LOGOS ME NJË ALIEN, “DAJË” NË BREZHDAN

0

Brezhdan 1989 Ku shkuan këta tuba të ujsjellsit të Sopanikës Shkolla ime...

Dhe me të tjerë, zbritur nga “qielli i shtatë” për t’i marrë Dibrës shpirtin.

Fejton

Ai është “dajë” në fshatin tim të lindjes, në Brezhdan. Më hynë në adresën time dhe më “kruan”, është i pakënaqur nga unë sepse nuk i bie fyellit në vrimën e veshit të tij të djathtë. Se vetëm nga ai vesh dëgjon.
Më kundërvihet me bëmat e partisë së tij në Dibër…
Për korrektesën si “dajë” që ka kryevend në konakun e vet, e mbështeta.
Unë e njoh Dibrën që nga Llanga në Reç e që nga bjeshkët e Gollobordës në ato të Korabit. E njoh me këmbë, e njoh me aparat fotografik në dorë, e njoh me jetën time.
Nuk do të udhëtoj kaq gjatë në logos-in (kuvendimin) tim me “dajën”. Po ndalem në Brezhdanin me “treqind shtëpi”…
Në qendër të Brezhdanit, ndonja njëqind metra larg “nipërve”  të “dajës” në fund të viteve ’40-të ka qenë një shkollë fillore që mblidhte në dy klasa fëmijë të Brezhdanit, Zdojanit dhe Ushtelencës. Shkollës iu shtua një klasë për tu bërë me tre. U shtuan fëmijët dhe u shtuan edhe klasat, tashmë në një shkollë tetëvjeçare me qendër në trojet e bejlerëve  të Brezhdanit, në Zdojan. Më tej ndërtesa me qerpiç u shndërrua në ndërtesë dykatëshe, me tulla e me tarracë, në shkollë të mesme. Të “treqind shtëpitë” e Brezhdanit, tashmë të ndarë në Brezhdan dhe Zdojan, ishin dyfishuar dhe fëmijët të merrnin arsimin e mesëm.
E para ndërtesë në Brezhdan që iu hoq çatia dhe iu rrafshuan themelet ishte shkolla fillore në qendër të fshatit.
E pyes “dajën”: Po me shkollën çfarë patët? Po fëmijët e lagjeve të largëta të Brezhdanit…Menge, Domazete, Xharre, Çemalle, Kullake, Avelle, Bumçe, Havale, për mos me folur për Karasanet e Çapit, fëmijë 6-10 vjeçar, pse i dënuat të udhëtojnë deri një orë në këmbë rrugëve tërë baltë, në akull e dëborë të përpjetës së Putokut e Ashikeve për të  shkuar në shkollë? Pse gjatë këtyre 26 viteve nuk e rindërtuat shkollën që fëmijët e vegjël të Brezhdanit ta kishin “një hap” larg shtëpive të tyre?
Mos harro se për më se një dekadë kryetar qarku ka qenë një njeri i afërt i nipërve të tu!
Alienët e zbritur në Dibër i pashë të udhëtojnë drejt Brezhdanit. U mburrën se kanë asfaltuar rrugën.
Asfalt i thënçin. Miku im i vjetër, shkronjës serial letrash “lart”, Ramis Dauti i quan këto punë “lyerje me të kuq buzësh”. Rruga është dredha – dredha kur mund të ishte e drejtë “fyell pushke” falë  rrafshësisë së tokës që vijon deri në Brezhdan. Është tre metra e gjerë sa mezi kalojnë makinat e vogla e fugonët. Dhe ndërrimi bëhet si në lëvizje trenash me dy shina. Dhe për më tepër rruga nuk shkon në Brezhdan. Ajo shkon deri në krye të fshatit Zdojan, diku njëqind metra lart ish zyrave të sektorit të kooperativës së Qendrës. Më tej nuk ka as asfalt dhe as rrugë të shtruar me kalldrëm e të mbuluara me zhavorr. Ka vetëm rrugë traktorësh me zinxhirë në çdo kohë e makinash të vogla verës kur nuk bie shi. Provo të shkosh për vizitë tek njerëzit e “nipërve” dhe do të skandalizohesh. Dhe mos harro se për më se një dekadë kryetar qarku ka qenë krushku yt. Një njeri që nuk është për shtëpinë e vet lëshoji dushke për të tjerat.
