Meleq Beqiri: E deshëm Atdheun, por, me sa duket, një pjesë s’na deshi

0

Bisedë me Meleq Beqirin, mërgimtar në Itali

  • Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur…
  • “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
  • As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat.. –
  • Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë, por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem…

Hyrje në bisedë…

E kam njohur maleve të Bulqizës, atyre maleve që më shumë se floririn e nëntokës kanë atë të mbitokës, atë që lëviz, atë që ngjitet kreshtave dhe zbret thellësive, NJERËZIT… Punëtorë si ata, familjarë si ata, të shoqërueshëm deri në gaz shpirtëror.
E kam njohur edhe në kalimin e kohëve, kur drejtonte rrethin, në periudhën më të vështirë për Bulqizën…
Më humbi për shumë vite…
E gjeta një ditë në shoqërinë e madhe të internetit…
Një ditë më kërkoi numrin e celularit në Shqipëri…
U takuam disa herë. Pimë kafe dhe udhëtuam luginës së Bulqizës për tu ngjitur me mend në Dhoks e në Tërnovë, për të zbritur në nivelin e dhjetë asokohe në ndërtim, për tu takuar e biseduar me miqtë e përbashkët…
Një ditë në plazhin e Malit të Robit, tek gjerbnim kafen shtypa butonin dhe i “shkrova” në diktofon zërat me të…
Po e përcjell zërin dhe emocionet e tij, zërin e një mërgimtari që nuk e ka harruar dhe nuk e harron vendlindjen…
*             *                 *

