Ministri i Brendshëm, Xhafaj ka qenë i ashpër me policët gjatë takimit me Ramën

0

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka qenë i ashpër me policët në takimin me Ramën.  “Jashtë çdo formalizmi që karakterizon thëniet dhe deklarimet në takimet zyrtare, apo jo të tilla, mbi zotimet, objektivat, planet, strategjitë, vullnetet mbi çështjet e rendit publik, dhe jo vetëm, në përgjegjësinë e Ministrit të Brendshëm, të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit, dua t’ju them se jam plotësisht i ndërgjegjshëm për rëndësinë themelore që ka sot rendi dhe siguria si dhe sa e rëndësishme është përgjegjësia që kam dhe puna që unë si ministër duhet të bëj në lidhje më këtë çështje.

Ndaj, ashtu sikurse unë si drejtues politik i këtij institucioni edhe ju si struktura teknike që keni përgjegjësinë kushtetuese dhe ligjore për rendin dhe sigurinë publike, dua ta them që në krye të herës, se nuk mundet ta ushtroni këtë përgjegjësi dhe nuk mundet të përmbushni objektivat që keni, nëse nuk jeni të ndërgjegjshëm për çfarë përfaqësoni dhe për çfarë duhet të bëni.

Të jesh punonjës i policisë së shtetit, pra të jesh ai që me punën që kryen, bën që jeta dhe pasuria e qytetarit të këtij vendi të jenë të pacënuara nga keqbërës të ndryshëm, do të thotë që je duke ushtruar një funksion shërbyes publik shumë të rëndësishëm, në mos më i rëndësishmi.

Ndaj është e logjikshme që ata që shërbejnë në këtë detyrë duhet të jenë më së pari persona me integritet të lartë personal dhe po ashtu duhet të kenë aftësi të spikatura profesionale. Dhe kjo çfarë them nuk është një sentencë formale.

Të punosh për të ruajtur jetën dhe pasurinë e qytetarëve të vendit tënd dhe ta mbrosh atë nga keqbërës të ndryshëm nuk është një punë e lehtë. Përkundrazi është një punë shumë e vështirë. Vështirësia e saj shkon deri në sakrifikimin e jetës.

Ndaj nëse dikush nuk e kupton kështu qënien anëtar të Policisë së Shtetit, por përkundrazi e shikon atë si mjetin për të përmbushur interesat të tij të paligjshme, apo edhe më keq e shfrytëzon qënien në policinë e shtetit për interesa kriminale, është më mirë të largohet nga kjo organizatë.

Dëmi që i shkakton shoqërisë dhe interesit publik një punonjës policie i paaftë, apo më keq akoma i korruptuar dhe/ose i lidhur me krimin, është me pasoja shumë të rënda se çfarë çdo zyrtar tjetër i shtetit do të dëmtonte me veprimtarin e vetë të paligjshme, deri edhe kriminale.

Ndaj unë i kam mëshuar fort objektivit të Vetting-ut në polici.

Ky aksion nuk është një zotim i imi thjesht e vetëm si vazhdimësi e procesit të reformimit të drejtësisë, përfshi edhe drejtësinë penale, apo për të fituar kredo politike qeveria ku unë bëj pjesë. Ky proces synon të pastrojë sa më shumë të jetë e mundur policinë nga njerëzit e korruptuar dhe inkriminuar në radhë të parë, si edhe të largojë të paaftët nga kjo organizatë.

Jam shumë i gëzuar që ky projekt ka marrë një mbështetje të gjerë edhe në radhët e policisë së shtetit.

Nga ana tjetër është rasti të theksoj dhe ju të mbani fort në vëmendje që procesi i Vetting-ut njëkohësisht dhe para së gjithash synon të promovojë dhe “të nxjerrë në dritë” të gjithë ata djem dhe vajza, burra dhe gra të ndershëm, profesionistë dhe me integritet të cilët shërbejnë dhe drejtojnë sot në Policinë e Shtetit.

Ne do të mbështesim, promovojmë dhe punojmë fort me këtë grup profesionistësh dhe njerëzish me integritet për të rikonfirmuar besimin e qytetarëve tek Policia e Shtetit, besim i cili është lëkundur me ngjarjet e muajve të fundit.

Dëshiroj të theksoj sot para jush edhe një gjë të rëndësishme për mua. Nuk kam asnjë ambicie personale për karrierë politike në ushtrimin e funksionit aktual. Jam plotësisht i realizuar nga kjo pikëpamje. Ndaj e vetmja ambicie ime në ushtrimin e kësaj detyre është një Shqipëri më e sigurtë për të gjithë.

Një Shqipëri ku nuk kultivohet kanabis. Një Shqipëri pa krim të organizuar. Një Shqipëri ku krimi ndihet gjithmonë i kërcënuar dhe ku së bashku shpëtojmë e sigurojmë më shumë jetë njerëzish dhe kryesorja, parandalojmë përfshirjen e të rinjve në rrugën e krimit. Një Shqipëri më të drejtë dhe më të sigurtë.

Do të mbështes dhe inkurajoj këdo që ka integritetin moral, kapacitetin profesional dhe dëshirën e sinqertë për të punuar ndershmërisht në Policinë e Shtetit.

