“LOXHA” DIBRANE DHE “LOGJET” MBYLLUR NË “ÇADRA”.

0

Mendim

Nuk mund ta akuzojë askush Dibrën për moral, një trevë historike e shqiptarëve të asaj e të kësaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar që nderin e ka pas të shkruar pastër në ballë, në shpatë e pushkë, në histori dhe në jetesë.
Dibranen nuk mund ta mësojë askush si ta pastrojë shtëpinë, ta mësojë si ta ruaj nderin e ta mbajë lart dinjitetin e vet.
Askush.

Nuk e besoja që dritaret e vogla dhe faqet e para të gazetave shqiptare do të vazhdonin kaq gjatë të zgjohen e ngrysen me Dibrën, madje, disa, ëndrrat “me Dibër” i kanë si në filmat serialë indianë.
Më pëlqen ky interesim i paparë ndonjëherë për vendlindjen time, “qendër gjeografike” e trojeve ku flitet dhe mendohet shqip. U desh vota e padiskutueshme e dibranëve, shpullat që i dhanë aradhes “turkoshake” që faqja e PD-së dhe detashmenteve të saj ende, tash kur kanë kaluar  pesë muaj, të djegë si “spec gjorice”.
Ende as “dibrani “ Basha, as krahët e këputur të tij nuk e kanë kuptuar “Loxhën Dibrane, nuk e kanë kuptuar mençurinë dibrane me Gjergjin e Gjon Dibranit që në tetëmbëdhjetë beteja (nga 25) zhvilluar në Dibër në shekullin e pesëmbëdhjetë që gjeneralët e mëdhenj të Perandorisë së pathyeshme Osmane i uli në gjumë e i ktheu “brekëgrisur”.
Dibranët nuk e durojnë mendjemadhësinë, arrogancën, parakalimin ceremonial me armë larë me serm e flori.
Për tu ulur e biseduar në “Odën Dibrane” duhet të kesh lexuar në thellësi e kuptuar ndodhitë e Hajredin Pashës dhe Hysni Pashës.

Hajredin pasha more dujuz (derr)
S’rrihen Malet me topuz,
Hajredin pasha more hutaq,
S’rrihen Malet me kërbaç.

