Nga 1 janari marrin fuqi ligjore disa ndryshime në legjislacionin fiskal

0

Nga 1 janari 2019 marrin fuqi ligjore disa ndryshime në legjislacionin fiskal që prekin kryesisht kategori të biznesit dhe punonjësit me paga të larta.

Nga një janari ngarkesa fiskale për të punësuarit me paga të larta ulet. Fasha e pagës që taksohet me 23 % do të rritet në 150,000 lekë nga 130,000 lekë në muaj që është aktualisht. Nëpërmjet kësaj mase, Ministria e Financave përllogarit që të ulet barra tatimore për rreth 15.400 punëmarrës, me një efekt negativ në buxhetin e shtetit me rreth 1 miliard lekë.

Kjo kategori punonjësish do të ketë përfitim mujor 2600 lekë. Ndryshim tjetër i rëndësishëm është ulja e tatimit mbi dividendin në 8% nga 15% që është aktualisht. Kjo masë ka efekt statistikor negativ me 1 miliard lekë në të ardhurat buxhetore të 2019, por Ministria e Financave parashikon të rrisë arkëtimet me rreth 2 miliardë lekë, për shkak të rritjes së pritshme të deklarimeve e kompanive që paguajnë këtë tatim.

Kuvendi, gjatë miratimit të ndryshimeve, vendosi që norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitin 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”

Ndryshime janë paraparë edhe në ligjin “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar”, ku themelore është përjashtimi nga TVSH-ja e lëndëve të para për industrinë fasone dhe gjithashtu, propozohet që furnizimi i makinave bujqësore, i përjashtuar jo vetëm në import, por edhe brenda vendit.
Ndryshime me efekt në nivelin e tatimit janë bërë edhe në ligjin për akcizat.

Rritja vijoi ndryshimin e nivelit të akcizës për produktin e duhanit të grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani, duke e çuar taksimin në 6 mijë lekë për kilogram nga 4400 që është aktualisht. Gjithashtu, u shtua një produkti të ri “duhan me ngrohje”, në listën e mallrave të akcizës.

Zhavorri bituminoz do të tatohet me akcizë 0.3 lekë për kilogram. Qeveria kishte propozuar që akciza e bitumit të rritet me 2 lekë për kilogram, dukë vënë në vështirësi aktivitetin e 5 operatorëve të fushës, pasi taksimi zë më shumë se 80% të çmimit, por Kuvendi miratoi një taksim shumë më të ulët.

Në ligjin për taksat kombëtare janë propozuar dy ndryshime kryesore. I pari, projektligji propozon që përqindja e rentës minerare nga 6%, të bëhet 9%, për “Mineralet e kromit për eksport”. Kjo masë, sipas Ministrisë së Financave, synon të nxisë përpunimin e mineralit në vend, me synim rritjen e vlerës së shtuar.

Ndryshimi i dytë synon uljen e taksës së ambalazheve mbi produktet e plastikës në 35 lekë, nga 100 lekë për kilogram që është aktualisht. Për prodhimin brenda vendit, niveli i propozuar i taksës është 25 lekë/kg. Ndryshimet kanë përfshirë edhe ligjin për taksat vendore, të cilat synojnë riparimin e paqartësive në zbatimin e ligjit ekzistues.

Ndërhyrje janë bërë edhe në ligjin për procedurat tatimore. Ndryshimet synojnë të limitojnë mundësitë për shmangie fiskale. Në propozimet e paraqitura në këtë projektligj, synohet gjithashtu përdorimi i mënyrave alternative të vlerësimit tatimor, kur nga administrata tatimore konstatohet se tatimpaguesi kryen veprime apo transaksione, të cilat synojnë përfitimin e një avantazhi tatimor në kundërshtim me legjislacionin tatimor dhe rezultojnë fiktive mbi prova dhe fakte.

Parlamenti rrëzoi përjashtimin e fishekzjarrëve nga akciza, teksa qeveria kishte propozuar që për shkak të vështirësisë në kontrollin e tyre ky produkt të përjashtohej. Parlamenti vendosi të trefishojë gjobën për bizneset që mbajnë pulla akcize më shumë se inventarët.
Nga 1 janari 2019, norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë, nga 20% që është aktualisht bëhet 6%. Shkak për uljen e nivelit të kompensimit u bë dështimi i skemës së re të rimbursimit të TVSH që qeveria nisi të aplikojë pas vitit 2014.

