Më mirë 40 deputetë apo 40 shkolla shqipe në Greqi ?

0

Shqipëria ka 140 deputetë. Numër tepër i madh për një vend me një hemorragji të jashtëzakonshme të banorëve të saj. Edhe pse ka kaluar më se një çerek shekulli nga eksodi masiv i shqiptarëve, përsëri erozioni njerëzor vazhdon me shpejtësinë e rrebeshit nga pas.

E “përkthyer” në shifra popullsia e Shqipërisë nuk është as sa gjysma e popullsisë së saj në vitin 1990.
Gjysmën e saj do ta gjesh në Greqi, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Kanada…ku lind e perëndon dielli,
Parë në këtë vështrim, kuvendi i dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992, kuvend me 140 deputetë, në legjislaturat vijuese duhet të ishte parë në zvogëlim në raport me popullsinë që përfaqëson.
Për mendimin tim edhe 100 deputetë sa propozoi të enjten deputeti Blushi, janë shumë. Shqiptarët nuk kanë pse të mbajnë mbi kurriz një numër kaq të madh “përfaqësuesish”, të paguajnë nga djersa çurg e tyre 3700 dollarë (titulli i një gazete sot) në muaj për çdo deputet. Është një barrë e rëndë që u shtohet barrëve të tjera (afër 500 euro në muaj për çdo të burgosur, pagesave për të përndjekurit e diktaturës, pagesave për ushtarakët, pagesave për kompensimin e pronave, taksave e tatimeve etj., shuma dhe emërtime që nuk i ka asnjë vend i botës. Besoj se në këtë pikë mbajmë vendin e parë në botë.
Shkurtimi i numrit të deputetëve, kufizimi i pagave dhe privilegjeve të tyre si pjesëmarrës në komisione e të tjera forma “të ligjshme” duhet të ishte bërë me kohë. 3700 dollarë në muaj për një popull në zgrip të jetës, për një mësues që i jep jetë e dije një brezi të tërë, për një pensionist që nuk merr as 100 dollarë në muaj, për një njeri në ndihmë sociale që nuk merr më shumë se 50 dollarë në muaj…është një diferencë që e kalon kufirin e jetesës në Shqipëri. Është një dhimbje njerëzore që nuk e mban asnjë kandar.
E kam shkruar edhe herë të tjera, ia kam thënë edhe deputetit Blushi në takimin me emigrantët shqiptarë në Athinë kur erdhi për të promovuar “Kandidati-n” që të ngrihet në Kuvend dhe të marrë nismën ligjore që mësuesit në Greqi, të cilët tash 15 vjet i mbledhin fëmijët ku të mundin dhe u mësojnë si nën shekullin e 19-të nën pushtimin otoman të shkruajnë, lexojnë e këndojnë gjuhën e lashtë shqipe, pa asnjë shpërblim e mbrojtje ligjore, të kenë të njëjtin status si të gjithë mësuesit në Shqipëri. Iu kërkua që për ta, për më se gjashtëdhjetë mësues në të gjithë hapësirën e Greqisë, që nga Kavalla, Selaniku, Kallabaka, ishujt e Egjeut e deri në Korinth, Patra e Arta, të ketë një ligj të veçantë miratuar në Kuvend, ligj me të njëjtat fjalë e nene sa ligjet që ka miratuar Kuvendi më i ri në botë, Kuvendi i Kosovës në adresë të mësuesve kosovarë në mërgim. As më shumë dhe as më pak.
Fëmijëve të emigrantëve në numër afërsisht të barabartë me numrin e si moshatarëve të tyre në Shqipëri, nga papërgjegjësia e shtetit të të dy ngjyrave, u është shuar drita e dijes së gjuhës së nënës, janë drejt asimilimit të plotë gjuhësor.
Do të ishte mirë që deputeti Blushi, në kërkesën e tij që Kuvendi të ketë 100 deputetë të shtonte, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, që për fëmijët e shtetasve shqiptarë në Greqi dhe në vendet tjera të Evropës e botës, të hapeshin me shpenzimet e plota të shtetit 40 shkolla.
Lexuesit, pushtetarëve që nga Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe të tjerë dua t’i pyes:
MË MIRË 40 DEPUTETË APO 40 SHKOLLA SHQIPE NË GREQI?…
DHE NË BOTË?

9 (2)

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.