Është një fragment nga kënga epike-historike lidhur me betejën e dibranëve në vitin 1844 kundër pashait të plotfuqishëm të Rumelisë Hajredin pasha që la në fushën e betejës së Gjoricës “Jo ma pak se dymbëdhjetë mijë”.
Por ajo që do të ndodhte dhjetë vjet më vonë, 1855, loxha (loja) që iu bë Hysni Pashës nga udhëheqës popullorë të Dibrës, mbeti dhe jeton ende sot si një fitore e mençurisë dibrane mbi megalomaninë turkoshake në shtratin e vdekjes.
Po citoj një fragment mbledhë nga kujtesa popullore…
“Kur u fut në mes të popullit Hysni pasha jo vetëm që nuk i zbriti kalit për të përshëndetur krerët dhe ulematë, por as nuk e ktheu kokën majtas e djathtas, të paktën për të dhënë një përshëndetje aty nga shala. I krekosur mbi shalën e kalit, me trupin e tij të gjatë, eci përpara drejt këshllasë si kukurek (lule dimërore), që qet kryet mbi dëborë  shumë kohë para se të vijë pranvera. Dhe kishte menduar se gjithë ajo turmë do t’i ngjitej prapa për ta përcjellë me nderime deri në hyqimet.
Nga kjo sjellje e pahijshme, gjithë populli dhe veçanërisht ulematë dhe krerët, mbetën shumë të prekur në sedër dhe u zemëruan”…
(Munir Shehu-DIBRA I në vitet 1840-1860)
Dibra do t’ia ruante në “kësulë” Hysni Pashës. Do të organizonte një loxhë që cilësohet më e madhja në historinë e trevës, madje të vendit, loxhë që do të zhvishte “le none” atë dhe ushtrinë e tij.
Kureshtarët le të hulumtojnë teknikat dhe taktikat që e detyruan pashain e Anadollit të dorëzojë “pa erë baruti në tytë” armët dhe gjithçka, lojën që iu bë, lojë që Dibra në përmasa të tjera në kohë e hapësirë e ka përdorur ndër breza.
E përdori edhe në zgjedhjet vendore për kryetarin e bashkisë në shtator 2016.
Aradha e Partisë Demokratike zbriti në Dibër mbi “kalë me shalë”.
Zbriti me gjithë zërat e parë në parlament…
Me gjithë ish-at dhe ësh-at sot…
Zbriti me kryetarin pa mandat kuvendar.
Mungoi fizikisht, por jo moralisht dhe mediatikisht, ish-i i fundit.
Zbriti me të gjitha mjetet e kohës, me makina të shtrenjta që xixëllonin rrugëve të kalldrëmta e tërë pluhur e baltë lënë si në vitin 1946 me hapjen e “Rrugës së Rinisë”.
Zbritja më e madhe e këtij një çerek shekulli që një parti politike shqiptare ka bërë në zgjedhje vendore.
Për flamur valëvitës mbi makina kishte “brekët e grisura” dhe për argument elektoral kishte “Kërpin, Cannabis-in, Hashashin”…
“Brekët e grisura”… notë muzikore në çdo fjalë, fjali, ligjëratë, tubim…
Këtu gaboi. E preku në sedër Dibrën dhe dibranin. Nuk shkohet në shtëpinë e askujt duke e prekur në nder, në dinjitet. “Brekët e grisura” të një kryebashkiaku nuk janë të Dibrës e as Dibra, janë të një individi të veçuar të saj, një njeriu që ishte vënë individualisht para drejtësisë për atë që kishte bërë, janë një fenomen i njohur pushtetarësh që ndërrojnë gratë e dashnoret si në një stafetë sportive.
Nuk mund ta akuzojë askush Dibrën për moral, një trevë historike e shqiptarëve të asaj e të kësaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar që nderin e ka pas të shkruar pastër në ballë, në shpatë e pushkë, në histori dhe në jetesë.
Dibranen nuk mund ta mësojë askush si ta pastrojë shtëpinë, ta mësojë si ta ruaj nderin e ta mbajë lart dinjitetin e vet.
Askush.
Një ngjarje e rëndomtë u shndërrua në flamur politik, në flamur elektoral, në armë për të vrarë kundërshtarin politik pa matur “shtatë herë” se vriste moralisht një trevë të tërë.
Një të dërguari nga qendra si sekretar i parë i partisë në Dibër si fjalë “rruge të mbarë” mori: “Mësoje këngën e Hajredin Pashës”…
Kur u kthye, i pushuar nga të gjitha funksionet tha: “Nuk e mësova dot këngën e Hajredin Pashës”.
Nuk i mësoi ato vargje që përbëjnë qendrën e qëndresës dhe moralit të Dibrës e dibranëve…

Hajredin pasha mor krye shinik.
Nuk është Dibra Selanik,
Selanik e s’është Përlepe,
Si e kërkove n’Dibër e gjete,
Se këtu kanë ardh ene tjerë pashallarë,
Të tanë kanë ikur si magjarë!
B(p)asha i Partisë Demokratike që shkoi në Dibër në krye të taborëve me krenarinë groteske të të qenit dibran, nuk ka lexuar filozofinë e Dibrës, mesazhin historik të këngës, domethënien e thellë të saj, domethënie që kuptohet vetëm po të ulesh në Odën Dibrane, aulën e një Universiteti Popullor ku njerëz të mëdhenj të kohës kanë deklaruar…
“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford”

Julian Emery “Kujtime që nuk shlyhen”

“Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”

Reginald Hibbert  “Albania Life”
Flamurin me “brekë të grisura” ngritur lart nga Basha e kompani e hodhi poshtë vota e thellë e dibranëve në zgjedhjet e shtatorit 2016, votë që tregoi se AJO askujt nuk ia lejon prekjen në nder e dinjitet.
Kjo anë, ana morale e “votës dibrane, mjerisht nuk është lexuar dhe nuk është kuptuar as nga humbësit dhe as nga analistë të ngushtë të zgjedhjeve në Dibër.
Flamuri i “brekëve të grisura”, mjerisht është vendosur në çadrën e opozitës, në mes të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Dhe vazhdon të valëvitet…
Abdurahim Ashiku

Athinë, 20 shkurt 2016

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.