Tatimi mbi të ardhurat, lehtësohen bizneset dhe punonjësit me paga të larta

Ndryshimi i legjislacionit të tatimit mbi të ardhurat përmban dispozitat e mëposhtme:

Në nenin 1, të projektligjit, propozohet të riformulohen dispozitat e nenit 4 “Burimi i të ardhurave”, të ligjit, që lidhen me të ardhurat nga pronësia dhe kalimi i pronësisë për pasuritë e paluajtshme, duke zgjeruar bazën e tatueshme në vend, nëpërmjet përfshirjes në këtë kategori edhe të të ardhurat nga të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, hidrokarbure apo burimeve natyrore tokësore dhe ujore, si dhe aksioneve ose interesave të ngjashme me to.

Në nenet 2, 7 dhe 8, të ligjit, lehtësohet barra fiskale për 20 mijë biznese nëpërmjet uljes së normës së tatimit mbi dividentin, të të ardhurave që rrjedhin si fitim i ortakut dhe nga ndarja e fitimit nga 15% në 8%.

Në nenin 4, të ligjit, është shtuar mosnjohja si shpenzime të zbritshme në përcaktimin e fitimit të tatueshëm, të shpenzimeve për dieta që tejkalojnë 50% të fondit të pagës bruto vjetore, edhe kjo masë në kuadër të angazhimeve për minimizimin e shmangieve dhe ruajtjen e bazës së tatueshme.
Në nenin 5, të ligjit, shtohet një nen i ri në ligjin aktual, i cili vendos detyrim personin juridik për të paguar tatimin mbi fitimin, në rastin e ndryshimit më shumë se 20% në vlerë, të pronësisë direkte dhe/ose indirekte të kapitalit aksioner, kuotave ose të drejtave të votimit, njoftimin e administratës tatimore brenda 45 ditëve për detajet e ndryshimit, si dhe përjashtimin nga pagimi i tatimit për çdo ndryshim.

Gjithashtu, në këtë nen vendoset detyrimi për njoftimin e administratës tatimore brenda 45 ditëve edhe për ndryshimet e pronësisë prej 10%, ose më shumë, të kapitalit ose të drejtave të votës të personit juridik, duke përcaktuar më pas edhe aplikimin e penaliteteve konform ligjit të procedurave tatimore për rastet e mosnjoftimit.

Neni 6 shtohet i ri dhe synon përfshirjen e personave jorezidentë në personat që i nënshtrohen tatimit mbi fitimin për fitimet e realizuara nga shitja e aksioneve apo interesave të ngjashme, vlera e të cilave buron nga pasuri të paluajtshme në Republikën e Shqipërisë. Këta individë pastaj do të detyrohen të plotësojnë deklaratën e të ardhurave të tatueshme, brenda datës 31 mars të vitit pasardhës.

Tatimi mbi pagat, rritet pragu për të lartat

Nga data 1 janar realizohet ulja e ngarkesës fiskale për të punësuarit, duke e rritur fashën e të ardhurave, që tatohen me normën 23%, nga 130.000 lekë/muaj në 150.000 lekë/muaj, nga e cila do të përfitojnë rreth 15.400 punëmarrës, shumica e të cilëve punojnë në sektorin privat.

Kjo ulje e tatimit shoqërohet edhe me disa ndërhyrje në ligjin e procedurës tatimore, me qëllim limitimin e abuzimeve me shmangien tatimore në pagat e larta.

Agroturizmi, hyn në fuqi TVSH-ja 5%

Më 1 janar hyn në fuqi ulja e tatim fitimit nga 15% në 5% për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, të cilat operojnë sipas ligjit nr.38/2012.
Më 1 janar 2019 bizneset e agroturizmit hyn në fuqi aplikimi i një norme të reduktuar të tatim fitimit në masën 5%, për një periudhë 10-vjeçare. Ndryshimin e sipërpërmendur do ta përfitojnë të gjithë ato struktura akomoduese, të cilat do të përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi” nga 1 janari 2019 deri më 31 dhjetor 2021.