Meleq Beqiri! Mirëserdhe në Atdhe!
Mirë se ju gjeta!
Ç’e mirë ju solli?
Dashuria për atdheun. Veçanërisht dashuria për prindërit, për nanën, për shokët, për gjithçka që kemi lënë mbrapa dhe gjithçka që kërkojmë të gjejmë.
Sa vjet t’u bënë në Itali?
Njëzet e një vjet.
E mban mend si ike?
Natyrisht. Dhe nuk do ta harroj kurrë në mënyrën si kam ikur. Sigurisht një nga mënyrat e vetme që nuk do të dëshiroja të ikja. Për fat të keq situatat ishin të tilla dhe na detyruan të iknim. Ne e deshëm atdheun por me sa duket një pjesë e atdheut nuk na deshi.
Si u vendose në Itali?
Me shumë vështirësi. Pa bazë, pa asnjë pikë mbështetje. Dalëngadalë u integrova. Kam fjetur jashtë për katër muaj.
Kur thoni jashtë si ta kuptojmë?
Kam fjetur në park nga data 5 shtator 1993 deri më datën 9 janar të vitit 1994.
Ike nga parku dhe u strehove në…
Gjeta punë dhe pastaj gjithçka mori rrugë…
Mund të më përshkruash ditën e parë të punës?
Qesh…
Punë me kazmë e lopatë.
Po ajo kazma dhe lopata kishte lidhje me kazmën e gjeologut në malet e Bulqizës?
Qesh…
Jam i gëzuar që mësova edhe nga kazma dhe lopata e vërtetë që na u desh kur nuk e prisnim.
Cili është formimi intelektual i juaji?
Kam mbaruar Universitetin e Tiranës me rezultate të shkëlqyera në degën e gjeologjisë. Kam punuar në minierën e Bulqizës inxhinier gjeolog. Nuk kam pasur mundësi të bëj specializime të mëtejshme që ka qenë ëndrra ime.
A mund të kthehesh paksa në Bulqizë, tek miqtë, tek shokët, në nostalgjinë tuaj për kërkuesin e mineralit të kromit në vendburimin më të madh të kromit në Shqipëri dhe në një ndër vendburimet më të mëdha në botë?
Bulqizën e konsideroj vendlindjen time të vërtetë, pa harruar Strikçanin ku kam lindur. Në Bulqizë shkova fëmijë dhe ika burrë i pjekur.
Nga shokët kë kujton me mall?
Nuk mund të veçoj asnjë. Kujtoj të gjithë ata shokë me të cilët kemi kaluar rininë, pjekurinë, pushimet e verës, punën, përpjekjet, veprimtarinë shoqërore, profesionin. Pa përjashtim, të gjithë.
Si u integrove në punë dhe në jetën shoqërore në Itali?
Dalëngadalë. Më duhej të rritesha profesionalisht. Kam një histori tepër të veçantë të integrimit. Më mori një usta goxha i moshuar. Dëshironte të rregullonte shtëpinë e djalit i cili shpejt do të martohej. Pas disa ditësh punë më pyeti për profesionin. I thashë se kam qenë inxhinier gjeolog. Nuk më besoi. Kur po sistemonim materialet e ndërtimit brenda në dhomë i thashë t’i sistemojmë rreth mureve sepse momenti i forcës në mesin e dyshemesë është shumë i lartë dhe mund ta rrëzojmë atë.
-Çfarë është ky momenti i forcës? – më pyeti
Ia shpjegova duke bërë një skicë…
Atëherë më tha se me siguri duhet të kesh studiuar për inxhinieri.
Kur erdhi djali, i cili ishte inxhinier ndërtimi, i bëra një pyetje teknike. Ai hezitoi për momentin të përgjigjej.
Babai i tha: “Shihe se çfarë na vjen nga Shqipëria. Njerëz të cilët i përçmojmë. Shikoje se çfarë kulturë profesionale kanë përveç kulturës tjetër. Ky me të vërtetë është inxhinier dhe unë i kërkoj falje sepse e paragjykova”.
Në vijim të ditëve më sugjeroi që t’i ve objektiv jetës time që të mos vazhdoj të punoj me kazmë e lopatë por t’i ve dijenitë në shërbim të një pune timen.
Vite më vonë, kur u transferova nga Roma në Veneto një zonjë e moshuar e cila kishte prej trembëdhjetë vjetësh një problem të pazgjidhur në shtëpinë e saj, kur e zgjidha më tha “Ti je i zoti të bësh një numër trembëdhjetë në loto”. Kur e përshëndeta në darkë më pyeti: “Pse vazhdon të punosh nën padron?”. I them se kam familjen për të mbajtur. Më tha që nesër të shkosh të hapësh një llogari pune në bankë. Dhe në qoftë se gruaja dhe vajza jote do të rrezikohen të vdesin për bukë bjeri se do t’i mbaj unë. Ti vetë mund të vdesësh në qoftë se nuk  je i zoti të mbijetosh.
Të nesërmen hapa llogarinë e punës. Që atëherë kam njëmbëdhjetë vjet që punoj në punën time. Partita iva   është ajo që identifikon ndërmarrjen. Nga momenti që e hap ke një ndërmarrje mbi bazën e të cilave paguan taksat dhe zhvillon gjithë veprimtarinë e punës. Edhe tash, në kohë krize, ndërmarrja vazhdon të ketë sukses, relativisht të mirë. I rezistuam krizës. Jemi 3-4 familje që jetojmë me këtë ndërmarrje.
Çfarë veprimtarie bëni konkretisht?
