Mitingu si një meshë elektorale

0

Nga Ilir Yzeiri

Mitingu i Partisë Demokratike dhe opozitës në përgjithësi, u mbyll pa asnjë incident dhe nga ajo që u pa dhe nga ajo që raportuan mediet, pjesëmarrja ishte gati sa gjysma e atyre që morën pjesë më 18 shkurt. Përtej të gjitha pritshmërive, PD-ja e ktheu mitingun e saj nga një prolog revolucionar në një meshë ku u dëgjuan fjalë paqeje dhe lavdërimi për zgjedhjet e lira, shpresën, bashkimin, për Republikën e Re e kështu me radhë.

Lulëzim Basha kishte përgatitur një fjalim elektoral të cilin e kishte menduar në fillim si një artikulim për problemet ekonomike, për rritjen e pensioneve e rritjen e pagave. Më pas, nga problemet sociale kishte zgjedhur atë të arsimimit të rinisë dhe deklaroi aty se do të anulojë Ligjin e Arsimit të Lartë dhe, nëse ai vjen në pushtet, nuk do të mbetet i ri ose e re që dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë dhe që nuk ka mundësi ekonomike, pa u regjistruar në një universitet publik. Pas kësaj, ai nisi retorikën politike duke iu drejtuar turmës së pakët që të jenë të bashkuar dhe aty e paraqiti edhe njëherë veten si udhëheqës që do të sakrifikohet jo për veten e tij, por për ata që do ta ndjekin. Frazat e përgjithshme dhe retorika me fjalë abstrakte vizatonin një realitet që ekziston vetëm në ligjërim.

Edhe këtë radhë ai shpalli fitoren dhe fjalët “Shqipëri”, “Republikë”, “bashkim” përsëriteshin pa asnjë kuptim. Mbështetësit e tij në mitingun e PD-së dhe opozitës janë një pjesë e shqiptarëve që kanë të drejtën e tyre të ligjshme që të ndjekin forcën e tyre politike. Ndërkaq, Shqipëria është pluraliste dhe ashtu si PD dhe opozita edhe forcat e koalicionit qeveritar kanë të drejtën e tyre që të artikulojnë të vërteta të tjera dhe të ndryshme nga ato që artikuloi dje Lulëzim Basha. Ky është pluralizmi dhe kjo është demokracia. Ligjërimi i Lulëzim Bashës dje në mitingun e opozitës, në ndryshim nga fjalimet e mërzitshme dhe të lodhshme të Çadrës, ishte më i shtruar dhe më i përmbajtur. Në një rast, si për të ardhur keq, ai iu drejtua policëve që ruanin Kryemnistrinë me tonë atërore.

Të gjithë ata që e ndoqën dje Lulëzim Bashën mbetën të çuditur dhe vunë buzën në gaz gjithashtu sepse e panë më në fund që retorika e luftës që zotëronte në fjlaimet e çadrës nuk mund të përkthehet në përplasje civile. Mirëpo, përveç kësaj, mitingu i djeshëm na bëri që të nxjerrim edhe disa konkluzione të tjera. Konkluzioni i parë dhe më i rëndësishmi është ky: Shqipëria është pjekur politikisht dhe nuk ka asnjë rrezik të rrëshqasë në dhunë dhe në konfrontim social. Ky ishte mesazhi më i bukur dhe më i rëndësishmi që u dha dje. Pavarësisht se PD-ja dhe Lulëzim Basha po e përjashtojnë veten nga sistemi dhe po i kundërvihen atij, dje ata treguan se dhunën e kanë si frymëzim vetëm në ligjërim, por nuk e kanë si frymëzim edhe në jetë. Dhe kjo është për t’u përshëndetur. Natyrisht mund të bëhen shumë hamendësime se përsë dje në vend të dhunës pamë një miting  shumë paqësor, madje aq paqësor sa të vinte keq për PD-në që ishte bërë si një pulë e ngordhur apo si një gjel i rrahur. Megjithatë, pavarësisht kësaj, dje shqiptarët i dhanë një mesazh të mrekullueshëm gjithë botës dhe i qetësuan miqtë tanë amerikanë dhe europianë se Shqipëria dhe shqiptarët nuk duan të kthehen prapa. Askush nuk e di se çfarë mund të ketë ndodhur në prapaskenë dhe askush nuk e di se çfarë këshillash kanë dhënë miqtë tanë perëndimorë, por ajo që të gjithë e dinë është se vetëm dhuna nuk do të tolerohej dhe nëse do të kishte një të tillë, gishti do të vihej mbi Lulëzim Bashën.