Nga reduktimi i tatimit mbi dividentin në 8% vlerësohet të ketë ndikim pozitiv në të ardhurat buxhetore të vitit 2019 me rreth 4.5 miliardë lekë, si rrjedhojë edhe e përcaktimit të bërë në dispozitat kalimtare për aplikimin e normës së reduktuar për fitimet e pashpërndara, por të akumuluara apo të kapitalizuara të viteve të kaluara. Ndërsa zgjerimi i fashës së të ardhurave që tatohen me normën 13% do të rezultojë me një efekt negativ në buxhetin e shtetit prej 319 milionë lekësh.

Akciza rritet për disa lloje cigaresh

Ndryshimin e nivelit të akcizës për produktin e duhanit të grirë, purot, cigarillos dhe cigaret me zëvendësues duhani. Niveli i akcizës u rrit për kategorinë T400 “Duhan tjetër i përpunuar dhe zëvendësuesit e duhanit”, në masën 6000 lekë/kg nga 4400 lekë/kg që është aktualisht.

Kjo rritje, sipas Ministrisë së Financave, synoi barazimin e taksimit të produkteve të kësaj kategorie me kategorinë T200 “Cigare që përmbajnë duhan”, më 1 janar 2019, pasi referuar edhe të dhënave për shtete të tjera të rajonit (Kosovë dhe Maqedoni), rezulton se për këto dy kategori (T200 dhe T400), niveli i taksimit për njësi konvencionale është i njëjtë.

Rritja synoi gjithashtu përafrimin e mëtejshëm me Direktivën e BE 2011/64, e cila përcakton nivelin minimal të akcizës për duhanin e grirë të paktën 60 euro për kg, riskedulimi i rritjes siguron
një politikë të qëndrueshme taksimi, sipas standardeve të BE-së. Pasi konstatohet se përqindja e akcizës në çmimin përfundimtar të duhanit të tymosshëm, të grirë në Shqipëri zë një peshë më të vogël në krahasim me vendet e tjera të rajonit, bazuar në të dhënat e vitit 2017.
Efekti që do të sjellë në të ardhurat e buxhetit të shtetit rritja e nivelit të akcizës për këtë kategori parashikohet të jetë me efekt pozitiv 140 milionë lekë.

Niveli i akcizës për kategoritë T300 dhe T500 “Puro, cigarillos dhe cigare me zëvendësues duhani”, nga 4400 lekë/kg, në 6000 lekë/kg. Me qëllim barazimin e taksimit të produkteve të kësaj kategorie me kategorinë T200 “Cigare që përmbajnë duhan”, më 1 janar 2019, pasi referuar dhe të dhënave nga shtete të rajonit (Kosovë, Maqedoni), rezulton se për këto kategori niveli i taksimit është i njëjtë. Efekti që do të sjellë në ardhurat e buxhetit të shtetit rritja e nivelit të akcizës për këtë kategori parashikohet të jetë +3.8 milionë lekë. Është miratuar taksimi i kategorisë “Duhan me ngrohje”, me akcizë 6000 lekë/kg.

Rëra bituminoze përjashtohet nga akciza

U hoq nga lista e mallrave të akcizës, të produktit “rërë bituminoze” aktualisht me akcizë në masën 2 lekë/kg, për arsyen se rëra bituminoze nuk mund të përdoret si lëndë djegëse zëvendësuese, pasi përmbajtja e bitumit është 6-9% dhe ka çmim 3 herë më të ulët se “zhavorri bituminoz” dhe përdoret vetëm për shtresat asfaltike të varfra.

Zhavorri bituminoz, akciza 0,3 lekë

U miratua vendosja e akcizës për produktin “zhavorr bituminoz” në nivelin 0,3 lekë për kilogram. Qeveria vendosi të taksojë me akcizë zhavorrin bituminoz në masën 2 lekë/kg, por në miratimin final të ligjit u vendos 0,3 lekë për kilogram. Kjo ulje u aplikua pasi bizneset e fushës kishin pohuar se taksa e re ishte sa 80% e çmimit gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ekonomisë.

Duhani i grirë me pullë fiskale

Nga 1 janari 2019, ndaj duhanit të grirë do të aplikohet pullë fiskale. Sipas Ministrisë së Financave, kjo bëhet me qëllim për të disiplinuar qarkullimin e duhanit të grirë. Produktet e duhanit, të prodhuesve të vendit ose të importit, të pranishme në tregun shqiptar, tregtohen vetëm me pullë fiskale, të ngjitur në ambalazhin përdorues, nën letrën e tejdukshme të paketës.
Të gjitha ndryshimet në ligjin e akcizës synojnë të sjellin një efekt pozitiv në buxhet 144 milionë lekë.

Taksat vendore, sqarohen paqartësitë

Ndryshimet në ligjin e taksave vendore janë pjesë e Paketës Fiskale 2019. Ndryshimet synojnë thjeshtëzimin, pasi në praktikën e deritanishme konstatohen interpretime jo të qarta e të sakta, si dhe procedura të gabuara të zbatimit të tyre nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Disa nga anekset që i bashkëlidhen ligjit në fuqi, janë formuluar sipas organizimit të vjetër territorial të Republikës së Shqipërisë, duke mos pasqyruar ndryshimet e ndarjes së re territoriale. Nisur nga ky qëllim, anekset janë rikonceptuar dhe formuluar në mënyrë më të thjeshtë, sipas kategorisë së bashkive të reja.

Projektligji i propozuar rregullon edhe nenin 27 “Taksa e ndikimit në infrastrukturë”, i cili aktualisht ka mjaft probleme në interpretimin dhe zbatimin e tij. Duke u nisur nga rastet e trajtuara për interpretim të kategorive të investimeve në infrastrukturë dhe shpesh ndarjen e gabuar të tyre, sipas klasifikimeve.

Sipas ndryshimeve të reja për ndërtime që destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, të industrisë, bujqësisë; të ndërtimeve individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, të ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës; si dhe të ndërtimeve për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 1 (një) deri në 3 (tre) % e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 (dy) deri 4 (katër) % e saj.

Ndërsa taksa e tabelës ka një klasifikim të ri sipas qëllimit teksa aktualisht ishte koncepti i madhësisë. Sipas propozimeve të reja për qëllime fiskale, tabelat kategorizohen në:

1- Tabelë për qëllime identifikimi, e trupëzuar ose jo, brenda territorit ku zhvillohet veprimtaria e biznesit dhe që nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve (ku shënohet emri dhe/ose aktiviteti i biznesit);

2- Tabelë për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet veprimtaria e biznesit në formën dhe përmasat e tabelave për orientim;

3- Tabelë për qëllime reklamimi e lëvizshme ose e palëvizshme;

4-Tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola, etj.

Kur në sipërfaqen e tabelës identifikuese përfshihet edhe germa, simbole dhe figura për qëllime reklamimi të një apo më shumë produktesh apo shërbimesh që furnizohen nga vetë njësia ku është vendosur tabela, kjo tabelë vlerësohet si tabelë identifikuese dhe taksa llogaritet për këtë kategori tabele. Në rast të kundërt, tabela vlerësohet si tabelë reklamimi dhe taksa llogaritet për tabelën për qëllime reklamimi.

Në rast të përdorimit nga taksapaguesi të më shumë se një tabele identifikuese, përveç atyre orientuese, vlerësohet si tabelë identifikuese vetëm ajo tabelë që është e trupëzuar ose jo në njësinë apo brenda territorit ku ushtrohet veprimtaria e taksapaguesit, ose që ndodhet më pranë njësisë, ose vetëm një nga tabelat, kur ka më shumë se një të tillë në njësinë apo territorin ku ushtrohet veprimtaria e tij. Çdo tabelë tjetër e tillë konsiderohet si tabelë për qëllime reklamimi dhe taksa llogaritet dhe paguhet për këtë kategori tabele.
Mirëpo Këshilli Bashkiak është autoriteti i cili vendos nivelin e bazës së taksës për çdo kategori të tabelave.

Rritet tarifa doganore për frigoriferët

Është miratuar dhe hyn në fuqi ligji “Për një ndryshim në ligjin nr.9981, datë 8.9.2008, “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, të ndryshuar, ka si qëllim unifikimin e tarifës doganore, për të gjitha nën kodet në nivel tetëshifror të Kreut 8418 të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, që i përkasin artikullit “njësi frigoriferike” me synim krijimin e një konkurrence të drejtë për të gjithë importuesit që trajtojnë këta artikuj.

