LOJË KUNGULLESHKASH NË KUVEND PËR RRUGËN E ARBRIT

0

Fejton

9 (3)

Unë kam një kungulleshkë me emrin “Rruga e Arbrit”- thotë zonja Doda…
Unë kam një kungulleshkë me emrin “Nuk ka para”- thotë zoti Haxhinasto.
Loja vazhdoi dy orë në sallën “pa sy e pa veshë” parlamentarësh.
Në fund kungulli dhe kungulleshka mbetën mes “katër rrugëve”
“Peç oj Dibër!”- thanë dhe ikën!

Më në fund u pa dhe u dëgjua, me zë dhe me figurë, një njeri të ngrihet në parlament dhe të protestojë për mos ndërtimin e Rrugës së Arbrit.
Më erdhi mirë. Bravo Mersila! – thirra si të kisha zbuluar “pikën e Arkimedit” nëpërmjet së cilës do të lëvizja botën.
Zonja Doda, më në fund, pas tetë vjet në pushtet ka zbuluar se nëpërmjet Rrugës së Arbrit Peshkopia është vetëm 77 kilometra, më shkurt se sa të shkosh nga Tirana në Lushnjë…
Ka zbuluar se Dibra ka pasuri të madhe (!), se është një zonë e prodhimit të madh industrial (!), se ka mundësi turizmi duke përmendur Lurën (!), se popullsia po largohet (!), se është krahina më e varfër e Shqipërisë…
Ka zbuluar edhe Dibrën e Madhe dhe historinë e lashtë dhe të re të trevës së Dibrës (!)
Ka zbuluar se nga Tirana në Peshkopi sot shkohet për pesë orë (!) kur duhet të shkohet për 1 orë (!)
Ka zbuluar edhe se Rruga e Arbrit është Rruga e Dytë e Kombit (!)
Do të desha që zonjën Mesila ta njihja si Dode e Dibrës me kohë jo “mes katër rrugëve” si e mbyll fjalën e saj në kuvend, por në rrugën e gjerë tash njëzet vjet radhazi, që kur është bërë publike një  peticion i intelektualëve dibranë, që kur ajo ishte pjesë e shumicës kuvendare bashkë me LSI në vitin 2008, atëherë kur qenka bërë “projekti-që s’paska  projekt”.
Do të desha që zonja Doda pas çdo premtimesh që janë bërë që nga viti 2005 kur për herë të parë u pre një shirit për Rrugën e Arbrit në Bulqizë, pas 72 premtimesh që numëron, ajo të kishte folur, të kishte detyruar të ngjiten në podiumin e kuvendit ministrat e Berishës, Metës e Ramës  që të jepnin llogari për fjalën e dhënë…
Do të desha që goja e zonjës Doda të mos ishte “mes katër rrugëve” gjatë këtyre viteve për tu hapur tani kur ka ndërruar ngjyrë duke zbuluar se në Dibër ka një komunitet të madh Çam i cili duhet “paguar” që një vit më vonë të nxjerrë deputetë siç ka nxjerrë këshilltarë.
Megjithatë e përgëzoj zonjën Doda e cila sado vonë që vjen ta pijë kafen në Dibër, sipas zakonit të vendit, është jo thjeshtë e mirëpritur por në krye të vendit.
Haxhinasto ka lundruar dhe lundron qetësisht midis dy koalicioneve. Është mësuesi i anglishtes i dalë nga fakulteti i filologjisë që ka karrierën më brilante nga të gjithë anëtarët e kupolës së LSI, mësues që e ka filluar punën për herë të parë në fshatin Grevës të Dibrës (!)…
Në profilin e tij në google shkruhet…
…Gjatë viteve 2009 – 2010 ka shërbyer si Zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transporteve (!) Më pas gjatë periudhës 2010-2012 ka mbajtur postin e Ministrit të Jashtëm të Re­publikës së Shqipërisë. Nga viti 2012 deri në vitin 2013 ka mbajtur postin e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë (!)…
