Mësuesi mërgimtar Dashmir Zaçe më 7 mars 2001

0

 

Në 2 vjetorin e Ikjes

MËSUESI MËRGIMTAR DASHMIR ZAÇE MË 7 MARS 2001…

Nga Abdurahim Ashiku, gazetar

*  Kur shkrova librin “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”, nuk e gjeta gjëkundi fjalën e plotë të mësuesit të parë të shkollës shqipe në Selanik të Greqisë, ndaj nuk e kisha pjesë të librit…
*  E gjeta para një muaji në një publikim televiziv të nismëtares dhe organizatores së hapjes së shkollës së parë shqipe në Selanik, kryetares së shoqatës “Shqiptarët e Selanikut” Mimoza Dako…
*  Në Përmet, më 22 shtator 2018, dëgjova shumë njerëz të afërt shpirtërisht me Dashmirin, ndër të tjerë edhe Përparim Kabon në një vlerësim brilant të tij, shoqëruar me një poezi që i buronte nga shpirti…
*  Mendova me vete: Dashmir Zaçe është një minierë e mirësisë dhe e dashurisë për nxënësit, fëmijët e Përmetit dhe fëmijët mërgimtarë, për njerëzit. Unë në librin tim hyra vetëm në një “galeri” të “Minierës” së tij të madhe…
*  Fatkeqësisht atë mbrëmje shtatori në sallë mungonin kryetari dhe drejtues të Bashkisë së Përmetit, drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Rinisë, drejtues të Ministrisë së Diasporës…
*  Para takimit me “Dashmirin” në sallë ishin ulur militantë të Partisë Socialiste në një mbledhje me deputeten, Ministren e Kulturës Kumbaro. Hyra në sallë dhe e ftova ministren që të mos lëvizte bashkë socialistët e saj që të dëgjonin dhe të mësonin përkushtimin e një mësuesi që u dha fëmijëve mësim me shpirt, pa asnjë pagesë dhe pa asnjë stimul moral…
*  Kishte, siç më tha, një “axhendë të ngjeshur”!!!

Po përcjell fjalën e Dashmir Zaçes siç u regjistrua me zë e me figurë nga një kameraman amator atë ditë të madhe të hapjes së shkollës së parë shqipe në Greqi, në Selanik nga shoqata “Shqiptarët e Selaniku”…

*            *              *

Jam nga Përmeti. Quhem Dashmir Zaçe. Kam punuar 28 vjet mësues.
Kur erdhi një qytetar përmetar nga Selaniku në Përmet më tha:
“Tani e kuptova Naim Frashrin, tani që isha vetë në kurbet.”
Qesha…
Por tani që jam vetë, tani kuptoj jo vetëm Naimin, por kuptoj të gjithë ata që janë këtu. (I rrjedhin lot)
Eh ! Të gjithë kështu qanin…
Mbase dikush ka dy vjet, siç kam unë pa shkuar në Shqipëri, dikush ka nëntë vjet, dikush ka pesë vjet, por të gjithë e ndjejmë me dhimbje atë tokë…
Më fal (loton)
Prandaj shpreha dëshirën nga të parët, jo i pari, por nga të parët që të vij dhe t’i mësoj fëmijët shqip pa shpërblim sepse e ndjej detyrë në shpirtin tim, e ndjejë detyrë patriotike që duhet ta realizojmë.
Këtyre anëtarëve të shoqatës u tregova një rast.
Isha në autobus, shkoja në Korkora. Ishte një fëmijë të them katër vjeç e të ëmën ruse. Nëna ia tregonte objektet rusisht.
Më erdhi edhe shumë mirë që e bënte këtë, por më erdhi edhe shumë inat me veten time.
Kur them “me veten time”, e them për të gjithë ne. Ne kur shkojmë rrugës, nuk kemi njeri pranë fare dhe i flasim fëmijës greqisht.
Pse t’i flasim Greqisht?
Ai do ta mësojë greqishten. Do ta mësojë në ambient, do ta mësojë në shkollë. Në qoftë se i flasim në ambiente shumë të ngushta dhe që je i “detyruar” kur je vetëm me fëmijën dhe i flet greqisht, për mua bëjmë padrejtësinë më të madhe ndaj vetes sonë.
Duke parë këto situata unë po jua them: Jam totalisht me fëmijët dhe do tua mësoj gjuhën shqipe…

Selanik, 7 mars 2001

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.