MËSUESES MIMOZA BEJKOLARI DAKO
SHKËNDI QË NDEZI ZJARRIN E GJUHËS SHQIPE
NË GREQI I MERREN NXËNËSIT E SHQIPES!!!
LAPSH i Zvicrës në rolin e Drejtorisë Arsimore allashqiptarçe…!!!
Mimoza bën
thirrje:
Nuk mjafton t’i kryqëzojmë duart e ta bëjmë shqiponjën! Por, t’i përvishemi
punës humane e kombëtare dhe, ta përhapim me dinjitet mësimin plotësues ne
gjuhen shqipe, kudo….
Nga Abdurahim Ashiku
Mimoza Bejkollari Dako është
nismëtarja e parë, shkëndija e parë që ndezi zjarrin e mësimit të gjuhës shqipe
në Greqi, zjarr që prej 7 marsit 2001 nga Selaniku është përhapur në të gjithë
hapësirën gjeografike të Greqisë. Ajo është vlerësuar me dekoratë të veçantë
nga Samiti II i Diasporës.
Mimoza Bejkollari Dako tash tre vjet është mësuese e gjuhës shqipe në Zvicër.
Mimoza Dako edhe atje me vullnet e dashuri për gjuhën shqipe uli në bankat e
shkollimit aq nxënës sa do ta kishte zili çdo klasë e mësimit plotësues në
mërgatë.
I thanë se për të qenë mësuese duhet të zotërojë gjuhën gjermane.
Këmbëngulëse si gjithnjë ajo iu fut studimit dhe tash e njeh gjuhën gjermane me
provim shtetëror.
Mirëpo LAPSH (Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër), si të
ishte Drejtori Arsimore partiake ia hoqi klasën, ia hoqi nga bankat nxënësit që
i do dhe e duan.
Në një letër në adresën time ajo bën thirrje:
Le të punojmë të
gjithë se bashku, prindër e mësues, që fëmijët tanë t’i bëjmë të vetëdijshëm
dhe krenarë për identitetin, kulturën dhe gjuhën e tyre!
Nuk mjafton t’i kryqëzojmë duart e ta bëjmë shqiponjën! Por, t’i përvishemi
punës humane e kombëtare dhe, ta përhapim me dinjitet mësimin plotësues ne
gjuhen shqipe, kudo….
Lexo:https://l.facebook.com/l.php?u=https%3A%2F%2Fwww.radiokosovaelire.com%2Flidhja-e-arsimtareve-dhe-e-prinderve-shqiptare-ne-zyrih-flak-ne-rruge-mesuesen-e-gjuhes-shqipe%2F%3Ffbclid%3DIwAR1WGwgR374CWNtao6xCMa06p5eSQnP6DVekKpx3qQNFQHBn8bT-4GGTDuw&h=AT1sJTV97D4I6Ch4zp__uVqNXKZmXcrkLaObfu23LKkTljjbwxlpRD9grwl03YQK5lzr7acpaEqgI3pT4VWsS1ZIgJBCLY0ExZ-3u0RUWsrWcpxq9iJWl5ZJGXxyMlU
Po kush është Mimoza Bejkollari
Dako…
Nga libri “Shkolla shqipe e Selanikut” disa penelata në portretin e saj
MIMOZA (BEJKOLLARI) DAKO
Aktiviste dhe iniciatore e Mësimit të Gjuhës Shqipe tek fëmijët e emigrantëve Selanik (2001-2012)
Kanë kaluar plot 12 vjet! E them dhe më duket
çudi, sa shumë kohë paska kaluar që prej 7 Marsit 2001! Është e vështirë të
kujtosh çdo detaj me saktësi, por ato momente
që mbetën në kujtesën time dhe jo vetëm, për vetë vlerën e tyre madhore,
do të mbeten të paharrueshme për të gjithë ne.