Tarifa doganore nga 2% u bë në 10%, për 4 kode (8418 10 20; 8418 10 80; 8418 30 20 dhe 8418 30 80) të Kreut 8418, të Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave që përfaqësojnë ftohësit/ngrirësit e kombinuar, të përshtatura me dyer të jashtme të veçanta, me kapacitet mbi 340 litra dhe të tjera si dhe ftohës/ngrirësit e kombinuar, të përshtatura me dyer të jashtme të veçanta, me kapacitet deri 400 litra, si dhe me kapacitet mbi 400 litra por deri 800 litra. Sipas Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave, në Kreun 8418, në nivel 8-shifror, përfshihen 20 kode tarifore nga të cilët 4 prej tyre kanë tarifë doganore 2%, ndërsa kodet e tjera, kanë tarifë doganore 10%. Unifikimi i tarifës vlerësohet se sjell një efekt pozitiv në buxhet, në masën 50 milionë lekë.

Të gjitha ndryshimet në TVSH

Nga 1 janari 2019, norma e kompensimit për prodhuesit bujqësorë nga 20% që është aktualisht bëhet 6%. Shkak për uljen e nivelit të kompensimit u bë dështimi i skemës së re të rimbursimit të TVSH që qeveria nisi të aplikojë pas vitit 2014. Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve, Alban Zusi, e kundërshtoi këtë masë ligjore, duke rekomanduar se Parlamenti mund të korrigjonte skemën e rimbursimit të TVSH-së në vend që të reduktonte përfitimet e kompensimit të fermerëve.

Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, edhe në paketën fiskale të 2018-s thelloi përjashtimet fiskale. Hyn në fuqi më 1 janar 2019 aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH në nivelin 6%, për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive. Aplikimi i një shkalle të reduktuar të TVSH në nivelin 10%, për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me autobus me dhjetë vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik. Hyn në fuqi përjashtimi nga TVSH-ja edhe atë të furnizimit të makinave bujqësore, i cili aktualisht është furnizim i përjashtuar vetëm në import. Përfshirjen në listën e furnizimeve të përjashtuara nga TVSH-ja, edhe të nënkontraktorëve, të cilët nënkontraktohen për kryerjen e një ose disa operacioneve përpunuese.

Hyn në fuqi përjashtimi nga pagesa e TVSH-së në import të lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave me përjashtim të lëndëve të para me përdorim të dyfishtë. Për shkak të shtimit të lehtësive fiskale që ky projektligj synon të mundësojë, parashikohet të ketë një efekt buxhetor në masën minus 300 000 000 lekë, por nga ana tjetër ndryshimet vlerësohet të sjellin efekte pozitive për zhvillimin e sektorëve që stimulohen dhe lehtësohen.

Përfaqësues të disa shoqatave i sugjeruan Komisionit të Ekonomisë aplikimin e shkallës 0% të TVSH-së, jo vetëm për subjektet e autorizuar nën regjimin e përpunimit aktiv, por edhe për nënkontraktorët e tyre, rishikimin e përjashtimit për furnizimin e librit dhe rishikimin e skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë bashkë me përjashtimin e TVSH–së për të gjitha inputet bujqësore në import dhe në transaksionet e brendshme.

Furnizimi i inputeve bujqësore siç janë plehrat kimikë, pesticidet, farat dhe fidanët, përveç hormoneve të klasifikuar në kodet 2937 të NKM-së. Lista e kategorive të inputeve bujqësore përcaktohet me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Taksat kombëtare, ndryshon renta dhe taksa e ambalazheve

Më 1 janar 2019 hyjnë në fuqi ndryshimet e legjislacionit të taksave kombëtare, sipas dispozitave të mëposhtme:

Në nenet 1, 2, 3, 4 dhe 5 të projektligjit që ndryshojnë nenet 3, 4, 5, 8 dhe 9 të ligjit aktual, propozohet rishikimi i dispozitave që lidhen me taksën e ambalazheve të plastikës dhe të qelqit, duke bërë një kategorizim si të produktit, ashtu edhe të nivelit të taksës, për të reflektuar problematikën e evidentuar nga strukturat e Bashkimit Europian që lidhet me diferencimin e taksës në import dhe në prodhimin vendas, si dhe për të përmbushur kërkesat e industrisë vendase të prodhimeve ushqimore, për kufizimin e konkurrencës së pandershme.

Në vitin 2008, kur u miratua ligji nr. 9975, në kategorinë e taksave kombëtare përfshihej edhe taksa për ambalazhet plastike të lëngjeve. Në mesin e vitit 2010, për produktet plastike, aplikohej akcizë në masën 100 lekë/kg plus TVSH, më pas me ligjin nr. 83/2012 kjo taksë u ndryshua në taksën e ambalazheve të plastikës dhe qelqit, duke saktësuar përkufizimin e taksës, në mënyrë që të mos kishte dallime në llojet e produkteve të ambalazhit që ishin subjekt i taksës, ndërsa niveli i saj u diferencua sipas llojit të ambalazhit.

