NJË GJETHE NGA PELINI I IKJES SË MADHE… 

0

Nga libri “Rrëfimet e komshiut”

Komshiu im, mbrëmjeve kur herë pas here na qëllon përpara ndonjë pikë raki Shqipërie, e hap pak thesin e kujtimeve të tij dhe nis të nxjerrë fragmente të floririt apo të pelinit të jetës në emigracion, fragmente që më bëjnë të mendohem gjerë e gjatë e nganjëherë më ngacmojnë ti fus në kompjuter “për çdo rast”.

Sot, nga tregimet e tij, kam marrë pak gjethe nga pelini i jetës së emigrantit, nga ato gjethe tepër të hidhura të jetës që kush nuk i përtypi kur lodhja, uria por edhe frika për momentin dhe të ardhmen ia helmon shpirtin. Fjala është për prologun e dramës dhe tragjedisë sonë, hapat e parë drejt një toke, vendi, gjuhe e një jete të panjohur.

Ai ka udhëtuar shtatë herë më këmbë nëpër malet e Greqisë, tre herë është kthyer dhe të katërtën ka arritur të bëjë rrënjë, të ketë një punë ndonëse larg dijeve intelektuale e aftësive profesionale të tij, të formojë familje të ketë edhe një djalë shtatë vjeç, pret një vajzë…

Nga të shtatë udhëtimet e tij të lodhshme maleve si më të hidhurin ai veçon të dytin…

* * *

… Ishte nëntori i vitit 1992, e nis tregimin ai, si  ti tregonte djalit të tij një përrallë nga ato që gjyshja e tij i kishte treguar kur jetonte në një fshat të thellë të Librazhdit.

… Dimri sapo kishte hedhë mbi male jorganin e bardhë të borës. Vonë pasdite lamë Përmetin dhe u futëm në Çarçovë. Bora që nisi  të ngjisë mbi xhupat e vjetër ishte shenja e parë se do të na duhej të përballonim vështirësi të mëdha. Udhëtoja vet i katërti. Tre bashkudhëtarët e mi ishin më të rinj, më të fortë e dukej se u përballonin mirë vështirësive të rrugës.

Mesnatën, orën dymbëdhjetë, që siç na kishin thënë se ishte ora më e përshtatshme për kalimin e kufirit, e pritëm të strukur nën një gëmushë në buzë të Vjosës.

Hoqëm pantallonat dhe me çantën me pak bukë e djathë u futëm në ujin e ftohtë. Bëmë hapa nëpër guralecët e lëmuar të lumit dhe në një moment  uji na u ngjit në mjekër. Kujdeseshim që mos humbnim ekuilibrin dhe na merrte rryma. Pas dhjetë minutash zhytur në ujë e pamë veten në anën tjetër të lumit. U veshëm shpejt e shpejt dhe iu vumë së përpjetës së maleve. Vijën kufitare e kaluam në qetësi po ashtu edhe të përpjetën e parë malore. Në të gdhirë ishim mbi malet e Konicës. Sa më lart ngjiteshim aq më e dendur bëhej bora dhe aq më e vështirë bëhej çarja e saj. Udhërrëfyesi na kishte thënë se do të bëjmë gjashtë ditë rrugë…

Vazhduam të çanim borën e të lëmë pas vragën e gjatë të pikave të gjakut që rridhte nga këmbët tona. Pasdite, për fat,  bora pushoi e këmbët takuan në tokë të zezë. Ecnim dhe vetëm ecnim. Netët i kalonim në ndonjë strehë natyrore, nën ndonjë gëmushë pylli apo nën ndonjë zgavër shkëmbi. Që ti shpëtonim të ftohtit futeshim këmbë e kokë në ca thasë plastikë plehrash kimikë. Tek futesha në thes mu kujtua një fragment nga një roman që sot as emrin e tij e as atë të autorit nuk e mbaj mend.

Dialogu midis dy njerëzve në udhëtim të vështirë si ky yni ishte:

  • Çfarë ke shtruar poshtë ?
  • Thes.
  • Me se je mbuluar ?
  • Me thes.
  • Çfarë ke vënë nën kokë për jastëk ?
  • Thes.
  • Po ku i gjete gjithë këto thasë ?
  • Jam futur në thes.

E treguam e ritreguam këtë fragment jete sa herë binim të flemë e sa herë zgjoheshim. Humori ishte ushqimi ynë që na çlodhte e na e mbante shpirtin nën dhëmbë.

Për tetë ditë ecëm e ecëm sa këmbët na rridhnin gjak e barku, nga të pangrënët, na u bë një me kurrizin. Ditën e pestë na u mbarua ajo pak bukë që të thyente dhëmbët nga që koha dhe të ftohtit e kishin gurosur. Mbaheshim vetëm me kafe e sheqer të cilat na i kishin rekomanduar ti kishim për çdo rast.

Në ditën e tetë arritëm në një vend ku shpresat na thoshin se mund të gjenim ndonjë mjet e ta vijonim rrugën kaluar duke çlodhur paksa trupin e duke i dhënë diçka të bluaj stomakut.