Konkluzioni tjetër i rëndëishëm që mund të nxirret nga mitingu i djeshëm është se Partia Demokratike, për fat të keq, është në një kaos ideologjik dhe politik. Dje, protesta e gjatë prej më shumë se dy muajsh, mori një kthesë të papritur dhe nga frymëzim për revolucion u bë lutje për qëndresë të vazhdueshme dhe pa afat. Lulëzim Basha i ftoi ndjekësit e tij që të jenë gati se qëndresa do të vazhdojë derisa të realizohen zgjedhjet e lira dhe qeveria teknike. Tani, nëse PD-ja dhe opozita do të bëjnë pas tre muajsh apo edhe pas dy muajsh një protestë tjetër paqësore si kjo që bënë sot, do të bëjnë shumë mirë, por çfarë do të zgjidhin? Sepse një lëvizje e tillë politike që nuk ka objektiv të qartë për të realizuar bën efekt të kundërt. Siç dihet çdo ngjarje apo çdo lëvizje nis me nota tragjike dhe nëse qëllimi humbet kuptimin bëhet komedi.

Konkluzioni tjetër që mund të nxirret nga manifestimi paqësor dhe i gëzuar i mtingut të djeshëm është edhe imazhi i PD-së dhe i Lulëzim Bashës. Me sjelljen e djeshme Lulëzim Basha u përpoq që të tregojë se ai është një lider jo i dhunshëm. I akuzuar për fjalor të rëndë e luftarak, i shpallur lider që nuk dëshiron dialogun dhe refuzues ndaj miqve euroatlantikë, ai u përpoq të tregojë dje se nuk është i tillë. Të paktën nuk i nxit turmat për dhunë dhe konfrontim. Por çfarë kërkon? Pikërisht këtu fillon dhe drama e tij politike. Nga ajo që u pa dje, ai me të vërtetë as vetë nuk e di se çfarë kërkon. Në një rast të krijohej përshtypja se tani mund të pranonte edhe ndonjë kompromis, pastaj si në ëndërr përmendej dhe i dukej se dikush e shihte vëngër dhe përmendte qeverinë teknike. E shpalli të realizuar ndërtimin e “Republikës së Re” dhe të përmbysur “Republikën e Vjetër”, por kjo përmbysje ndodhi vetëm në ligjërimin e tij sepse, mesa duket, zgjedhjet do të mbahen më 18 qershor dhe PD-ja dhe opozita nëse do të sillen kështu do ta shohin veten jashtë sistemit.

Ka edhe një shpresë të fundit. Ditën e hënë vjen në Shqipëri Zv/ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, zoti Hoyt Brian Yee. Ai nuk do të gjejë një Shqipëri me institucione të dhunuara si në Maqedoni, por do të gjejë një Shqipëri normale me një pjesë të klasës politike që po shfaq një sjellje pak absurde, që ka shpallur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje dhe që kërkon qeveri teknike. Kam përshtypjen se ajo që do t’i bëjë përshtypje zyrtarit të lartë amerikan do të jetë konteksti i ultimatumit të opozitës. Si ka mundësi të kërkosh largimin e qeverisë dhe zemërimin politik ta shpallësh si një festë? Nëse fjalimi i djeshëm i Lulëzim Bashës ishte prologu u programit elektoral, kam përshtypjen se zyrtari i lartë amerikan do të arrijë ta bindë PD-në që të futet në zgjedhje dhe luftën për Republikën e Re ta bëjë si një forcë politike brenda një koalicioni që do të shfaqet si alternativë e PS-së që udhëhiqet nga Edi Rama.

Nëse do të ndodhë kështu, askush nuk del i humbur, të gjithë dalim të fituar sepse Shqipëria dërgon një imazh tjetër në Perëndim dhe aleatët tanë kanë një detyrmi më shumë që ta mbështesin vendin tonë, Kosovën dhe çështjen e shqiptarëve në Maqedoni.

Dje Shqipëria fitoi. Mitingu i djeshëm ishte si një meshë dhe kjo është një gjë e mirë. Ne shqiptarët kemi nevojë të lutemi dhe të falim.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.