pesëmbëdhjetë vjeçare as do ta bëjë ndonjëherë, thjesht se në mbështetje të Kushtetutës (neni 8 dhe 57- citojmë:

Neni 8
1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.
3. Republika e Shqipërisë  u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Neni 57
1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.)
nuk ka një ligj kuvendar me të njëjtat fjalë e fjali si e ka Kosova.
Dhe kur  nuk ka ligj nuk ka si të ketë as interes, as mbrojtje të të drejtave kombëtare dhe as të drejtën për arsim në gjuhën shqipe në diasporë.
Dhe këtu nuk flitet për një minoritet të shkëputur por  për një popullsi që në numër është sa një e treta e Shqipërisë Londineze e për kontribute financiare është më shumë se gjysma e saj, një popullsi me nënshtetësi shqiptare.
Por le ta lëmë shtetin dhe shtetarët tonë “në vetminë e vet”  siç thoshte Migjeni.
Le të hedhim vështrimin në letrën që më erdhi (si çdo vit) nga Kosova e që u ka shkuar edhe mësuesve shqiptarë në Greqi…

*           *          *

I nderuar z. Abdurahim Ashiku,

Fillimisht, më lejoni t’ju falënderoj përzemërsisht për kontributin tuaj të dhënë për arsimimin e fëmijëve tanë në diasporë.

Pasi që ju jeni gjithmonë në kontakt me të rinjtë shqiptarë në diasporë, ne kishim dashur të ju njoftojmë për iniciativën e ndërmarrë nga Instituti EdGuard në bashkëpunim me Ministrinë e Diasporës dhe Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) për të organizuar Shkollën Verore për fëmijët e Diasporës.

Shkolla Verore është një mundësi e jashtëzakonshme që të rinjtë nga diaspora të mblidhen së bashku nga vende të ndryshme të botës për të shkëmbyer eksperiencat e tyre si dhe të mësojnë për Gjuhën, Historinë dhe Trashëgiminë Kulturore Shqiptare.

Shkolla Verore do të fillojë me datën 31 Korrik 2016 dhe do të përfundojë me datën 08 Gusht 2016 që do të thotë do të zgjasë 10 ditë gjithsej.

Duke konsideruar se pjesëmarrësit duhet të qëndrojnë nën përkujdesjen tonë të plotë kemi mundësuar që akomodimi i tyre të bëhet në konviktin e ndërtuar rishtazi të Universitetit të Prishtinës. Ky konvikt pas inspektimit të vëmendshëm është vërtetuar se i plotëson të gjitha kushtet e një konvikti modern.

Në këtë shkollë mund të marrin pjesë të gjithë fëmijët prej moshës 12 deri 16 vjeçare, ku, 20% e fëmijëve duhen të jenë nga Kosova dhe 80% e tyre nga Diaspora.

Të gjitha shpenzimet janë të mbuluara nga organizatorët dhe si rrjedhojë pjesëmarrësit nuk do t’i nënshtrohen asnjë lloj pagese.

Shpenzimet mbulojnë :

Ligjëratat – Shpenzimet e ushqimit (3 herë në ditë)

Shpenzimet e udhëtimit nëpër lokacione kulturore/ historike

Akomodimi për 10 ditë të kohëzgjatjes së shkollës verore

Të gjitha shpenzimet për hyrje në galeri, muze, apo vendet tjera që do ti vizitojmë

Si dhe transporti bashkë me një fjetje në Shqipëri

Shkolla Verore për Diasporën do të mbledhë 40 të rinj shqiptarë të moshave 12 deri në 16 vjeçare, që jetojnë në vende të ndryshme të botës për të mësuar duke u argëtuar e duke vizituar vendet më të bukura dhe të rëndësishme të kulturës dhe trashëgimisë së të parëve tanë, në gjithë Kosovën dhe Shqipërinë.
Pjesëmarrësit për 10 ditë do të mësojnë bazat e trashëgimisë shqiptare nëpërmjet ligjëratave për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Histori, Gjeografi, Art, Kulturë Muzikore dhe Trashëgimi Kulturore Shqiptare. Përveç tjerash do të mësojnë për Lidhjen e Prizrenit, Pavarësinë e Shqipërisë, dhe Pavarësinë e Kosovës.
Një shkollë verore 10-ditore për të rinjtë e diasporës, nga 31 korriku deri më 8 gusht,  do të bëjë bashkë 40 të rinj shqiptarë të moshave 12-16 vjeç që jetojnë në vende të ndryshme të botës për të mësuar bazat e trashëgimisë shqiptare përmes ligjëratave për Gjuhën dhe Letërsinë Shqipe, Historinë, Gjeografinë, Artin dhe Kulturën Shqiptare.
Në rast se ndonjëri nga nxënësit tuaj shpreh interesim për të marr pjesë në këtë shkollë verore, ju lutemi që ti udhëzoni të na kontaktojë në kontaktet e mëposhtme qoftë në faqen zyrtare të Facebook-ut e po  ashtu edhe në e-mail dhe në telefon…

*           *           *

Unë në Greqi nuk jam mësues, jam gazetar që prej shumë vitesh kam ndjekur ecurinë e mësimit të gjuhës shqipe në Greqi dhe më gjerë  nëpërmjet shtrimit të problemeve në shtypin në mërgim dhe në shtypin e Tiranës si dhe me botimin e tre librave të serisë publicistike “Rilindësit e kohës sonë” si dhe të një filmi dokumentar për një mësuese që kapërcen detin për tu mësuar fëmijëve në dy ishuj të Egjeut gjuhën shqipe.
Kosova, gjatë këtyre 6-7 viteve të fundit ka ftuar në veprimtaritë verore një numër të madh fëmijësh nga Greqia, fëmijë që janë pritur, ushqyer, mësuar dhe janë shëtitur dhe kanë njohur vende të shumta të Kosovës me shpenzime të plota të Republikës më të re në botë.
Këtë gjë duhet ta kishte bërë vendi i lindjes të fëmijëve që mësojnë të shkruajnë e lexojnë gjuhën shqipe, Shqipëria.
Fatkeqësisht nuk e ka bërë.
Kuvendi i Shqipërisë, strukturat e dala prej tij si Kryetari i Kuvendit, Presidenti i Shqipërisë, Kryeministri, Avokati i Popullit, Ministria e Arsimit dhe Sporteve etj. janë tërësisht të heshtur ndaj mërgimtarëve të vegjël që si rezultat i saj po asimilohen me shpejtësi të madhe.
Shumë mësues që kanë shkuar me ftesë të Ministrisë së Arsimit dhe Teknologjisë, Ministrisë së Diasporës dhe institucioneve të tjera kosovare janë ndjerë të privilegjuar dhe me përkulje i kanë falënderuar ato.
Ata kanë mësuar shumë nga Kosova ndërkohë që nga Shqipëria, përjashtuar udhëtimit “memec” nëpër Rrugën e Kombit, e kanë ndjerë veten jetimë.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 1 korrik 2016

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.