Është folur këto ditë nga alienët e zbritur në Brezhdan për ujin e pijshëm. I mëshiroj sepse vijnë nga planete të tjerë. Nuk e dinë se  në fund të viteve ‘80-të deri në krye të fshatit Zdojan, pikërisht në arat mbi shtëpitë e Sopotëve kishin arritur tubat e çelikta, lyer me bitum, futur thellë e mbuluar në kanal. Kam disa fotografi tek saldoheshin tubat që linja të kalonte me sifon në lagjen Kallçisht e më tej në fshatin Ushtelencë. E pyes “dajën” ku janë tubat e futura thellë në tokë, tuba që do të sillnin ujin e bollshëm të Sopanikës për tu dhënë ujë të pijshëm të bollshëm fshatrave që nga Kodër-Leshe, Fusha e Çidhnës, Kastrioti, Kandri, Vakufi, Zdojani, Brezhdani, Ushtelenca…? Përpara se tu flitet brezhdanasve për ujë të pijshëm duhet të jepet llogari, të uleni në gjunjë dhe të kërkoni ndjesë për këtë shkatërrim. Do të më thuash që Berisha në prag të zgjedhjeve të 26 majit preu në Kastriot shiritin e përurimit të ujësjellësit të Sopanikës, madje për këtë u ngrit edhe një lapidar? Do të më thuash se një nip i fshatit tim lidhi një marrëveshje me kinezët për ndërtimin e ujësjellësit të Sopanikës… ? Dokrra, brezhdanasit nuk duan më të mbushin ujë siç mbushnin nënat dhe gjyshet e tyre në…Kroin e Kaçishti, Kroin e Vokës, Bunarin e Mane…nuk duan që ti ngarkojnë kafshët me rroba për ti larë në Drinin e Zi, larg në rrjedhat e Shenjës së Brezhdanit…
Aradha e alienëve lakoi në të dy veshët, të djathtë e të majtë, vijën e ujit për vaditjen e Brezhdanit.
Është vija tradicionale shekullore që e ka bërë Brezhdanin hambar drithi dhe veçanërisht rekordmen në misër.
Nuk doja të dëgjoja as edhe një fjalë me “do të…”. I kanë dëgjuar jo vetëm bujqit e Brezhdanit tim por edhe ata të Ushtelencës, Vakufit, Kandrit të cilët dikur kishin secili “brazhdën” e vet që në bazë të një rregulli popullor nuk kishte të drejtë ta prekte askush.
E pohoj që “Vijën e Malit”, siç e quajnë, e keni futur në beton. Ju lumtë.
Por ajo vijë nuk i shërben në asnjë pëllëmbë ujitje as Brezhdanit dhe as Ushtelencës. Uji rrjedh deri në fund të arave të Rashnapojës, asnjë pëllëmbë më poshtë. Arat, nga kreu i fshatit (Ashikët dhe Sopotet) nuk marrin asnjë pikë ujë. Kalo dhe shikoji si janë tharë të mbjellat…
Si “dajë” lypet të kërkosh ndjesë për dëmin që i është krijuar banorëve të fshatit Brezhdan-Zdojan (dhe më gjerë  Ushtelencë, Vakuf e Kandër). Dhe në këtë dëm të rëndë ka pjesë edhe kryetari i djathtë i Qarkut të Dibrës, ashtu siç kanë edhe “kryetarët e majtë” në ngjitjet dhe zbritjet nga karriget e pushtetit në Dibër.
“Depot dhe baxhat” janë teje të lakuara në udhëtimin e alienëve nëpër Dibër. Bukur por përpara kësaj duhet të japin llogari pse u shkatërrua kompleksi i madh industrial i përpunimit të frutave e perimeve me kapacitet 100 mijë kuintal në vit, kombinat që punësonte tre mijë punëtorë në sezon ! Të kërkonjnë ndjesë për shkatërrimin e fabrikës së qumështit me makineri bashkëkohore që u shkulën dhe u dërguan për skrap tej kufirit !
