Mali i Robit dhe “mali i plehrave” në plazh

0

Mali i Robit është një kodër, një nga ana kodra që as në sy bie e as mendimin ta merr kur udhëton rrugës për në Kavajë apo në të kundërt, për në Durrës. Askush nuk të thotë pse quhet Mal. Sido që të jetë Mali i Robit me një lartësi sa një godinë trekatëshe, me ndonjë antenë sipër e me ca pisha drejt lakuriqësisë gjelbëruese, tash ka bërë vend në historinë turistike si PLAZH.

Fusha përballë tij me një brez pishash rrënjët e të cilave kanë marrë thellësinë e tokës rreth gjashtëdhjetë vite të shkuara me punën vullnetare të nxënësve të Teknikumit Bujqësor të Golemit e të vullnetarëve të tjerë, plazhi i gjerë, janë tashmë në emrin e ndërtimeve sipas meselesë “Më i shkathëti më i shpejti”.

Nuk do të shkruaj për këto, por për atë që shoh si pushues prej afro një muaji dhe po shkruaj si qytetar i lirë i vendit tim. Si qytetar “me korrespondencë” sepse tash tetëmbëdhjeta vjet jam i ngujuar në dhe të huaj e në Shqipëri më sjell malli i njeriut që pesëdhjetë e pesë vjet të jetës e punës së vet nuk i ka kaluar edhe një natë të vetme jashtë kufijve të tij.

Plazhi i Malit të Robit, prej aty ku ndahet me pjesën e Golemit, tek ai kanali që ujërat e zeza i derdh në det e ku një ditë fiksova në fotografi dy vogëlushe duke futur duart në ujin e zi për të kapur një guaske deti, e deri në PLAZHIN E VIPAVE pushtetarë, është shpërfytyruar. Një shpërfytyrim që meriton të regjistrohet në librin e çudirave Ginis…

Pronaret e tokës po vrapojnë me galop për tu bërë edhe pronarë të detit. Gara për të rrëmbyer detin ka shpërthyer si një ethe epidemike. Gurë ciklopikë, konstruksione të rënda betoni shkulur nga rrënimet e ndërtimeve  pa leje, bunkerë…përbëjnë bazamentin e këtyre zgjatimeve që formojnë ca gadishuj që lindin e rriten dimrit.

Deti, mbi bazën e ligjeve të natyrës ka bërë ndëshkimin e vet, iu është sulur ranës duke marrë mbi dhjetë metra hapësirë.

Leshterikët i ka lëshuar kaq me bollëk në breg sa në “gjiret” e “gadishujve” uji është aq i zi sa katrani ia ka zili.

Leshterikët janë kaq me bollëk sa grumbujt që dalin nga mbledhja e tyre në bregdet kanë formuar kodra ku mbeturinat detare kompostohen me mbeturinat qytetare.

Dje pashë një ekskavator në bregdet që fuste hundën në një nga kodrat e mbeturinave. Mendova se pas tij do të vinte ndonjë kamion i rëndë për ti marrë. Gabova. Ekskavatori nuk bëri asgjë më shumë se sa ti ngjeshte mbeturinat duke lartësuar kodrën sa një shtëpi dykatëshe…

Në bregdetin e Malit të Robit, “Malet” e mbeturinave, plehrave detare dhe qytetare po vazhdon të rritet me gjasë që në fund të sezonit turistik të kapë lartësinë e Malit të Robit.
Kjo, një vit më parë, po këtë verë si do të jetë?
Do ta shikojmë dhe jetojmë!

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.