Masat disiplinore, në përputhje me ligjin, të marra nga drejtuesit e policisë së shtetit, gjatë kësaj periudhe të qënies sime në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, kanë qënë në disa raste radikale. Por gjithsesi ato kanë qënë të domosdoshme dhe në raport plotësisht të drejtë me dëmin e shkaktuar, si dhe janë në përputhje me qëllimin imediat për forcimin e rendit e të sigurisë, si dhe kthimin e besimit të qytetarit tek policia.

Sfidën e de-kanabizimit të vendit jemi duke e fituar përfundimisht. Në një bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë, e kryesisht me strukturat policore të Italisë mike, jemi duke arritur rezultate të mira edhe në luftën kundër narkotikëve.

Rezultatet pozitive në këtë fushë, dhe përgjithësisht në treguesit kryesorë të kriminalitetit gjatë këtij viti janë ndër të tjera edhe meritë e punës në ekip dhe një menaxhimi më të mirë të strukturave të Policisë së Shtetit nga drejtuesit e rinj të policisë së qarqeve.

Siç e kam bërë të njohur edhe më parë me kërkesën e qeverisë shqiptare, në fillim të nëntorit do të vendosen këtu në ministri për të punuar së bashku me ne, ekspertë të FBI si dhe të Ministrisë Federale të Gjermanisë,

dhe në vijim edhe nga vendet e tjera partnere, të cilët do të ndihmojnë për evidentimin dhe kapjen e anëtarëve të organizatave kriminale, kryesisht atyre që janë të përfshira në trafikun e drogës, armëve dhe në përgjithësi në krimin e organizuar, por edhe për goditjen e korrupsionit dhe pastrimit të parave.

Së bashku, prej dy muajsh kemi punuar për të përgatitur një Strategji e Plan Veprimi ambicioz që synon realizimin e një operacioni të gjerë ndërinstitucional me përfshirjen e të gjithë agjencive ligj zbatuese në vend, të cilin shumë shpejt do ta prezantojmë edhe publikisht.

Jo për konformitet tradite, por sinqerisht dua të falënderojë partnerët tanë ndërkombëtarë për ndihmën dhe mbështetjen e madhe që janë duke na dhënë në këtë fushë.

I nderuar zoti Kryeministër,

Ekipi drejtues politik i Ministrisë së Brendshme, i plotësuar së fundmi edhe me 4 zëvendësministra të rinj, formimi dhe energjia e të cilave besoj fort se do të jenë një vlerë e shtuar, së bashku me ekipin drejtues të policisë shtetit dhe stafit të ministrisë kanë përgatitur Dokumentin Politik të Prioriteteve Strategjike të Ministrisë së Brendshme për mandatin e ri qeverisës, të cilin e bëjmë publik sot në këtë takim.

Ky Dokument në përputhje të plotë me programin e qeverisë që Ju drejtoni, prezanton 10 prioritetet kyçe të punës sonë, objektivat dhe masat kryesore në zbatim të tyre dhe shoqërohet

nga një Plan Veprimi i detajuar me kohën, mjetet, mënyrat për përmbushjen e tyre, çka do të thotë njëherësh edhe më shumë transparencë e monitorim në punën tonë.

Ai është produkt i një analize të kujdesshme të arritjeve të deritanishme, të problemeve dhe të sfidave që kemi përpara.

Ky dokument ndjek standardet më të mira ndërkombëtare dhe është rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm me Agjencitë ligj zbatuese në vend, profesionistë të së drejtës penale, shoqërinë civile dhe publikun.

Dokumenti i Prioriteteve është konsultuar gjerësisht dhe ka marrë mbështetjen aktive të misioneve të asistencës ndërkombëtare pranë nesh si: PAMECA-s të BE, ICITAP të SHBA

si dhe oficerëve të kontaktit të disa prej vendeve anëtare të BE, në Tiranë.

Gjej rastin të falënderoj të gjithë dhe secilin prej tyre për kontributet me vlerë që kanë dhënë, duke bërë të mundur që ky Dokument të paraqitet në përmbajtjen dhe formën që ka sot.

Përmbushja me sukses e prioriteteve të paraqitura është me rëndësi të jashtëzakonshme në rrugën e Shqipërisë drejt bashkimit Europian.

Si ministër i Brendshëm, inkurajoj dhe mbështes fuqimisht të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit në punën e tyre fisnike në shërbim të qytetarëve dhe në zbatim të ligjit dhe vetëm ligjit, si rruga e vetme për përballimin me sukses të sfidave të së ardhmes.

Rruga që kemi përpara është e gjatë dhe jo e lehtë, është një rrugë që kërkon shumë angazhim, punë dhe sakrifica. Jam i bindur se nëse të gjithë së bashku do të punojmë ndershmërisht dhe me përkushtim, me siguri që do të kemi rezultate shumë të mira.

Puna që ne bëjmë për të siguruar rend dhe qetësi është drejtpërsëdrejti në interes të familjeve tona. Ndaj ju ftoj që ti përgjigjeni me profesionalizëm dhe me përgjegjësi qytetare sfidave që na presin” deklaroi Xhafaj.

Share.

About Author

Leave A Reply