Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë Tahirin

0

Ngjarja e Elbasanit ngre disa pikëpyetje të forta dhe që vënë në pozitë të vështirë, pikë së pari policinë. Ajo vërtet publikoi lajmin, por në deklaratën për shtyp ajo nuk flet për dy dokumentet e ish-ministrit të Brendshëm.

Gjithashtu, nëse është e vërtetë se policët kanë numëruar paratë, duke shtuar gjurmët, kjo do të thotë minimalisht prishje e provave.

Me qëllim apo jo, këtë duhet ta verifikojë Prokuroria. E treta, përse Policia ka ndaluar personin në fjalë? A ka pasur të dhëna apo ka qenë rastësore? Nëse ka pasur të dhëna dhe sërish kryhen veprimet gabim, kjo e rëndon edhe më shumë punën e policisë.

Sigurisht që kjo ngjarje ka edhe pasoja politike. Kjo ndihet në faktin që ky erdhi si denoncim politik nga opozita, së cilës i besoi qytetari për të dhënë informacionin. Por jo vetëm kaq.

Kur ende nuk ishte mbyllur zhurma politike e dosjes “Habilaj”, duke se ky kapitull i ri ku përmendet ish-ministri i Brendshëm vë në pozitë jokomode mazhorancën.

Së pari për mënyrën sesi policia menaxhoi ngjarjen, ajo lë perceptimin se mund të ketë qenë nën një trysni politike. E nëse në rastin “Habilaj” mazhoranca mund të argumentonte se bëhej fjalë për të shkuarën, rasti i Elbasanit implikon të tashmen, kur zoti Tahiri është prej javësh person nën hetim dhe mazhoranca formalisht u distancua prej tij.

Së dyti, nëse në rastin “Habilaj” të dhënat ndaj Tahirit janë deri tani të debatueshme, prania e dokumenteve personale të ish-ministrit të Brendshëm në makinën e një personi që kapet me 800 mijë euro të padeklaruara, dhe që në biznesin e tij ka vetëm rindërtim komisariatesh, i bën këto të dhëna shumë më shqetësuese sesa ato në rastin “Habilaj”.

Policia e Shtetit ka reaguar pas deklaratave të Partisë Demokratike mbi arrestimin e Orest Sotës.

“Rishprehim keqardhjen për akuzat politike mbi ndalimin e Orest Sotës. Pretendimet e opozitës janë spekullime politike dhe nuk kanë lidhje me të vërtetën”, shprehet policia.

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një dalje para mediave tha se “të dhënat e komunikatës së Policisë së Elbasanit në lidhje me arrestimin e Orest Sotës, u fshehën me urdhër të Edi Ramës”.

“Policia e Elbasanit ka ndaluar me 1 nëntor 25-vjeçarin Orest Sota, i cili kishte në makinë 863 mijë euro dhe dy leje drejtimi për anije 20 dhe 100 ton të Saimir Tahirit. Me urdhër të Edi Ramës këto të dhëna u fshehën në komunikatën e policisë. Vetëm pas tre ditësh dhe pas denoncimit të kryetarit të opozitës, policia u detyrua të pranojë publikisht shumën prej 863 mijë euro, bashkë me dy patentat e lundrimit të Saimir Tahirit”, tha Alibeaj.

“Të kujt janë 863 mijë euro? Pse Edi Rama, Fatmir Xhafa dhe Haki Çako urdhëruan policinë t’i fshehë të dhënat nga komunikata? Të gjitha rrethanat tregojnë se këto para i përkasin të njëjtin person që i përkasin edhe patentat e lundrimit. Janë të Saimir Tahirit. 863 mijë eurot dhe patentat e lundrimit, janë pikërisht provat që kërkon drejtësia që faktojnë impilikimin në trafik droge të Sajmir Tahirit. Ja pse Edi Rama e mbron Tahirin nga arrestimi, me anë të imunitet parlamentar. Sepse Edi Rama ka marrë përsipër t’i zhdukë këto prova sipas paktit Rama-Tahiri: Saimir Tahiri të mos arrestohet, me kusht që të mos flasë e të mos i marrë me vete të gjithë, me kryeministër, ministra, drejtorë policie etj”, shtoi Alibeaj.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.