Nis pelegrinazhi i myslimanëve në Mekë

0

Në Arabinë Saudite, të paktën 1.7 milionë myslimanë filluan të mërkurën Haxhillëkun, pelegrinazhin vjetor në Mekë, vendi i shenjtë i Islamit.

Në pelegrinazhin e këtij viti kanë ardhur dhe myslimanë shiitë nga Irani, të cilët bojkotuan haxhillëkun e vitit të kaluar, pas ngjarjeve tragjike të vitin 2015.

Më shumë se 100 mijë punonjës të sigurisë janë mobilizuar këtë vit, me qëllimin për të shmangur një tragjedi të ngjashme me atë të vitit 2015, gjatë së cilës u vranë rreth 2,300 persona. Vetëm Irani raportoi 464 vdekje, numri më i lartë i vdekjeve i shkaktuar tek shtetasit e huaj.

Haxhillëku i këtij viti ndodh në një periudhë përçarjeje diplomatike mes një grupi vendesh arabe dhe Katarit, që akuzojnë këtë të fundit për mbështetje të terrorizmit. Javë përpara fillimit të Haxhillëkut Arabia Saudite i lehtësoi kufizimet për hyrje në këtë vend që nga 5 qershori, por Katari pohon se vetëm disa dhjetra shtetas të tij arritën t’i bashkohen pelegrinazhit.

Gjatë Haxhillëkut, myslimanët e përkushtuar kryejnë një varg ritualesh fetare, përfshirë ecjen në drejtimin e kundërt me akrepat e orës rreth Qabesë, struktura në formë kubike në qendër të Xhamisë së Madhe të Mekës, që myslimanët besojnë se është vendi ku Profeti Abraham ndërtoi tempullin e tij të parë. Ata gjithashtu pinë uji nga pusi Zamzam, që besohet të ketë cilësi kuruese si dhe hedhin gurë në mënyrë simbolike ndaj djallit.

Haxhillëku është një detyrim fetar që u kërkohet të gjithë myslimanëve ta kryejnë, të paktën një herë në jetën e tyre. /VOA

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.