KUR NË DIBËR MPOSHTEJ TËRMETI

0

Shënime drejtpërdrejt nga fushëbeteja e madhe e punës dhe e përkushtimit për eliminimin e pasojave të tërmetit botuar në gazetën “Zëri i rinisë”

MAQELLARË, DHJETOR 1967

“Një për të gjithë, të gjithë për një”

-Në këmbë dhe natën ta bëjmë rrugën për në Maqellarë – tha një nxënëse në mbledhjen e kolektivit të shkollës. Të nisemi natën dhe të arrijmë në frontin e punës në mëngjes.
Mendimi i saj u brohorit nga të gjithë nxënësit.
Filluan përgatitjet. Kazmat, lopatat, çantat, batanijet, ushqimet çdo gjë duhej marrë me vete.
Ora tre e mëngjesit. Grupi ynë kalon nëpër rrugët e qytetit që dremit.
– Për ku kështu? – na pyesin kur zbresim në sheshin e pazarit.
– Për Maqellarë. Po ju ?
– Edhe ne për Maqellarë…
– Të kujt jeni ju?
– Të teknikumit bujqësor. Po ju ?
– Vullnetarë nga Vlora…
– Vullnetarë nga Berati…
– Vullnetarë nga…
Kalojnë para nesh fytyra gjirokastritësh, shkodranësh, sarandjotësh, krutanësh, durrsakësh, matjanësh… që me duart në timon apo me trastën plot me vegla pune po vijnë në ndihmë të Dibrës sonë.
– Rroftë Partia, rroftë Enveri, dhe ju or bij që na ndihmoni – thotë një plakë në fytyrën, zemrën dhe në sytë e së cilës buron ky gëzim i papërmbajtur, ky urim.
Ajo ka humbur shtëpinë, por në zemër ka zjarr, zjarrin që i ndezi Partia. Pyes si e quanin, dhe desha të shkruaj për të, por jo, nuk mund të shkruash për Dibrën mbarë, për pleqtë dhe plakat dibrane që kanë jetuar dy shembjet nga tërmeti, atë të vitit 1942 dhe të vitit 1967. Dy tërmete të ndodhur në dy botë, në botën kur sunduesi fashist kish shkelur truallin, shtëpitë dhe zemrat e mbarë popullit tonë ku “atë pak ndihmë që erdhi e morën për vete parija dhe teknikët, kurse fukaraja mori veçse muret e shembura dhe bota jonë, ku Shqipëria është e gjithë popullit, ku “Të gjitha shpenzimet e nevojshme materiale për ndërtimin dhe meremetimin e plotë të shtëpive, shkollave dhe ndërtesave të tjera të shkatërruara ose të dëmtuara nga tërmeti në rrethin e Dibrës dhe të Librazhdit përballohen nga shteti”.
Që të krijosh një bindje për forcën e madhe që po i zhduk me të shpejtë pasojat e tërmetit mjafton të shkosh në njërin nga fshatrat e dëmtuar dhe do të gjesh raporte të tilla – Kërçishti 80 forca, Pocesti 120, ushtria 60, Burreli 32, Shkodra 42, Berati 61, Teknikumi bujqësor 120, inxhinierë e teknikë 8…
Rri edhe ca në Çernenë dhe të dhënat na vjetrohen. Dy makina vijnë nga Tirana me specialistë të NBSH “Gjergj Dimitrov”, NBSH Vorë, kooperativa bujqësore Vaqarr…
– Sa vetë jeni?
– Gjashtëdhjetë, thonë – por nuk kemi ardhur të gjithë. Ne jemi nisë në orën tre të natës, pas tre orësh vijnë edhe 10 “zetorë” të ngarkuar me tulla. Ata janë në dispozicionin tuaj për çdo punë.
Vargu pambarim i makinave, autobusëve, skodave mbi të cilat valon flamuri i kuq, s’ka të pushuar. Çdo minutë, në rrugën që të çon për në Peshkopi, për në Ostren dhe Klenjë do të shohësh të kalojnë makina nga gjithë Shqipëria.
– Erdhën vullnetarë specialistë nga Tropoja.
– Erdhi Tepelena.
– Erdhi Fieri
– Erdhi Kukësi
– Erdhi…, shkurt me thanë, erdhi gjithë Shqipëria!…
Dibra jeton momentet më emocionuese të jetës së saj. Për sot mendon dhe punon gjithë Shqipëria, ashtu siç mendonte dhe punonte edhe ajo për gjithë Shqipërinë…

