Meta dekreton qeverinë ‘Rama 2’

0

Presidenti Ilir Meta ka dekretuar të gjithë ministrat e rinj të kabinetit qeveritar të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Pas himnit të flamurit, sekretari i Përgjithshëm i Presidencës ka deklaruar se betimi hyn menjëherë në fuqi, ndërsa pas kësaj, kryeministri Edi Rama ka nënshkruar formulën e betimit, i ndjekur nga edhe nga ministrat.

Në fjalën e mbajtur për rastin, Presidenti Meta vuri theksin se zbatimi sa më i shpejtë i reformës në drejtësi dhe bashkëpunimin e ngushtë midis mazhorancës dhe opozitës për reformat kyçe.

MetaShqipëria dhe shqiptarët presin nga qeveria e re, Parlamenti i ri, mazhoranca dhe opozita përgjegjësi më të mëdha për sfidat që kemi më përpara.

Si president i Republikës, dua të theksoj rëndësinë e jashtëzakonshme për përshpejtimin e reformës madhore në drejtësi, në mënyrë që të krijohet sa më shpejt institucionet e reja në drejtësi, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.

Integrimi evropian është aspiratë kombëtare, ndaj besoj që mazhoranca dhe opozita do të bashkëpunojnë ngushtë për realizimin e këtij objektivi të përbashkët madhor dhe për përmbushjen e gjithë reformave kyçe me qëllim çeljen e negociatave për anëtarësimin sa më shpejt që të jetë e mundur.

Dua t’ju uroj suksese në përmbushjen e përgjegjësive që ka qeveria për përballimin e sfidave që lidhen me sigurinë kombëtare, luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar dhe rreziqeve që vijnë nga jashtë.

Modernizimi i Forcave të Armatosura, janë domosdoshmëri që do të rrisin më tej standardet e sigurisë kombëtare por edhe rolin tonë si vend anëtar i NATO-s. Roli i Shqipërisë është kyç. Besoj që qeveria e re do të punojë fuqishëm për bashkëpunimin e mëtejshëm me fqinjët.

Jam shumë i gëzuar që qeveria e re e ka pagëzuar vitin 2018 si vitin e Gjergj Kastriot Skënderbeut. Dua të përgëzoj nismën tuaj. Heroi është simbol i unitetit.

Kabineti i ri qeveritar ka 14 ministra, shumë më i vogël në numër se kabineti i shkuar i qeverisë “Rama 1”.

Ndërkohë, është zbardhur edhe rendi i ditës i mbledhjes së parë të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Ashtu sikurse është paralajmëruar më herët nga vetë Rama, vendimi i parë do të jetë shpallja e vitit 2018 si vit i Skënderbeut, ku edhe do të ngrihet një komision i posaçëm.

Gjithashtu, do të miratohet procedura e përzgjedhjes së kandidatëve të komisionit të prokurimit publik, do të miratohen rregullat për përfitimin e shërbimeve publike elektronike, si dhe dhënia e dy godinave për ngritjen e organeve të reja të Vettingut.

Share.

About Author

Leave A Reply