Kur pikonte rakia “ND DIBRA!

0

KUR PIKONTE RAKIA “NB-DIBRA”

Kujtime

Atë ditë, më 16 shkurt 1966, në një ceremoni të bukur mora publikisht diplomën e agronomit…
Fola përpara pedagogëve dhe studentëve…
Thashë se adresa jonë tash e tutje është “Mali dhe fusha, atje ku mbillet dhe korret”…
Më 1 mars 1966 më dhanë adresën e punës:
Ndërmarrja Bujqësore Dibër, përgjegjës sektori në Sektorin e Qendrës…
Ishte kohë mbjelljesh…
Mbjellje pemësh frutore…
Qenoku po merrte formën e plotë me kumbulla, arra, gështenja…
Pesëdhjetë e tre mijë rrënjë në një pamje mbresëlënëse…
Ravnat ku së bashku me Xhavit Hysën, (njeri në njërën anë të telit me gunga kallaji e tjetri në anën tjetër) në mars të vitit 1960 shënjonim vendet ku do të hapeshin gropat e mbilleshin fidanët e  hardhive ardhur aso kohe nga Bullgaria…
70 hektarë vresht, blloku më i madh në Dibër…
Midis rreshtave të vreshtit, mars 1966, përsëri me Xhavit Hysën, tash agronom sektori,  një risi e re, fidanë qershish e vishnjesh. Një bllok që do të pushtonte të 70 hektarët me mendimin shkencor që kur të plakesh hardhia të lulëzojë e jap fryte vishnja e qershia…
Dhe kështu ndodhi…
Vite më vonë blloku tashmë i qershive dhe vishnjeve i Ravnave ishte më i madhi, më i bukuri dhe më prodhimtari…
E mbani mend?
Qershi më të mira nuk i gjeje kund…
Për tu ngjitur më vonë Kodrave të Kabeve e Kuplonit të Begjunecit…
Kohë punësh të mëdha…
Mbjelljesh, krasitjesh, spërkatjesh…
I kujtoj me mall e dashuri, me respekt për ata njerëz që duke punuar u bënë mjeshtër në një profesion të ri, shkollë e shkollarë në pemëtari…
Atë pranverë kodrat mbi Kallavere u punuan qilizmë për tu mbjellë me patate, aksion kombëtar i bimës së arave që në tekstet universitare fillonte me fjalinë: “Patatja është bukë dhe gjellë”…
E njihja vendin ndër të tjera sepse verës, kur isha nxënës e student isha pjesë në “skuadrën e shartimit” me mjeshtër Sadik Papulin, Dilaver Kabën…
Mijëra filiza “të mi” që kanë dalë nga sythet puthitur në “T-në” e nënshartesës, tash lulëzonin e jepnin fruta diku blloqeve frutore me mollë, dardhë, qershi, kumbulla…
Çelën lulet e degëve të pemëve, u varën kokrrat…
“Llogoret”, kodra që sheh Peshkopinë prej ku kam fiksuar sa e sa fotografi të qytetit, ishte blloku më i madh i kumbullave të ndërmarrjes bujqësore asokohe.
Sapo kishte hyrë në prodhim të plotë.
“Roza Gjigande” sa një grusht fëmije motak ishte ngjyer me ngjyrën e vet që i jepte emrin…
Duhej velur…
Tregu i Peshkopisë ishte i vogël, shumë i vogël për prodhimin që erdhi e atë që do të vinte.
Shefi i planit Hysni Gjoka lidhi një kontratë me Ndërmarrjen Tregtare Ushqimore në Tiranë. U hartua një grafik me ditë dhe data se kur do të vinte kamioni për të marrë kumbullat.
Në letra gjithçka bukur.
Në praktikë filluan vonesat me ditë.
Kumbullat në vapën e gushtit filluan të zbuten në atë masë sa dolën jashtë standardit.
Nisën të kalben…
Nuk dinim ku ti çonim….
Ndërmarrja  ushqimore kthente kokën mënjanë…
Letrat në adresë të prokurorisë dhe degës së brendshme u shpeshtuan.
Erdhën edhe prokurorët…
Në një mbledhje urgjente në drejtorinë e ndërmarrjes bujqësore kërkova që frutat e dala jashtë standardit të futeshin në fuçi dhe të distiloheshin për raki.
U prita me këmbët e para nga drejtori.
I mirë ishte Xhetani, shpirt njeriu, por i druhej shumë rakisë. Nuk ulej kurrë në klube e kurrë nuk vinte përpara gotë rakie.
Ishte edhe mentaliteti ende me rrënjë fetare që e mbante alkoolin larg sofrës dibrane.
Mos harrojmë se në ato vite nuk shtrohej raki në asnjë dasmë.
Vonë pas afro njëzet vjetësh u pranua të shtrohej raki në një odë për kuadrot e kooperativës…
Mbledhja u prish…
Prisheshin edhe kumbullat…
Unë nga përvoja e praktikave në prodhim si student në ndërmarrjet bujqësore të vendit kisha vënë re që mbetjet frutore i fermentonin dhe distilonin. Ngula përsëri këmbë. I thashë drejtorit që të shkojë në Kamzë apo në ndonjë ndërmarrje tjetër bujqësore dhe të mësojë nga përvoja e tyre.
Me vështirësi më në fund u bind.
Na dha leje, por me kusht që mos i afrohemi kazanit.
Në mes të sektorit ishte një ndërtesë e vjetër. Në njërën dhomë banoja unë dhe në tjetrën punonte kovaçi.
Kovaçhanën e transferuam.  Gjetëm disa fuçi dyqind kilëshe dhe i mbushëm me kumbulla që pikonin lëng nga të çarat e arkave…
Na duhej një teknik që t’ia dinte punës në fermentim e zierje.
Erdhi një njeri i mirë, teknik shumë i zoti, Nefail Kryemadhi nga Greva…
Një kazan i vogël, sa ata familjarët, ishte distilatori i parë i rakisë.
Ndodhi çudia, ajo që se imagjinonim dhe nuk e prisnim. Rakia, veçanërisht ajo e zier dy herë, 22 gradë, shkoi e gjitha për eksport…
Verës tjetër e lirova dhomën, punishtja  u zgjerua. Fuçiat u zëvendësuar me parafabrikate betoni e distilimi nisi në impiante të mëdhenj.
Dhe jo vetëm në sektorin e Qendrës por në të gjithë sektorët: në Zdojan, Kastriot, Sllovë, Zall Sinë…
Ndërmarrja bujqësore e Dibrës po shkonte drejt pesëqind mijë pemë frutore në blloqe: kumbulla, dardha, mollë, kajsi, qershi, vishnje…mbetjet e të cilave shndërroheshin në raki.
Dhe rakia e NBSH Dibra u bë më e preferuar se e Ushqimores në tryezën familjare të Dibrës…
Dhe jo vetë atje…
Edhe për eksport ishte më e kërkuara…
“Na sillni një shishe raki NB Dibra” vinin thirrjet familjare  në telefon…

  *                    *                 *

E solla në kujtesë se mbase ngjit diku.
Jo në individë, sepse ata ia dinë mirë zanatit.
Në adresë të shtetit, atij ligjor dhe atij ekzekutiv.
Bujqësia pa industri prapa, pa fabrika e komplekse përpunimi të prodhimeve bujqësore, në “krye të arës”, nuk ka të ardhme.
Është një bujqësi e “kalbur” në rrënjët të fidanit të mbjellë…

Abdurahim Ashiku

Agronom

16 shkurt 2019

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.