Kur shtypa butonin e fundjetës së Enver Hoxhës

0

KUR SHTYPA BUTONIN E FUNDJETËS SË ENVER HOXHËS

 

Nga biseda me z. Sabit Brokaj, mjek dhe politikan i urtë.

 

Nga arkivi i gazetarit

 

E kam takuar për herë të parë në Peshkopi, aty nga vjeshta e vitit 1991, në shtëpinë e një nipit tonë në lagjen Kamen. Më bëri përshtypje qetësia dhe qartësia e të folurit, fjala e tij që siç i thonë në Dibër “bën kuvend“. Asokohe kishte ardhur si politikan, si një nga krijuesit e të majtës shqiptare. Me kalimin e viteve do të bëheshim miq në kuptimin e thellë të fjalës, miq që do të na lidhte më shumë shëndeti se sa politika.

Disa muaj më parë e pashë të ngjitet në tribunën e Kuvendit dhe të jepte dorëheqjen si deputet…

Në atë moment ai u rrit shumë e shumë herë në vetëdijen time…

Një ditë, 11 prill 2008 u ulëm rreth një tavoline në një lokal në afërsi të shkollës së mesme “11 Janari“ siç i ka mbetur emri në “adresën popullore“ dhe, duke gjerbë kafenë, pasi u ngjitëm në Brataj e brodhëm maleve të luginës së Shushicës, zbritëm në Vlorë për tu ndalë për katër vite në Tiranë,  e më pas për pesë vite të tjerë në barkun e nëndetëseve të Pashalimanit. Nuk u ndalëm këtu, përsëri udhëtuam për në Tiranë, në fakultetin e mjekësisë, në Shijak e në spitalin ushtarak si mjek gastroenterolog e kardiolog, deri, për koincidencë në ditën e 11 prillit 1985 kur ai shtypi butonet e aparatit që i vinte pikë jetës së Enver Hoxhës…
Këtë të fundit po e shkëpus nga biseda e gjatë me të…

 

*        *        *

 

Sot është 11 prilli. Çfarë ju kujton kjo datë ? Çfarë do të thoshit për vdekjen e Enver Hoxhës në këtë hapësirë kohe ?

Unë kam qenë tek monitori, bile siç ishim ne grupi i mjekëve, isha unë që shtypa butonat e fundit të defilatorit.

Kishte dy ditë, nga data 9 që bëri vdekjen e papritur, vdekje që iu rikthye si jetë biologjike, por që nuk iu ringjall truri dhe funksionet e tjera të veshkave. Frymëmarrja dhe ritmi i zemrës ishin fare mirë. Ata ndaluan në mesnatën e 11 prillit.

Padyshim që mjeku, për cilindo, ka ndjeshmërinë dhe përgjegjësinë. Ato ishin të dyja. Megjithëse ne e prisnim vdekjen e tij prej disa ditësh, sepse ishte patologjia kjo, por në fund të fundit, edhe kur e pret vdekjen në cilindo rast, ajo kur ndodh është tronditëse.

Dinim që me vdekjen e tij gjërat do të ndryshonin. Ishte krejtësisht, do të thosha unë, normale që për njerëz që për moshën, për formimin tonë, emancipimin që kishim dhe në vështrimin mbi botën, mbi zhvillimet historike që ishin shumë të vrullshme në dy dekadat e fundit por veçanërisht dekadën e fundit, ishin të konceptueshme do të thosha unë, të parashikueshme.

Tronditja tjetër natyrisht si mjek dhe si njeri ishte kur u mbyll autopsia dhe pastaj erdhën të tjerat si gjithë të tjerat.

Nuk mund të merrem veçanërisht në këtë çast, dhe koha më ka bindur në këto vite që historia e vërtetë u shkruaka shumë e shumë vite më pas. Në fakt duhet të ikin dy tre gjenerata ose më shumë nga ata që kanë qenë të lidhur me konjukturën politike të kohës pasi historia subjektivizohet shumë nga aktorët, nga ata që e kanë përjetuar.

Gjithsecili ka një këndvështrim të vetin, ka një pozicion të vetin. Unë do të thosha këtë që ecin paralel vepra shumë e madhe e viteve të çlirimit por edhe të një progresi të shoqërisë shqiptare me gabimet e mëdha në sistemin e ndërtimit të një sistemi politiko – shoqëror që erdhi progresivisht duke u mbyllur dhe vetasfiksuar. Kjo është e vërteta.

Natyrisht në qoftë se në veprën e madhe aktori kryesor ka rolin e madh edhe kur kjo është në rënie ai ishte përgjegjësi i madh. Unë doja ta thosha principialisht me këto se nuk dua t’i largohem asaj idesë që sapo thashë që historia e vërtetë shkruhet shumë më vonë nga momenti kur jetojnë ata që e kanë përjetuar nga këndet e tyre në pozicionin subjektiv…

 

ABDURAHIM ASHIKU

 

Tiranë, më 11 prill 2008

 

 

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply