LETËRKËMBIM ME ADEM BUNGURIN QË I DIGJET SHPIRTI PËR DIBRËN

0

 

Profesor, Doktor ADEM BUNGURI, thërret!

O sot o kurrë për mbrojtjen e Dibrës tonë!

Në se gjyshërit tanë e mbrojtën Dibrën me luftë kundër Serbisë, ne duhet ta mbrojmë atë me rrugë demokratike nga shqiptarët në qeveri

Ai, Adem Bunguri, është profesor e doktor i shkencave arkeologjike, shkencë që lidhet me rrënjët e shqiptarisë, me të shkuarën e largët, me Dibrën për të cilën mund të thuhet pa hezitim se nuk hedhur asnjë “kazmë”, mbase (për të mos mohuar asgjë) vetëm një “prashajkë kopshti me dy çatalle” në zbulimin e të fshehtave të saj. Është fjala për gjeografike të shqiptarëve.
Ai ka dalë publikisht në mbrojtje të Dibrës nga përmbytja me argumente shkencore.
Fjalën dhe penën e tij e gjeni në libra e në shkrime faqeve të shtypit.
Mjerisht, fjalën dhe argumentet e tij, nuk i kemi parë në debate televizive për Rrugën e Arbrit dhe për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Në qoftë se ka njeri me të cilin duhet të konsultohej dhe të merrej mendim për ndërtimin e gjolit mbytës të Dibrës, nga media dhe nga politika e bashkuar për ndërtimin e Skavicës, i pari duhet të ishte Prof. Dr. Adem Bunguri.
Sot mora prej Adem Bungurit një mesazh në adresën time elektronike, mesazh që nuk mund ta mbaj për vete sepse ai është për të gjithë ata që i thonë vetes dibranë, dhe më tepër, për të gjithë ata që Dibra i ka shpallur “Qytetar nderi”…

*              *            *

I dashur Abdurahim,

Në datat 18-21 maj isha në një konferencë ndërkombëtare mbi arkeologjinë në Janinë.

U kthyem me datë 23, pasi qëlloi bllokimi i doganave nga pala greke, me kërkesa ekonomike.

Ata kanë të drejtën e tyre të ngrihen për interesa të tyre.

Pyes veten : po njerëzit tanë kur do të kuptojnë, se po nuk u ngrite dhe po nuk kërkove, asgjë në këtë kohë nuk fitohet dhe as nuk mbrohet!

Të përshëndesë dhe të falënderoj me zemër për angazhimin tënd qytetar për mbrojtjen e Dibrës!

Duket se qeveria, për fat të keq, nuk do të tërhiqet nga shitja e Skavicës.

Ata nuk duan ta kuptojnë se sot, në vitin 2016, nuk ndërton kush në botë HC të tipit të vjetër që të përmbysë dhe asgjësojë me mijëra ha tokë.

Këta HC kanë qenë karakteristikë për vendet e varfra të botës së III, por sot as ato nuk i ndërtojnë më!

Sot, falë teknologjisë,  ka rrugë alternativa shumë më efikase për ndërtimin e HEC-eve, qoftë dhe ajo e përdorimit të tubave për ç’vendosjen e ujit ku duhet, pa humbur asnjë metër katrore tokë!

Por ata nuk duan që nuk duan ta kuptojnë thelbin e problemit!

Kjo do të thotë, se as që ua ndjen fare për Dibrën!

Dhe që mund ta kenë shitur atë për 5 aspra!

Atëherë ka vetëm një rrugë për t’i dalë zot Dibrës:

  1. Protesta masive të pandalshme në rrugë deri në tërheqjen e qeverisë!
  2. Bojkotim i plotë i të gjitha llojeve të zgjedhjeve politike, përfshirë dhe ato të Bashkisë, që do të mbahen së shpejti!

Ky bojkot masiv do të bëhet deri në plotësimin e dy kërkesave jetike për Dibrën :

  1. Ndërtimin e Rrugës së Arbrit
  2. Tërheqjen përfundimtare nga planet e ndërtimit të Skavicës

Kemi filluar punën me njerëz për t’i bindur se do ti përdorim të gjitha rrugët demokratike për mbrojtjen e Dibrës. Koha nuk pret,: O sot o kurrë për mbrojtjen e Dibrës tonë!

Në se gjyshërit tanë e mbrojtën Dibrën me luftë kundër Serbisë, ne duhet ta mbrojmë atë me rrugë demokratike nga shqiptarët në qeveri! 

Shumë të fala,

Ademi
*                 *                 *

Shpejt, pa marrë frymë, i shkrova:

Faleminderit Adem Bunguri !
Ka disa ditë që nuk më zë gjumi, që jam i mbyllur në shtëpi dhe  nuk dal fare.
Ka disa ditë që mendoj vetëm për Dibrën dhe të qenit dibran. Kam përcjellë drejt gazetave shumë reagime për dy problemet e mëdha që ka sot Dibra, ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe mbytjen e saj nëpërmjet sistemit të gjolit të Skavicës.
Gazetat, si ta kenë “lidhë besën” me qeverinë dhe opozitën, me të dy krahët e politikës shqiptare që për ndërtimin e Skavicës hahen vetëm për “tenderët” e “koncesionet”, heshtin për hallet e Dibrës, heshtin për Rrugën e Arbrit dhe duartrokasin për Skavicën.
Kjo në një kohë që po çahen se kush do të flasë e bërtasë më shumë e në mënyrë më groteske për “brekët e grisura” në një kohë që ata janë pa brekë.
Përcolla një reagim ndaj deklarimit të ministrit Gjiknuri i cili tha se punimet për ndërtimin e hidrocentralit të Katundit të Ri do të fillojnë më 1 janar 2017. Pyeta: A KA DIBRANË NË DIBËR ? Pak reaguan me shkrim e me like, shumë pak.
Njeri më shkroi: “Mos kërko qiqra në hell miku im ; dibranë nuk ka më ; janë mbaruar, presim furnizim”.
Humor i hidhur !
Jam i lodhur!
Para disa ditësh lexova një shkrim të Prof. Dr. Ahmet Kamberit për Rrugën e Arbrit, shkrim që më ngrohu, më bëri optimist, më çlodhi paksa e më uli në kompjuter të shkruaj.
Sot mora mesazhin tuaj. Më ngjalli, më ngriti në këmbë.
Nuk jam vetëm. Dibra ka njerëz që i dalin zot. Unë dua ta radhis veten midis atyre.
Faleminderit!

Athinë, 25 maj 2016, ora 17.47

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.