Mes vështirësive

E hëna u gdhi me mjegull të dendur. Mbi tokën e ngrirë kishte ra brymë. Duart na mërdhijnë. Është ftohtë. Por a mund të rrihet? Të pritet kohë e mirë?
– Jo! – kështu thonë specialistët, kështu thonë nxënësit, kështu thonë kooperativistët.
– Të ngjitemi mbi çatitë. Kështu thonë nxënësit e Teknikumit Bujqësor të Peshkopisë, të cilët do t’i gjesh në majë të çative duke hequr tjegulla, trarë, qerpiçë, duke nxjerrë nga gërmadhat produktet bujqësore, duke ngjitur trarë, tjegulla në shtëpitë e reja, duke transportuar materiale ndërtimi, rërë, zhavorr, gurë…
Nazifi me nxënësit e klasës së III- B, i zhytur në baltë u siguron specialistëve matjanë punë pa ndërprerje. Nesër shtëpia duhet të mbarojë, të strehohet familja…
Nikua me nxënësit e klasës së IV- B po shembin një shtëpi që ta ndërtojnë nga themeli, të re, të bukur.
Në Kovashicë Tasja me nxënësit e klasës së IV-A është hedhur në sulm në tre lagje. Vajzat dhe djemtë, pa marrë parasysh vështirësitë dhe të ftohtit, janë ngjitur në çatitë dhe punojnë.
Mbas dite nis një shi i ftohtë që shpejt kthehet në dëborë, fryn erë, por as nxënësit, as specialistët, nuk u tremben vështirësive të natyrës.

Rinia në ballë të punës

Të rinjtë dhe të rejat kooperativistë e vullnetarë, të ardhur nga e gjithë Shqipëria, do t’i gjesh kurdoherë në ballë të punës, atje ku është më vështirë. 30 nxënësit maturantë të Teknikumit të ndërtimit që punojnë në Maqellarë, me veglat e punës në dorë, punojnë dhe mësojnë. Ata janë bërë shembull pune. 20 djemtë dhe vajzat e gjimnazit të qytetit që kanë ardhur për të punuar deri në fund, kur të gjitha familjet të strehohen në ndërtesat e reja apo të meremetuara plotësisht, punojnë pa u lodhur.
Rinia kooperativiste e Maqellarës është më e mobilizuar se kurrë. Në çdo fshat janë krijuar skuadra të rindërtimit dhe meremetimit, që ditën dhe natën po bëjnë një punë mjaft të madhe.

Të çrrënjosim zakonet prapanike

Parulla e të rinjve aksionistë në ndihmë të fshatrave të dëmtuara nga tërmeti është “Të bëjmë çdo gjë të re, shtëpitë dhe zemrat e njerëzve”.
Tërmeti i fuqishëm që ra, tek disa njerëz përforcoi mendimin e ekzistencës të një fuqie që shkatërron, të zotit. Në biseda u shpjegua lindja e tërmeteve, kush e krijoi zotin, dëmet e riteve fetare dhe ramazanit.
Një plak sot erdhi në punë me cigare në gojë.
– E prishe ramazanin? – e pyesim ne
– E prisha o bij – na thotë- Mendova mbrëmë gjithë natën, nuk u ngrita në syfir, e prisha ramazanin. Po të besojmë se tërmetet i bëka ai, na qenka kriminel. Po ju them s’paska zot. Zot janë duart tona.
Në mbrëmje, kur bie errësira dhe kthehemi nga puna, jehon kënga, kënga labe dhe kënga e maleve, jehon çiftelia duke kënduar këngë të reja për partinë, për vendin tonë, Shqipërinë e re. E fuqishme jehon dhe do të jehojë, kënga ndërtimtare, kënga e madhe, refreni i të cilës është “një për të gjithë, të gjithë për një”.

Abdurahim Ashiku

 

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply