Nga cikli: “Takim me arvanitë”

0

BRENGA DHE ËNDRRA E LAM QEFALAJT

Ne ishim ulur dhe po prisnim kafenë. Shpëtim Hyka, komshiu im i cili ishte bërë sebep i këtij udhëtimi, ma mori dhe ma hodhi vështrimin dhe vëmendjen bregut të detit, në atë gji të bukur të fshatit të largët Saranti të Thivas. Anas detit, i menduar ecte një burrë që mbi kokë mbante barrën e bardhë të dimrave të shumtë. Se sa dimra dhe sa borë kishte mbi kokën e tij do ta mësoja më vonë.

“Është Lami, më thotë Shpëtimi. E ka vrarë shumë vdekja e gruas ndaj nuk e di në se do të ulet e do të kuvendojmë me të si atëherë kur pa e parë e pa më parë kurrë m’u drejtua: “Ç’ë bën o djalë ?” Ajo e pyetur shqip, kur unë nuk dija asnjë fjalë greqisht, më befasoi. Atë pyetje, që është një lloj përshëndetje siç përshëndesin malësorët tanë rrugës këdo që takojnë, njohur e panjohur me “tungjatjeta”, do ta takoja dhe përjetoja gjatë gjithë viteve që jetova e punova në Thiva dhe këtu në fshat…”

…Kur u afrua pranë tendës e ndali hapin. Na pa dhe buzëqeshi. Shpëtimin e kapi përqafe si ta kishte bir të tij. U ul përballë meje. Mori frymë thellë dhe e treti vështrimin thellë në hapsirën detare që ndalej diku në Ksilokastrën e Peloponezit.

Nisëm muhabetin. E pyesja unë shqip. E pyeste Shpëtimi arvanitikisht. Përgjigjet, me ndonjë ndërhyrje të fjalëve të greqishtes, ishin të tilla si të më përgjigjesh një burrë që tërë jetën e tij e kishte kaluar në malet e Shqipërisë pa zbritur asnjëherë në qytet. Unë kisha njohur ndonjë të tillë në udhëtimet e mija maleve të Dibrës e Matit…Por, më mirë le t’ia lemë lexuesit të tundë mendueshëm kokën e të shkundë kohët…

– Le të bisedojmë, me fjalët tuaja, ashtu si t’i mësoi nëna dhe si ke folë tërë jetën.

– Po.

– Sa vjeç je ?

– Jam nëntëdhjetë, edhe katër.

– Ku ke lindur ?

– Këtu, në katundin prapa. E quajnë Kukuraqi.

– Sa fëmijë ke ?

– Katër djelm. Kam nji vajzë dhe tre meshkuj. Martuar tërë. Kam engonia. (nipër)

– Sa nipër ?

– Njëmbëdhjetë.

– Ku punojnë?

– Di mbetenë me dhi. Nji këtu. Nji në katund, vajza.

– Vetë me se merresh ?

– Mu? Me këtë këtu, me tavernën.

– Ç’punë ke bërë në jetë ?

– Punë ? Çoban.

– Çoban? Me dele ? Me dhi ?

– Me dele. Me dhi. Bëra edhe lopë. Bëra ekato qefalja, njiqind krerë. Nuk më shkuan mirë dhe i shita.

– Ky fshati këtu a ka shumë arvanitas ?

– Ku ? Katundi ? Si s’ka ? Shumë. Arvanitas. Skiptarë.

– Nga kanë ardhur arvanitasit e këtushëm ?

– Nga Koritsa stin Alvania(Korça në Shqipëri). Malon (ndoshta) mandej ishin. Këtej nuku janë.

– Nga Korça erdhën këtu apo…?

– Ja, këtu. Këtu erdhën.

– Këtu ke shtëpinë tënde ?

– Stëpinë e kemi lart neve, në katund. Ala këtu sipër, saqë duket prapa , kemi vendin, kemi shtëpi për dimër. Nani, këto dita do ikëm dhe do vijmë që të zërë bora.

– Kur bie borë zbrisni këtu ?

– Po.

– Verës shkoni atje?

– Verës shkojmë atje.
– Atje me se merreni ? Keni bagëti ? Sa dele ke ?

– Kemi treqind.

– Sa qengja shite për pashkë ?

– Nuku i shesim se i ther këtu djali për tavernën. Nja dhjetë-pesëmbëdhjetë këtu me shokë.

– Po qumështin çfarë e bëni ?

– Qumështin nji evro.

– E shisni qumësht, nuk e bëni djathë?

– Nuk e bëjmë djathë se skemi duer, skemi gjë.

– Sa qumësht në ditë shisni?

– Ndonjë ekato qila, akoma. Njiqind kile.

– Shpëtimi. Tote, otan nuk kishte skoli kutu fare, cilën gluhë flisnit, arvanitika?

– Ne. Arvanitika. Neve arvanite e njohëm. Elenika nuku dijimë mirë.

– Me gruan shqip flisnit?

– Ne. (po)

– Ajo prej këtu ishte apo…?

– Jo. Atje, prej katundi. Ajo më vdiq.

