NATA E NEVRUZIT DHE KOKA NË DOLLAP

0

Pak humor, me pak kripë e piper

E tregojnë dhe qeshin. Humor llagapesh në Dibër që përcillen gojë më gojë dhe i japin lezet kuvendit.
Kësaj radhe për një fis me mbiemër KRYEMADHI…
Thonë se Nata e Nevruzit, një festë e vjetër pagane që lidhet me bukoliket e gjeorgjiket, ka një “dekik” që po e kape të bën të lumtur, të plotëson dëshirat që ke e i përcjell.
Ky “dekik” është në mesnatë, pikërisht në ndërrim të datës, në orën 00.
Kusht në këtë “dekik” është të nxjerrësh kokën në dollap (dritare) dhe të lutesh me formulën “Oj Nata e Novruzit më jep…”
Herët, shumë herët më parë, një njeri i varfër në një fshat me emrin e çuditshëm GREVË (!!!) shtyn me të dy duart hekurat e dollapit dhe nxjerr kokën jashtë.
Dhe lutet…
“Oj Nata e Novruzit më jep…”
Një vetëtimë kaloi në qiellin e natës, tregues se kishte ardhur “dekiku”, dhe i varfri i emocionuar në vend që të thoshte “Oj Nata e Novruzit më jep flori me shënejk” i shkau goja dhe tha: “Oj Nata e Novruzit ma bëj kokën shënejk”.
Nata e Novruzit ia plotësoi menjëherë dëshirën dhe koka e tij mori madhësinë e kubit prej druri, shinikut, që nxë brenda 20 kilogram drithë. I mbeti midis hekurave të dollapit, nuk lëvizte as para dhe as mbrapa.
Kryejashtë do ta gjenin të varfrin të nesërmen familja dhe komshinjtë.
Do të vinin ustallarët të shqepnin hekurat e të nxirrnin “Krye shinikun”…
Në fshat të gjithë do ta dallonin nga të tjerët me emrin “Kryemadhi”, emër që ndër vite e shekuj u trashëgua në pjesëtarët tashmë të një fisi.
Pasardhësit lindën dhe u rritën normalisht si të gjithë bashkëfshatarët e tjerë, do të merrnin emra katolikë, ortodoksë e myslimanë por për mbiemër që atëherë dhe sot e me siguri edhe në vitet e shekujt që do të vijnë do të mbanin llagapin KRYEMADHI…
Këtë e tregojnë edhe sot e kësaj dite në fshatin Grevë kufitar me fshatin Tren në afërsi të qytetit të Peshkopisë.
Nuk e di pse fshatin e kanë quajtur GREVË kur ai është një nga më të bukurit e Dibrës dhe fshatarët nga më të urtët dhe nuk njihen në histori për ndonjë grevë apo protestë përveç rasteve kur është dashur ta mbrojnë vendin nga synimi serb për të dalë në anën tjetër të brigjeve të Drinit e për të kapur Durrësin. Atëherë kanë përdorur pushkën…

Shënim: Rrëfenja nuk ka lidhje me ngjarjet e së hënës 18 dhjetor në Kuvendin e Shqipërisë.

Abdurahim Ashiku

Athinë 19 dhjetor 2017

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.