Ndezëm një zjarr dhe nisëm të shkrijmë këmbët e të thajmë teshat që na ishin ngjitur për trupi nga djersa. Në mbrëmje zumë një qoshe të rrugës. Taksixhinjtë na shikonin e nuk ndaleshin. Frika e blloqeve policore që kishin mbirë gjatë rrugës i trembte…

Nga mesnata një Opel i kuq ndaloi para nesh dhe shoferi, pa e nxjerr kokën jashtë, na pyeti se  për ku jemi nisur. I treguam drejtimin e Athinës. Na kërkoi njëqindmijë dhrahmi për të na çuar në vend. I thamë se paratë do t’ia jepnim kur të arrinim në Athinë. Na kërkoi tridhjetëmijë dhrahmi paradhënie. Lodhja dhe uria  na detyruan që t’i jepnim kaparin që kërkoi. Pas një ore udhëtimi na tha se do të kthehej në fshat për t’i hedhur benzinë makinës. Detyrimin për të zbritur e argumentoi me  praninë e policisë në benzinatë dhe rrezikun që na kanoste  po të na diktonin. I besuam dhe zbritëm…

Pritëm e pritëm por ai nuk erdhi. Ligësia mori me vete jo vetëm të tridhjetëmijë dhrahmitë por edhe çantat tona në bagazhin e makinës. Përjetuam të vjedhurit, një lloj të vjedhuri që shkakton plagë që nuk mjekohen. Mbetëm në mes të katër rrugëve, të uritur, pa para, pa rroba. Më e keqja ishte se nuk dinim se ku ishim. Gjetëm një qosh strehimi në pritje të dritës së ditës. Kur gdhiu pyetëm se ku ishim dhe mësuam se kishim udhëtuar me taksistin hajdut vetëm 15 kilometra. Shkuam në fshatin më të afërt me shpresë se dikush do të gjendej të na jepte një copë bukë e ndonjë zhele për të ecur më tej. Takuam një shqiptar që na dha me ngrënë e me pi dhe në mbrëmje na futi në një taksi. Nuk kishim bërë as edhe një orë rrugë kur ia behu policia. Taksisti, i frikësuar na tha që të hidhemi për t’i shpëtuar ndjekjes së dyfishtë të dhunës policore. Ashtu bëmë. Për fat të keq dy shokë të rrugës së mundimshme u kapën. Unë dhe shoku tjetër shpëtuam nga policia por nuk shpëtuam nga  mëdyshja brejtëse e çdo udhëtari që rruga i bie nëpër terrin që vjen nga natyra dhe njeriu: Ku jemi, ku po shkojmë dhe si do të shkojmë? Forcat, energjitë, durimi ishin në rezonancë, një pendë zogu duhej që të këputeshin. Ishim të pamundur për të bërë përpara. Gjetëm një vend në pyll, shtruam poshtë e hodhëm sipër gjethe (u futëm në gjethe, si do të thoshim për të mundur me humor kapitjen dhe urinë) dhe na këputi gjumi në një det ëndrrash pa shpresë. Në fshatin e parë që na doli përpara thyem krenarinë dhe iu drejtuam një furre për të lypur bukë. Nuk na e kursyen as bukën e ngrohtë e as djathin e bardhë. Mbushëm barkun dhe vazhduam rrugën pa ditë se ku do të shkonim. Diku takuam shinat e një rruge të hekurt dhe vijuam t’i ndjekim. Ecëm dhe ecëm derisa na doli përpara një fytyrë shqiptare. I treguam hallin dhe i lypëm ndihmë. Boshatisi xhepat duke i nxjerrë astarët jashtë dhe na dha njëmijë dhrahmi, të vetmet para që iu ndodhën. Na tha që të merrnim trenin. Ashtu bëmë. Por frika nga policia na kishte hyrë në palcë e ishte bërë më e rrezikshme se gripi i shpendëve që sot ka vënë në alarm tërë globin. Anglishtja ime e lehtësoi komunikimin me faturisten e trenit. Paratë nuk na mjaftonin, na çonin deri në stacionin e Aljatos. Na dha biletat dhe na tha se me to të shkonim deri në Thiva. Falënderimit tonë iu përgjigj me nga një kuorasan dhe nga një coca-cola për secilin…

*  **

Zbritëm në Thiva. Këmbët më ishin ënjtur, trupi më ishte drobitur. Nuk më dhembnin vetëm këmbët e trupi por edhe shpirti. Për katër ditë sa qëndrova në një gëmushë pylli  më dukej sikur i kisha vënë vetes vizë. Te pestën ditë dola për të kërkuar punë. Tek një kishë më ofruan të pastroj mjedisin rreth e qark saj. Nuk kishte kaluar as edhe një orë nga dita e punës kur ia behu një polic. M’u këputën krahët dhe m’u thanë shpresat…

Pesë ditë e pesë net në burg, pa ngrënë e pa pirë ishin vijim i kalvarit të atij udhëtimi rraskapitës.

Ditën e pestë më përplasën brenda një autobusi të zi të tejmbushur me hallexhinj si unë…

Na shkarkuan si thasë me kashtë në Kakavijë…

Abdurahim Ashiku

rrefimet

Share.

About Author

Leave A Reply