– Më thanë. Më vjen shumë keq. Të ka lënë vetëm.

– Saranda meres. Dyzet ditë nani.

– Të kesh fëmijët, niprit, mbesat !

– Për të mira, por shoku nuk është. E shofi në ëndërr se më foli “Plak, Plak!”. Ishte poshtë në ipogjio(bodrum) dhe unë jesh sipër diç psaksis (kërkonte) atje në sunduqet dhe ajo më thirri “ Plak, Plak! Ç’ë bën atje ?

– Sa vjet jetove me gruan?

– Me gruen bëmë shtatëdhjet e di.

– Shtatëdhjet e dy vjetë martuar ?

– Po.

– Sa vjeç je martuar ?

– Gruaja ishte e vogël…

– Sa vjeç ?

– Ishin katërmbëdhjet vitra. Ishin s’ishin.

– Po ti ?

– Unë jesh ikositesera.(24)

– Dy herë më i madh ?

– Dheka hronia. Dhjetë vitra.

– Shpëtim Hyka: Nani ç’ë thonë djelmtë.

– Nani vene skolia. Elenika flasin.

– Shpëtim Hyka Maqi ( djali A.A ) di arvanitika?

– Ne (po) . Tërë djelmt edhe nipërit dijnë.

– A. Ashiku: Kemi marrë edhe gratë me vete. Kjo është gruaja ime, Natasha.

– Gruaja jote ?

– A. Ashiku: (gruas) – Ky është Lami. Shtatëdhjetë e dy vjet ka jetuar me gruan.

Natasha: Gëzohem që ju njoh.

– Po, po. Evdhominda dhio hronia (72 vjet) bëmë bashkë me gruan.

– Shpëtim Hyka : Të jesh mirë pa, do të të çojmë një ditë dhe do të bëjmë taksidhi (udhëtim).

– Atje doj të vejë që… kala (mirë) të shohim. Kesh vajtur ala (por) nuku njihja po trëmbej plaka. Trëmbej mos vdes andej.

– Ku ke qejf të shkosh ?

– Atje në Spathar do iki. Do vejë në Selenicë.

– Kur ke qenë ushtar në Shqipëri ?

– Në saranda (40), me italonjt.

– Ku ke qenë ?

– Që këturen ramë në Ersekë. Në Ersekë, poshtë në Selenicë. Në një katund atje, mbetëm qero (kohë) atje. Vamë në nji shtëpi atje nuku na hapi derën. Kërceva nga mandra. Hyra brënda. Jeshin dy gra. U thash jemi të mirë, jemi të mirë mos u trembuni. Telespandon (tek e fundit), mbetëm atje. Neve stratiotë (ushtarë) jeshem. Nga gratë njeran e thoshin Sotiro. Më thotë do të bëjmë gabro (dhëndër). I them “Sotiro jam i martuar, kam dy djelm” Ishje vërtet i martuar. Telespandon, shkuam mirë atje. Neve jeshim stratiotë, keshim mishëra, hajmë mirë, pijmë. Ikëm, atje pastaj Mononat dhe Spathar( Skrapar A.A ) na poqën, në Tomorr. Atje u bë nji luftë e madhe. U derdhëm në katund natën. Atje që gjuenim. Ishim anamesa sta dhio pira (dy zjarresh). Do bënim maqi (luftë) e do vriteshin njerëzit. Thotë pse na gjuani  ? Se do bënet maqi, do bënet luftë e madhe dhe do tu vrasin. U thamë “nuku trembemi neve”, “si nuk trembeni ?” U bë luftë. Ikëm që me natë…

Këtu ai e tret vështrimin në kohë, humbet në kujtime. Ka mall të madh të shkojë edhe një herë në Selenicë të Ersekës, atje ku siç thotë shpëtoi djalin e shtëpisë që “ishte me italojt” dhe nuk ua dha grekëve. Ka pasë dëshirë të shkojë gjatë gjithë këtyre viteve që u hapën kufijtë por nuk e lente gruaja, kishte merak se mos mbetej atje. Tani, thotë nuk e ka këtë merak se gruaja i iku dhe ai edhe po të vdesë në vendin e të parëve do të japë shpirt.

…E fiksova në fotografi tek tregonte me shqipen e konservuar breza pas brezi me një lloj qëndrese të mahnitshme. E fiksova mes djalit të tij të madh Maqit dhe nipit të tij Lamit të ri. Më pas u ulëm në tavernën buzë detit dhe ndërsa pinim verë fshati e hanim nga qengji i kopesë së tij, biseda vijoi në shqip, në atë gjuhë që, ndonëse nuk u shkrua kurrë, mbijetoi në këtë trevë dhe u transmetua brez pas brezi nëpërmjet këngës, folklorit, të folurit të përditshëm në familje.

Kur u ndamë për të marrë të përpjetën drejt Thivas e Athinës e pashë t’i mbushen sytë me lot. E pashë t’i lutet Maqit për udhëtimin e ëndërruar prej vitesh, për të parë Ersekën, Selenicën, Shqipërinë…

Saranti, Thiva,  prill 2006

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.