Në Paketën Fiskale për vitin 2017, Komisioni për Ekonominë dhe Financat, në kuadër të politikës për stimulimin e industrisë vendase, amendoi ndryshimin e përcaktimeve të bëra në pikën 8, të nenit 4, të ligjit bazë, duke propozuar që taksa për ambalazhet e prodhuara nga riciklimi i mbetjeve në vend, nga 50 lek/kg, të vendosej në masën simbolike 1 lekë/kg. Në janar 2019 rikategorizohen:

Taksa e materialeve/artikujve plastikë dhe e ambalazheve plastikë të importuara, e cila u vendos në masën 35 lekë/kg.
Taksa e lëndëve të para në formë primare të importuar dhe që përdoret për prodhimin në vend të produkteve të plastikës, u caktua 25 lekë/kg.
Taksa e ambalazheve prej qelqi për ambalazhet e importuara dhe të prodhuara në vend u caktua 5 lekë/kg. Kjo taksë do të zbatohet edhe në rastet kur materiali i qelqit zë të paktën 80% të masës së përgjithshme të ambalazhit që ambalazhon produkte të tjera.

Kromi, rritet renta për të papërpunuarin

Në nenet 2 dhe 6 të ligjit u aplikua rritja e përqindjes e rentës minerare nga 6% në 9%, për “Mineralet e kromit për eksport” pjesë e grupit të parë (I) “Mineralet metalike”, të shtojcës nr.2, të ligjit si dhe rishikimi i përqindjes së rentës minerare për përmbajtjen e mineralit metalor në nënproduktin minerar, si dhe në rastin e shitjes së mineraleve metalike për përpunim brenda vendit, duke ulur masën nga 1/2 në 1/3 e normës së rentës, duke u mbështetur në nevojën e ndërmarrjes së politikave që stimulojnë përpunimin e mineralit në vend dhe rritjen e vlerës së tij për eksport, si dhe dekurajimin e eksportit të mineralit krom të papërpunuar;

Në pikën 2, të nenit 2, të ligjit u vendos përjashtimi nga pagesa e taksës së karbonit vetëm për sasitë e benzinës dhe gazolit që eksportohen, duke unifikuar kështu edhe me përjashtimin e këtyre produkteve nga taksa e qarkullimit të bërë në vitin 2016.

Në nenin 5, të ligjit falen të gjitha detyrimet e prapambetura të taksës vjetore të qarkullimit rrugor, apo të konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit. Gjithashtu, në po këtë nen mjetet e konfiskuara me vendim të formës së prerë të gjykatës, të cilat i kalojnë në administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ose Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit, për qëllime përdorimi ose rishitje të jenë të përjashtuara nga pagimi i taksës së përvitshme dhe të regjistrimit të mjeteve luksoze

Ndryshimet ligjore për të kapur evazorët

Ligji aktual i procedurës tatimore ndryshon më 1 janar 2019 me synimin që të rregullojë disa mangësi, që ende vërehen në praktikën e zbatimit të legjislacionit tatimor dhe lënë hapësirë për shmangie të deklarimit dhe pagesës së detyrimeve reale nga tatimpagues, që synojnë të konkurrojnë në mënyrë të pandershme tregun e brendshëm për furnizimin e mallrave dhe shërbimeve, argumenton Ministria e Financave. Këto ndryshime synojnë të ulin mundësitë për copëtimin në shumë biznese për të shmangur TVSH dhe gjithashtu synojnë të ulin evazionin në pagat e larta.

Në nenin 1 dhe 2, parashikohet ndryshimi i neneve 40 dhe 43 të ligjit ekzistues, duke mundësuar përmirësimin e rregullave të regjistrimit dhe pajisjes me NIPT/NUIS të tatimpaguesve, me qëllim deklarimin e saktë të të ardhurave të realizuara dhe shmangien e evazionit. Në këtë frymë, personi fizik mund të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, me të njëjtin numër të identifikimit personal, vetëm një herë dhe do të mund të regjistrohet e pajiset me një NIPT/NUIS të ri, vetëm mbas çregjistrimit të atij ekzistues.