Një “gjeneral” i trazirave jugore të vitit 1997 u pa në Lurë. Nuk e dëgjuam të flasë por as edhe të kërkojë ndjesë për shkatërrimin e asaj bukurie që Fishta pat shkruar se kush nuk ka pa Lurën nuk ka parë Shqipërinë. As edhe një i “gjel” ngrehur mbi një gurë në Lanë Lurë nuk u pa të thërrasë se pse rrugët për në Lurë si nga ana e Dibrës po ashtu edhe nga ana e Kurbneshit, si nga ana e Krojeve të Duke po ashtu edhe nga ana e Kalasë së Varoshit, në ato zkzake malore që qarkojnë liqenet dhe livadhet e Lurë-Mazdejës, janë si mos ma zi, thjesht si rrugë funksioni i të cilave ka qenë shkatërrimi i pyjeve të Parkut Kombëtar të Liqeneve të Lurës dhe i masiveve pyjore të Dibrës e Matit. Do të doja ti bërtiste partisë së tij që ti shkurtonte rrugët në Jug, ta largonte pak në kohë “Lumin e Vlorës” e të afronte rrugët që të çojnë dhe të marrin në perlën shqiptare, Lurën.
Të majtit mjek nuk i ve aq faj për vënien e pasurive të mëdha të Dibrës në shërbim të dibranëve thjesht sepse është i ri dhe në një profesion larg djersës së njerëzve.
Të djathtin, ekonomist, matje i laureuar me shumë diploma, me përvojë qeverisëse të gjatë, do të desha ta dëgjoj për programin e zhvillimit të Dibrës. Do të desha që kur mori rrugën për në Katër Grykë të mos fliste nga qielli i shtatë për “blerje votash” por për blerjen e gurit me damar të kuq të minierës së   mermerit të Muhurrit, minierë blloqet e të cilës çanin detet deri në kinë, për “minierën” në qiell të hapur të Shkallës së Pratit gurët e të cilës përbëjnë bazën e betoneve të cilësisë së lartë, për Pratin dhe shkatërrimin e tij nga urdia 25 vjeçare e prerjes së pyjeve. Do të desha të ngjitej në Shtrungë e të qarkonte në këmbë të gjithë liqenet e Kacnisë, një ndër bukurinë e rralla të Dibrës që ka nevojë për rrugë të asfaltuar që turizmi të ngjitet edhe në Katër Grykët e Muhurrës. Mos harronte të udhëtonte edhe rrugës së shtruar me kalldrëm e zhavorr dhe si ekonomist të mendonte si ta shfrytëzojë minierën e kromit të Selishtës.
Do të desha që kur të shkojë rrugës së asfaltuar për në katundin e lindjes ti hidhte sytë nga Vranjti. Masivi i pambarim për qindra breza i gipseve dhe alabastrave pret ti shërbejë punës dhe mirëqenies së banorëve që i kanë dhënë votën për deputet…
Në Reç do të desha që Gjiknuri mos tu fliste për shëndetësi por tu thoshte copë  “mos investoni se Skavica do tu mbysë”! Sinqeriteti mbledh vota…
Në Maqellarë ministri i shëndetësisë Bejtja të mos kujtohej tani për të dhënë “një ambulancë” por të thoshte se çfarë do të bëhet me spitalin e bukur të Peshkopisë që është në prag të ikjes së kirurgut, reanimatorit, kardiologut, gjinekologut… të fundit dhe, siç më tha një reanimator pensionist, do të duhet të kthehet Arif Hasani dhe kirurgët dhe reanimatorët e tjerë në pension për u shërbyer dibranëve…
Në Dibër kanë zbritur alienët, njerëz që nuk e njohin as të shkuarën dhe as të ardhmen e saj, njerëz që nuk e dinë se ajo është si “Kalkuta e Shën Terezës”, njerëz që nuk e kanë lexuar midis rreshtave këngën ironi e gjallë të Hajredin Pashës…
Të hënën, më 12 shtator njeri apo tjetri kandidat partiak do të ulet në “karrigen e grisur” të Bashkisë së Dibrës…
Për mua nuk ka rëndësi se kush…
Për mua Dibra do të jetë, jo ashtu siç është, me zhele mbi trup, por lakuriq në kallkanin që vjen dimrave pa pranverë…
Alienët do të ikin pa kthyer kokën pas…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 6 shtator 2016

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.