Nga Janari 2011 deri në Prill 2013 ka mbajtur postin e Zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë (!).
Ai ka shërbyer në disa detyra të tjera të rëndësishme si: Përfaqësuesi i Qeverisë në Grupin e Menaxhimit të Emergjencave të ngritur për situatën e Refugjatëve kosovarë në Shqipëri, Këshilltar Diplomatik i Kryemi­nistrit të Shqipërisë, i Ngarkuar me Punë i përhershëm në Ambasadën Shqiptare në Beograd.
Edmond Haxhinasto në vitin 2013 zgjidhet Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë (!)…
Haxhinasto, siç lexohet, ka qenë njeriu më pranë Rrugës së Arbrit sa askush tjetër, si dje në Qeverinë Berisha po ashtu edhe sot në Qeverinë Rama.
Deklaratat dhe Hipje zbritjet e tij në foltoren e kuvendit ishin kaq qesharake sa nuk merren me mend. Shyqyr që ana e djathtë e kuvendit dhe tribuna e pjesëtarëve të qeverisë ishin bosh dhe muhabetet e të pranishmëve ishin koaguluar në një zhurmë monotone kafeneje dhe nuk ia varte askush.
Llogaritjet aritmetike dhe përgjigjet e tij ishin në nivelin e një nxënësi të nëntëvjeçares. Deklarata e tij se po të ndërtohet Rruga e Arbrit buxheti i shtetit shterohet tërësisht është, në mos armiqësore për një trevë të madhe industriale dhe historike si Dibra, injorante për një mësues që në biografinë e tij ka radhitur një seri të gjatë masterash. Qesharak ishte edhe premtimi i tij se në mos me kompaninë kineze rruga do të ndërtohet nga një sipërmarrës shqiptar (!) Haxhinasto për ndërtimin e Rrugës së Arbrit “kërkon para” duke harruar se në këto më se një gjysmë shekulli Dibra (me një milionë tonë krom eksport në vit) ka ndërtuar mbarë veprat e mëdha të Shqipërisë që nga hidrocentralet e mëdhenj e deri tek uzinat, fabrikat, shkollat, bonifikimin e kënetave etj., etj.
Haxhinasto ashtu si edhe qeveria e djathtë dhe e majtë, ku ka kullotur dhe kullot livadhin, i kanë borxhe të mëdha Dibrës, borxhe që Rruga e Arbrit, shpenzimet për të, janë simbolike.
Haxhinasto, siç i tha edhe zonja Doda tash e ka mendjen për të ndërtuar rrugët e jugut të Shqipërisë, rrugën e Lumit të Vlorës, Qafë Plloçë-Qukës, Tiranë Elbasan…
Për ta buxheti i shtetit është plot…
Për Rrugën e Arbrit, që me të drejtë vlerësohet si Rruga e Dytë e Kombit, Haxhinasto nuk ka as para dhe as vullnet.
Qeveria Rama-Meta, kryeministri, ministrat, nuk u panë në tribunën e Kuvendit, nuk dëgjuan dhe nuk folën asnjë fjalë për Rrugën e Arbrit, ndërkohë që pakica mungonte në sallë kurse shumica qeshte e bënte zhurmë duke e ndërprerë disa herë “duelin e heshtur”.
Në Kuvendin e Shqipërisë të enjten e 9 qershorit 2016 u luajt me dy aktorë loja e njohur e kungulleshkave…
Unë kam një kungulleshkë me emrin “Rruga e Arbrit”- thotë zonja Doda…
Unë kam një kungulleshkë me emrin “Nuk ka para”- thotë zoti Haxhinasto.
Loja vazhdoi dy orë në sallën “pa sy e pa veshë” parlamentarësh.
Në fund kungulli dhe kungulleshka mbetën mes “katër rrugëve”.
“Peç oj Dibër” !- thanë dhe ikën
Abdurahim Ashiku

Athinë 11 qershor 2016

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.