Gjithashtu, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, personi fizik tregtar, do të pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, për të mundësuar identifikimin e vendndodhjes të kësaj veprimtarie të re.

Në nenin 3, parashikohen rregullime dhe shtesa në nenin 44 të ligjit, lidhur me kalimin e tatimpaguesit në regjistrin pasiv, vetëm pas pagimit të të gjitha detyrimeve tatimore të tatimpaguesit. Ky përcaktim, së bashku me përcaktimet e nenit 1 dhe 2, do të mbyllë shtegun për kalimin në regjistrin pasiv të një aktiviteti sa herë që evidentohen detyrime tatimore të papaguara, duke mos lejuar shtimin e nivelit të borxhit të pambledhshëm. Çdo transaksion që do të kryhet nga tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin pasiv do të konsiderohet si shkelje dhe do të penalizohet së bashku me tatimpaguesin në regjistrin aktiv që ka kryer transaksionin me të.

Në nenin 4, parashikohet ndryshimi tërësor i nenit 45, duke përcaktuar në mënyrë të detajuar procedurat lidhur me çregjistrimin e subjekteve tatimore, pranë QKB-së dhe Administratës Tatimore, si dhe përcakton detajet lidhur me përcaktimin e datës së çregjistrimit për kategori të ndryshme tatimpaguesish, radhën dhe procedurën e çregjistrimit, afatet e veprimit dhe kushtet specifike për regjistrim.

Në nenin 5 të ligjit, parashikohet rritja e nivelit nga 100 (një qind) lekë në 1000 (një mijë) lekë të shumës së detyrimit tatimor të detyrueshme për t’u paguar ose e tepricës së kredisë, që vlerësohet si detyrim ose kredi me vlerë zero, shumë kjo për cilën nuk bëhet vlerësim tatimor nga administrata tatimore.

Në nenet 6 dhe 7 të ligjit, parashikohet e drejta e Administratës Tatimore për të përdorur mënyra alternative vlerësimi për rastet kur tatimpaguesi, person fizik, për qëllime të shmangies ose minimizimit të pagesave, mban më shumë se një NIPT/NUIS, apo në rastet kur tatimpaguesit kryejnë një ose disa transaksione direkte apo indirekte që deformojnë parimet e ligjit tatimor; nuk bazohen në parimin e vlerës së tregut, kur veprimi/transaksioni nuk reflekton thelbin e tij ekonomik apo evidentohen veprime/transaksione që synojnë shmangien ose uljen e detyrimeve tatimore.

Në nenin 8, parashikohet shtimi i një pike në nenin 75 të ligjit bazë, duke krijuar lehtësi të tjera për tatimpaguesit dhe duke mundësuar kompensimin nga teprica kreditore të detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, automatikisht nga sistemi informatik.

Në nenet 9, 10 dhe 11, përcaktohet radha e pagesës së kontributeve dhe të detyrimeve tatimore, duke filluar me detyrimet më të hershme brenda të njëjtit lloj, si dhe mundësohet lehtësimi i procedurave, përmes përdorimit të gjerë të komunikimit elektronik, si dhe thjeshtësimit dhe qartësimit të procedurave të njoftimit për pagesën e detyrimeve tatimore, të pagesës.

Në nenin 12 të ligjit, propozohen ndryshime lidhur me procedurat e deklarimit të detyrimit tatimor, si të pambledhshëm dhe fshirjen/shuarjen e tij, ndërsa në nenin 13 vijohet me lehtësitë ndaj tatimpaguesit, duke përjashtuar nga pagesa që duhen bërë si kusht për të ushtruar të drejtën e ankimit pranë organit tatimor, gjobat e përfshira në vlerësimin tatimor të ankimuar dhe kamatëvonesat e llogaritura.

Përmirësime dhe saktësime parashikohen edhe në kreun e sanksioneve, sipas neneve 14 deri 17 të ligjit, përmes të cilave trajtohen si deklarim i pasaktë, rastet e rivlerësimit në ulje të tepricës kreditore të tatimpaguesit, në përfundim të kontrollit tatimor, duke parashikuar një penalitet në masën 20% të diferencës ndërmjet tepricës kreditore të deklaruar me tepricën kreditore që duhej deklaruar, si dhe propozohen lehtësi edhe në trajtimin e kundërvajtjeve administrative, duke parashikuar ulje të penaliteteve në 30%, për rastet kur tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin /Monitor/

Share.

About Author

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.