‘LE Iene’, në Çamëri pas 73 vitesh historia e Sulejmanit

0

Sulejmani është nga Çamëria, i mërguar në Itali që prej 73 vitesh, ai nuk ishte kthyer më kurrë në shtëpinë e tij, ashtu sikurse edhe shumë çamë të tjerë që u përzunë nga Greqia. Historinë e tij e sjellë emisioni “LE Iene” në Itali. Sulejmani, tashmë i moshuar, tregon se si u përzu nga shtëpia e tij, ndërsa shprehet se dëshiron që të varroset në Çamëri, aty ku thotë se ka dhe varrin e nënës e të gjyshit.

Emisioni italian i ka ofruar të gjithë ndihmën e tij Sulejmanit që të paktën të mundet të shohë edhe njëherë shtëpinë e tij, e të shkelë edhe njëherë në vendlindje. Së bashku me gazetarin, Sulejmani niset për në kufirin me Konispolin, duke bërë tentativën e parë për të kaluar kufirin. Shihet qartë emocioni i Sulejmanit i cili menjëherë telefonon miqtë e tij për ti treguar se po nisej në tokën mëmë. Por lumturia e tij nuk ka zgjatur shumë sepse në pikën kufitare dolën edhe problemet e para.

Sulejmani nuk lejohet të kalojë për në Greqi pasi, ndonëse pasaporta e tij është e vlefshme në të gjithë botë, nga Greqia nuk njihet sepse aty shkruhet se Sulejmani ka lindur në Varfaj, vend i cili  për grekët tashmë quhet Parapotamos. Për fatin e mirë Sulejmanit, gazetari i “LE Lene” duket se është këmbëngulës dhe nuk dorëzohet lehtë.

Ata nuk ndalen këtu, dhe provojnë të kalojnë në një tjetër mënyrë: Duke shkuar nga Bari me avion, dhe më pas për në Greqi me anije. Për fat të mirë ja dolën dhe pas 73 vitesh Sulejmani më në fund shkel në Çamëri. Ishte pak e vështirë për Sulejmanin të kujtonte se ku e kishte shtëpinë pasi edhe vendi kishte ndryshuar shumë, por pasi disa përpjekjesh më në fund ai e gjen vendin ku lindi dhe u rrit.

Por aty filluan sërish problemet. Menjëherë duket se komshinjtë njoftuan policinë të cilët erdhën dhe i morën gazetarit italian dhe Sulejmanit dokumentet e identifikimit, duke i shoqëruar edhe për në komisariat. Aty i sqaruan se Sulejman, për shkak se kishte të shkruar në pasaportë se kishte lindur në Varfaj nuk mund të hynte në Greqi. Pavarësisht se u lanë të lirë me kushtin që ti drejtoheshin kufirit me Shqipërinë dhe të mos komunikonin me asnjë njeri rrugës, gazetari ja lejon vetes edhe një devijim të fundit: Dërgon edhe një herë Sulejmanin në shtëpinë e tij të vjetër, tashmë të banuar kushedi se nga kush. Emocionet lexohen qartë në fytyrën e tij, e me ëndrrën të plotësuar Sulejman thotë: Tani mund të vdes në paqe.

Share.

About Author

Leave A Reply