Kur them ne, nënkuptoj së pari veten time, bashkëshortin tim, anëtarët e
shoqatës “Shqiptarët e Selanikut” si dhe mësuesit e gjuhës shqipe në emigracion,
së bashku me të cilët ndezëm shkëndijën e mësimit të gjuhës shqipe në qytetin
Helen, në Selanik. prej kohësh më mundonte pamundësia për t’u mësuar fëmijëve
tanë gjuhën amëtare. Shikoja prindër në ambiente të ndryshme që u flisnin
fëmijëve greqisht, por kur ata lëndoheshin apo grindeshin, sharjet dhe
përkëdheljet u dilnin në shqip! Kishte madje nga ata prindër të cilët nuk donin
t’ua mësonin fëmijëve shqipen (paçka se vetë greqishten e flisnin si mos më
keq) me pretekstin se kjo gjuhë nuk do t’u hynte më në punë pasi për ta
Shqipëria ishte një vend jo i dëshiruar për të jetuar! Duke qenë se ndoqa një
kurs trajnimi për emigrantët më 1999, më pas punova si këshilltare në zyrën e
mbështetjes së emigrantëve në MAK.IN.e (Instituti Maqedon i punës), në kuadër
të këtij programi, qendra punëtore e Selanikut mundësoi hapjen e “Vatrës së
emigrantit” në zemër të Selanikut, në zonën e Vardarit. U bënë takime të
njëpasnjëshme mes përfaqësuesve të shoqatave të emigrantëve nga vende të
ndryshme. Mes tyre isha dhe unë si përfaqësuese e shoqatës “Shqiptarët e
Selanikut”, si dhe Aleks Janaqi nga Shoqata e punëtorëve GrekoShqiptarë
“progresi”. Në dhjetor të 2000 u inagurua hapja e kësaj vatre. Më në fund do të
kishim një ambient falas, ku çdo shoqatë emigrantësh mund të vinte të
organizonte aktivitetet e saj, të pinin një kafe apo dhe thjesht të gjendeshin
bashkë. Ambienti komod dhe pozicioni në të cilin ndodhej bënte të favorshëm
frekuentimin në këtë vatër. Duke qenë në këto rrethana më lindi ideja përse mos
ta shfrytëzonim këtë vend për të bërë kurse falas për fëmijët tanë? por si, me
kë, me çfarë mjetesh…? Fillimisht bisedova me mësuesen Merita papadhimitri
(kisha pak kohë që e kisha njohur) duke i thënë për idenë që kisha dhe se a do
të pranonte të fillonim bashkë këtë mision, sigurisht pa pagesë. Ajo pranoi
menjëherë. por më parë më duhej të sigurohesha a do të më lejohej një gjë e
tillë nga financuesit e kësaj vatre. Në shumicën e rasteve kur flitej për
mësimin e gjuhës shqipe shumë grekë thoshin se “atë ta mësoni në vendin tuaj”!
Atëherë vendosa të bisedoj me drejtorin e Institutit Maqedon të punës
(MAK.IN.e), z. Kosta pargaliota. Ai pa hezitim më tha se ishte ide shumë e mirë
dhe se mund të organizonim kurse të tilla në “Vatrën e emigrantit”. U gëzova pa
masë! Më kishte pushtuar një zell dhe optimizëm dhe ndihesha e sigurt se
gjithçka do të shkonte më së miri… Duke marrë shkak nga Festivali i 2-të
Antiracist në Selanik (në vitin 2000), që atëherë u bë në ambientet e limanit
(portit), në stendën e shoqatës vura lajmërimin për fillimin e kurseve të
gjuhës shqipe falas për fëmijët e emigrantëve shqiptarë. po kështu dhe në
gazetën e ATHINËS. Me ndihmën e z. Fatmir Toçi, siguruam abetaret e para
dhuratë prej tij. Këtë aktivitet e transmetoi edhe kanali lokal i televizionit publik
eRT-3 nëpërmjet z. Dhori qirjazi, i cili në atë kohë jepte emisionin në gjuhën
shqipe çdo të shtunë. Mbetej të caktohej vetëm data. Dhe nuk kishte datë më të
bukur dhe më simbolike se 7 Marsi, festa e Mësuesit! Kështu ëndrra mori rrugën
drejt realizimit. Në lajmërimin e gazetës kërkoja dhe ndihmën e mësuesve të
cilët ishin të shumtë në atë qytet. Mbas takimeve të shumta, shumë prej tyre u
larguan kur mësuan
se nuk do të paguheshin (me të drejtë!), por kishte dhe nga ata të cilët e përqafuan menjëherë këtë ide. U bëmë katër: unë, Merita papadhimitri, Dhimitra Malo, Dashmir Zaçe. Nëpërmjet një telefoni fiks, telefon i shtëpisë së anëtares së kryesisë së shoqatës sonë, zj. Valbona Rudi, filluan regjistrimet e fëmijëve të parë.
Po afronte 7 Marsi…
Së bashku me
bashkëshortin e me ndihmën e A. Janaqit transportuam bankat e dërrasën e
bardhe, (jo të zezë), për klasën e fëmijëve…. Kur çdo gjë ishte gati, pak ditë
para datës së caktuar, më thirri në zyrë drejtori. Ishte serioz dhe i
shqetësuar. Një parandjenjë e keqe më përshkoi shpirtin… Me një ton që
asnjëherë s’më kishte folur më parë, më pyeti se ç’është ajo shkollë shqipe që
po hapim. Siç më tha kishte marrë sinjalizime nga sigurimi grek (asfalia). Me
zë të dridhur dhe me një lëmsh që më ishte mbledhur në grykë iu përgjigja se
ishte pikërisht ajo për të cilën kishim folur dhe rënë dakord që në fillim, për
kurse falas të gjuhës shqipe, ashtu si dhe mësuesit grekë jepnin mësime falas
në atë institucion për emigrantët. Më tha që të ndaloja menjëherë çdo lëvizje
derisa të më thoshte ai. Brenda meje u shemb diçka, m’u prenë gjunjët, u
zhgënjeva, por mbi të gjitha përfytyroja se si do t’u dilja përpara gjithë
atyre njerëzve të cilët e dinin se më 7 Mars do të festohej festa e Mësuesit
dhe se do të fillonin kurset e shqipes. U përlota, s’e mbajta dot veten… Ai më
pa dhe duke e zbutur tonin më tha të bëja pak durim. Durim! Fjala e parë që
mësova në greqisht… U largova duke sharë dhe mallkuar veten se si arrita të
ngatërrohesha kaq keq, ç’pasoja do të kisha unë dhe familja ime, çdo të bëhej
me gjithë atë mobilizim që ishte bërë në media, mes njerëzish të thjeshtë,
prindër, mësues… Ishte një goditje e rëndë që i bëhej besimit se diçka do të
bëhej për këtë çështje, mësimin e gjuhës amëtare! për këtë gjë fola vetëm me edin,
bashkëshortin. Dhe pritëm… Nuk e mbaj mend sa ditë prita, sa nuk plasa nga
ankthi derisa më thirri përsëri drejtori në zyrë. për çudinë dhe fatin tim të
mirë ai më tha se mund të vazhdonim rrugën e nisur, madje më tha se nëse do të
keni ndonjë problem mund të kontaktoja me të pa hezitim!! Nuk mund ta besoni sa
u gëzova! Prisja me padurim 7 Marsin. Një natë më parë, së bashku me Dh. Malon
e I. Floqin pastruam dhe rregulluam çdo cep të Vatrës. Madje djali i Dh. Malos
kishte printuar gërmat shumëngjyrëshe (si ylber) të urimit “GEZUAR 7 MARSIN!”,
të cilat duken dhe në foton e mësuesve që bëmë atë pasdite…
Dhe dita e shumëpritur erdhi. Nuk e mohoj që frika dhe gëzimi ishin bërë njësh
në shpirtin tim… porositëm 40 karafila (aq mundëm me fondet e shoqatës) për mësuesit
që menduam se do të vinin. Salla po mbushej. Vinin njerëz që i njihja e që nuk
i njihja. Në tryezën ku do të flisja mbaja abetaren dhe fletë ku kisha shkruar
diçka për të thënë. Thirra pranë meje mësuesen Dhimitra Malo si dhe mësuesin
përmetar Dashmir Zaçe. Duke qenë se dhe origjina ime është nga përmeti, një
arsye më shumë më bëri që për këtë njeri të krijoja respekt të veçantë…
Fëmijët, midis tyre dhe vajza ime, Katerina, vinin rrotull të shkujdesur… Ata
nuk e njihnin këtë festë, nuk kishin sesi ta dinin, por mësuesit dhe prindërit
e pranishëm ishin po aq të emocionuar sa dhe ne organizatorët e kësaj
ngjarjeje. Në një moment, një anëtar i shoqatës sonë kërkoi që mësuesit që
ndodheshin në atë sallë të ngriheshin në këmbë dhe të pranonin një karafil në
shenjë mirënjohjeje nga fëmijët për festën e tyre, 7 Marsin. Surpriza ishte se
në sallë kishte më shumë se 40 mësues… Nuk na dolën karafilat për të gjithë. Më
pas folën prindër e mësues duke na përgëzuar për këtë nismë kaq të bukur por
dhe po aq të guximshme për kohën dhe vendin ku jetonim. Disa prej tyre shkruan
dhe përshtypjet e tyre ne ‘Librin e përshtypjeve të shoqatës”. Në një moment
qetësie, me abetaren në dorë ftova mësuesin Dashmir Zaçe të jepte orën e parë
të mësimit fëmijëve që ishin të pranishëm.
U ndjeva e lehtësuar. Kaq ishte! Filloi… Ndërkohë m’u afruan dy mësuese nga
Korça, J. Gogo dhe M. Demollari. Ato shprehën dëshirën të vinin falas për t’u
dhënë mësim fëmijëve. Mësuesit po shtoheshin… Na mbetej të shtohej edhe numri i
fëmijëve. Vendosëm mësimet të bëheshin çdo fundjavë, paradite. Kështu filloi
rrugëtimin ”Dallëndyshja e parë e mësimit të gjuhës shqipe”… Fëmijët vinin me
dëshirë dhe ne mësuesit ndiheshim të dobishëm dhe krenarë. Më vjen mirë që
mundëm përsëri të bëheshim mësues, të përjetonim atë eksperiencë që secili prej
nesh e kishte provuar në atdhe, kush më shumë e kush më pak, por në kushte të
tilla asnjeri prej nesh nuk e kishte përfytyruar se do të ndodhte. Asgjë nuk
është e pamundur dhe asgjë nuk është e rastësishme… Sot numërohen dhjetëra
kurse në të gjithë Greqinë. Mësues vullnetarë, në kuadrin e shoqatave u japin
mësim fëmijëve të emigrantëve shqiptarë, u mësojnë ABC-në.
Kanë kaluar vite e
përsëri kjo plagë vazhdon të jetë e hapur. Jam e bindur se po të mos ekzistonte
dëshira e madhe e sakrificës së këtyre mësuesve, asgjë nuk do të bëhej. Nga
shteti shqiptar përveçse disa libra e abetare (për ambiente as që bëhet fjalë)
nuk ka pasur asnjë mbështetje tjetër. Vetëm premtime boshe! Nuk ka pasur
asnjëherë mbështetje morale, përkundrazi vetëm stepje të cilën e kanë mbjellë
në forma të ndryshme…
Do të doja ta mbyllja rrëfimin tim, por s’mundem… M’u kujtua diçka tjetër në
lidhje me këtë të fundit. Më kujtohet se përpara se të fillonim kurset e gjuhës
shqipe, kërkuam një takim dhe në Konsullatën shqiptare të hapur para pak kohe
në qytetin e Selanikut, për të vënë në dijeni edhe përfaqësinë e shtetit tonë,
si dhe për të kërkuar mbështetjen e tij.
pasi Konsulli i përgjithshëm i atëhershëm z. N. Dhamo pranoi të na priste në
hollin e konsullatës (paraprakisht i kishim dërguar një kërkesë zyrtare për
takim me shkrim, me anë të së cilës na kërkohej të sqaronim dhe arsyen se përse
e kërkonim këtë takim, si dhe personat që do të ishin prezent), dhe u njoh nga
afër për ato çka ne po përgatiteshim, tregoi mosbesimin e tij për pjesëmarrjen
e prindërve dhe të fëmijëve në këto kurse. Asgjë më tepër, asgjë më pak. Perveç
kësaj dhe pas 7 Marsit, në prill të po atij viti një grup i kryesisë së
shoqatës sonë, duke shfrytëzuar pushimet e pashkëve, arritëm të realizonim
takime me përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare. Dhe a e dini se cila
ishte surpriza më e bukur? Z. Paskal Milo, Ministër i Jashtëm atëherë, pasi na
dëgjoi me vëmendje na tha: “A e keni në statusin e shoqatës suaj mësimdhënien e
gjuhës shqipe?!”
Falenderoj z. Abdurahim Ashiku, gazetarin, mësuesin, mikun dhe mbështetësin e
vetëm besnik që nuk na ndahet hap pas hapi ne mësuesve të emigracionit. Unë
thashë se shpëtova, se tani jam kthyer në Atdhe, por me sa duket këmbëngulja e
tij më bëri që të shkruaj këto faqe kujtimesh… Tani që më zgjoi kujtimet do të
vazhdoj t’i përgjigjem dhe nuk do ta lë më të më presë…
Tiranë, 3 qershor
2013.