NE EMIGRANTË E HARRUAR

0

KUR NA KENI MOHUAR TË DREJTËN E VOTËS TË PAKTËN MOS U TALLNI

Për ne askush nuk flet, përveçse kur është fjala për remitancat që sjellim në Shqipëri dhe i kemi mbushur asaj “barkun me bukë”.

Më në fund 30 qershori iku për të mbetur si një njollë e zezë në historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
Iku me daulle, curle, valle e këngë për Enverin gjë që po të ishte bërë nga ithtarët e tij do të ishte kryefjalë e gazetave dhe dritare e parë e televizioneve, kërkesë prokurorisë për linçim të nostalgjikëve.
Numri i votuesve, me gjithë reprezaljet  bidat i ri në zgjedhjet allashqiptarçe ishte 21.6 për qind kundrejt 46.5 për qind (i përbashkët PD:PS) në zgjedhjet e qershorit 2017, 3.3 për qind më i vogël se sa numri i votuesve “të majtë” në zgjedhjet e kaluara.
Kryemadhi dhe “kryemëdhenjtë” analistë bërtasin se në Shqipëri nuk votuan 85 për qind e votuesve.
Në këtë 85 për qind-ësh i bie të jem edhe unë që e kam emrin në listë dhe nuk kam votuar, i kam thënë “jo” 30 qershorit (!)
Në këtë përqindje i bie që të jenë edhe një e treta e shqiptarëve me emër në listën zgjedhore, mërgimtarë me banim të përhershëm apo të përkohshëm, legalë e ilegalë në mbarë botën.
Për ne askush nuk flet, përveçse kur është fjala për remitancat që sjellim në Shqipëri dhe i kemi mbushur asaj “barkun me bukë”.
Është folur deri në ngjirje për regjistrimin e emigrantëve. Edhe me vendim Kuvendi.
U krijua nën qeverinë Rama një ministri e veçantë për Diasporën. Majko, ministri i diasporës premtim të parë (gati betim) bëri “Regjistrimin e Diasporës”.
U bënë tashmë tre vite nga ngjitja e tij në drejtim të këtij dikasteri dhe asnjë emigrant nuk është regjistruar me emër e mbiemër, me letërnjoftim e me adresë fizike e elektronike në vendin ku punon dhe jeton si emigrant apo rezident.
Emigranti shqiptar vazhdon të jetë jetim, i harruar nga shteti dhe shoqëria shqiptare. Kjo sikur ta ketë zënë nëma “Tu harroftë emri”!
E deklaroj këtë unë për 5 pjesëtarë të familjes sime, me 4 vota, banues në Athinë të Greqisë.
Në regjistrin kombëtar për votimet flitet për 3.536.015 votues.
Sipas të dhënave zyrtare popullsia në Shqipëri në janar 2018 ishte 2.870.324 banorë me një diferencë prej 660.691 banorësh.
Një vështrim diagonal në zgjedhjet e zhvilluara në Shqipëri të nxjerr një numër prej 1.606.231 votuesish.
Diferenca midis numrit të votuesve në librin kombëtar të zgjedhjeve dhe votuesve realë është afro 2 milionë.
Më shumë se gjysma e votuesve shqiptarë nuk ka votuar në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara.
Në këtë shifër përqindjen më të madhe, determinuese e kanë emigrantët, farë e shpërndarë në të gjithë botën.
Në zgjedhjet e kaluara (vendore e kuvendare) e majta dhe e djathta, hapur, me para të dyshimta, kanë organizuar lëvizje në ditë votimesh të emigrantëve shqiptarë në Greqi me autobusë “blu” apo “rozë”, për votime në bashkitë kufitare.
Kjo ka qenë e vetmja “votë e emigrantëve” në këto tre dekada, në adresë të partive politike apo të minoritetit grek në Shqipëri.
Emigrantë nuk kanë dhe nuk kanë pas asnjë hapësirë për të thënë fjalën e tyre, në atdheun e tyre, për të sotmen dhe të ardhmen e Shqipërisë.
Nuk e thanë as edhe më 30 qershor 2019.
Kësaj here në mënyrë absolute. Asnjë autobus nuk u mbush për të përcjellë emigrantët nga Greqia për të votuar.
ASNJË.
Nuk kemi votuar dhe (siç duken bathët) nuk do të votojmë.
E derisa nuk na keni krijuar hapësirën për të votuar, mos na fusni në “85 për qind-sha”…
Kur na keni mohuar të drejtën e votës të paktën mos u tallni me ne.
Dhe dridhuni kur, më në fund, do të kemi në dorë “kartën votuese”…

Abdurahim Ashiku

Athinë 1 korrik 2019

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.