Kemi një ndërmarrje ndërtimi. Kryesisht merremi me rikualifikimin e ndërtimeve të vjetra plus edhe ndërtime të reja si dhe shërbime të ndryshme.
Sa është vlera e punimeve?
Afërsisht 150-200 mijë euro në vit, nganjëherë edhe më shumë.
Çfarë mjetesh pune keni në përdorim?
Kemi mjete të lehta që quhen betoniere, trapano fleksibele, dy kamionçina 35 kuintal. Pothuajse të gjitha veglat e lehta.
Nga kush përbëhet ndërmarrja?
Jam unë si titullar. Kam edhe tre të tjerë dhe sipas rastit marr edhe 5-7-10 të tjerë sipas volumit të punës.
Të tjerët janë shqiptarë apo edhe italianë apo emigrantë?
Janë të gjithë shqiptarë për momentin por në disa raste thërres edhe hidraulikun që është italian, elektricistin po italian. Me ta koordinojmë punët. I ftoj ose më ftojnë që unë të bëj pjesën e ndërtimit.
Si je i stabilizuar familjarisht në Itali?
Goxha mirë. Jam ndalur në Padova sepse pikësynimi im është që të krijoj një të ardhur ku fëmijët të mund të shkojnë në një universitet prestigjioz siç është universiteti i Padovës, i dyti universitet më i vjetër në Itali pas universitetit të Bolonjës.
Sa vite ka që është hapur?
Me siguri diku tek pesëqind vite më parë. Di që kanë studiuar dhe dhënë mësim Galileo Galilei, Lermontovi, Mendelejevi, Isak Njutoni…dhe personalitete të tjerë të kohës sonë.
Familja jote e ngushtë?
Jam unë, bashkëshortja dhe dy fëmijë. Gruaja, Fazile Lleshi vajzë Gjorice por nga Zogje, vajza e Tufik Lleshit. Kam edhe vajzën Aurorën, vajza e madhe 11 vjeç dhe djalin 6 vjeç, Endrin. Vajza vazhdon shkollën që po ta llogarisin me sistemin në Shqipëri i bie të jetë në klasën e gjashtë. Djali është akoma në kopsht.
Je shtetas italian apo…?
Që nga data 9 gushti jemi të katërt me shtetësi italiane. Unë ka 4 vjet që bashkë me fëmijët e kam marrë shtetësinë italiane kurse gruaja e mori më 9 gusht 2014.
Në Shqipëri kë keni?
Nga familja e ngushtë kam nanën, vëllezërit, motrat. Kam dy vëllezër këtu, kam edhe tri motra. Kam edhe një motër në New York. Janë të martuar dhe me fëmijë. Djalin e kam edhe me shtetësi amerikane sepse ka lindur në New York.
Në fshat kë keni?
Kam nanën dhe vëllain që rrinë në Strikçan.
I keni shtuar ndonjë tullë shtëpisë së vjetër në Strikçan?
Kemi bërë një shtëpi të re atje ku rri nana dhe vëllai. Kemi mbajtur gjithë tokën…
Akoma i mban të gjalla, nuk i keni shkulur rrënjët në vendlindje?
As që kam ndërmend që t’i shkul rrënjët nga vendlindja, nga Strikçani. Po mendojmë me vëllain e madh që të blejmë edhe diçka tjetër, të ndërtojmë edhe nga një shtëpi secili që ta kemi në fshat. Ne kemi gjithsesi shtëpinë tonë sepse atje rri nana dhe vëllai, që është shtëpia jonë edhe ajo, e vjetra fare që është e gjyshit ku rri vëllai dhe nana dhe mendojmë të ndërtojmë edhe nga një shtëpi tjetër që kur të vijmë të jemi tek shtëpia jonë.
Rruga e Arbrit del në prag të shtëpisë?
Më vjen shumë afër. Shpresoj që të mos ngelet premtim elektoral. Mendoj që ta kërkojmë, natyrisht në mënyra të ligjshme. E drejta e dibranëve për të pas Rrugën e Arbërit është më se e ligjshme, madje shumë e vonuar. Ka ardhur koha që dibranët të kenë rrugën e shumë premtuar.
Kur do të ikni në Itali?
Do të ik më 28 gusht. Më duhet të kthehem sepse për fatin e mirë jam shumë i ngarkuar me punë. Por përpara se të shkoj në Itali do të shkoj në Strikçan për tu çmallë me nanën, me njerëzit, me vendet e mia.
Do të lahesh në Zall?
Erdhe në Zall do të shkoj. Do të çoj vajzën dhe djalin. Kanë dëshirë të lahen dhe ta përjetojnë realisht atë që u kam treguar unë se cili ka qenë plazhi jonë, Zalli i Okshtunit. Është me të vërtetë një Zall i mrekullueshëm me atë ujë qelibar të pastër me troftat që vallëzojnë mbi gurë.
Çfarë ndjen atje ku je, në mërgim, mall që të tundon e ta merr gjumin?
Natyrisht malli më i madh është për prindërit, për shokët por nganjëherë edhe për një copë gurë, jo një gurë të shenjtë por një gurë që e kemi ndesh shpesh, madje që na ka vra këmbët zbathur, por edhe për ndonjë ferrë që më ka grisur këmishën. Nganjëherë kur e arratis mendjen e ndjej se nuk qetësohem. Me mall kujtoj veçanërisht ditët e festave, ditët veçanta të ditëlindjeve kur e ndjej të pamundur që mendjen mos e kthej dhe mbaj atje gjatë.
Gusht 2014

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.