KUR DOLËM NË JETËN E MADHE…

0

Shënime të 16 shkurtit 1966 me shumë nostalgji për vete dhe shokët e mi bashke studentë…
Abdurahim Ashiku, “Zëri i Rinisë” E shtunë 19 shkurt 1966

Ka momente në jetë për të cilat është vështirë të shkruash. Mbaruam Institutin e Lartë Shtetëror të Bujqësisë, u diplomuam dhe jemi vullnetarë të vemi ku e do e mira e atdheut. Sot kurorëzuam me sukses përpjekjet tona për dije, i dhamë fund një rruge dhe po fillojmë një tjetër, më të gjerë, që shtrihet në fushë dhe male, atje ku prodhohen të mirat materiale.
Një tipar karakteristik i të gjithë shokëve të mi, tipar që lexohet në fytyrat e secilit, është vendosmëria për të ecur përpara, vendosmëria për t’i shërbyer atdheut kudo që ka nevojë. Të gjithë të diplomuarit kanë shprehur gatishmërinë për të punuar në zonat më malore, në Tropojë, Kukës, Mirditë, Mat, Librazhd, Gramsh, Kolonjë, Skrapar, Përmet dhe Tepelenë., atje ku është më vështirë, atje ku bujqësia dhe blegtoria janë socialiste ka nevojë më të ngutshme për të ecur përpara, për t’u forcuar dhe modernizuar.
Pesëvjeçari i tretë na përgatiti, e tani pranvera e parë e pesëvjeçarit të katërt do të na gjejë në frontin e madh të punës, në çdo cep të atdheut, së bashku me fshatarësinë tonë për rritjen e prodhimeve bujqësore e blegtorale.

Vendi i rinisë është në vijën e parë, në frontin më të vështirë

Ky është refreni i mendimeve, i dëshirave të 114 kuadrove agronomë, frutikulturistë, ekonomistë agrarë, zooteknikë, veterinerë dhe inxhinierë pyjesh që u diplomuan këto ditë.
Jam ulur në një cep të sallës së madhe të studimit dhe përpiqem të shënoj atë ç’ka buron nga zemra e secilit./
Sekretari i komitetit të partisë së institutit tonë, Sinan Osmani, flet për vrullin e ri revolucionar që ka shpërthyer dhe përfshirë atdheun tonë për ndërtimin e socializmit, për gjestin patriotik të mijëra punonjësve të vendit tonë, që po lënë zyrat, qytetin dhe po shkojnë atje ku prodhohen të mirat materiale, atje ku mbillet dhe korret. Edhe ne tani radhitemi në radhën, gjithnjë në rritje, të specialistëve të lartë të vendit. Ajo që na preokupoi më tepër këto ditë është pyetja: ku mund t’i shërbejmë më mirë atdheut? Bujqësia është në fshat, në zonat fushore, kodrinore dhe në zonat e larta malore. Ajo tani po ngjitet me ritme të shpejta në shkallët e  zhvillimit të saj, si në gjerësi ashtu edhe në thellësi. Mijëra hektarë tokë po krijohen shkallë-shkallë në vendet më malore, atje ku për vite me radhë zhvillohej bimësia natyrale. Në këto shkallë, shkallët që e  çojnë  bujqësinë tonë sa më lart, shprehën gatishmërinë të gjithë të diplomuarit.
– Unë jam nga Elbasani – thotë agronomi i ri i specializuar në degën e frutikulturës, Halil Sllami. Për mua do të ishte kënaqësi që të punojë atje ku e lyp nevoja e atdheut e në vendin më të vështirë. Unë shpreh gatishmërinë time për të punuar në zonat malore të Librazhdit dhe Gramshit. Atje mendoj se do të jap më shumë.
– Unë jam nga Burreli, tha Muharrem Hasa. – Dëshiroj të punoj në rrethin tim në kooperativën më të largët e ku është më vështirë, por njëkohësisht, duke bashkuar zërin tim me gjithë shokët, shpreh gatishmërinë për të punuar edhe më lart, në veri, në Tropojë e Kukës.
– Në Gusmar të Tepelenës linda, atje kalova fëmininë, atje dëshiroj të filloj punën si specialist i bujqësisë- thotë agronomi ekonomist Molotov Çela.
– Dua të punoj në Kuç të Kurveleshit, – tha Seit Alikaj – Atje mendoj se mund t’i japë më shumë bujqësisë. Dëshiroj që kjo të bëhet patjetër realitet.
– Jam nga Përmeti – tha agronomi ekonomist Ibrahim Tahiri – Në familjen time vëllai hapi një rrugë të re, në vitin 1957 ai kërkoi vullnetarisht të shkojë për t’i shërbyer atdheut  si mësues në Kukës. Kam dëshirë që këtë traditë ta përsëris edhe unë. Dëshiroj të vete në Kukës  në kooperativën bujqësore të këtij rrethi, nuk e di se në cilin fshat të këtij rrethi është më vështirë, por dëshiroj që të më  çojnë pikërisht atje.
– E kam vështirë të zgjedh se në cilin rreth të shkoj – tha Skënder Gjoleka, nuk i njoh të gjithë rrethet, shpreh gatishmërinë që të shkoj në Tepelenë.
– Jam nga Tropoja, dëshiroj të punoj në vendlindje  në kooperativën më të largët. Jam gati të shkoj edhe kudo tjetër – tha Ahmet Malaj, agronom ekonomist.
– Jam nga Erseka. Shpreh gatishmërinë për të punuar në çdo kooperativë të këtij rrethi, por jam gati të shkoj në Skrapar – tha Skënder Diko.
– Dua të punoj në pyjet e Mirditës – tha inxhinieri i ri Nikolla Gjoni, atje ku të ketë nevojë.
– Në sektorin më të vështirë të pyjeve, ku të jetë nevoja, – tha Kujtim Hasimi.
– Dua të punoj atje ku blegtoria ka nevojë të ngutshme për ndihmëm e veterinerit – tha veterineri i ri Kristo Foteli – në vendet më të largëta malore.
Dëgjoj i emocionuar mendimet dhe dëshirat e 114 kuadrove specialistë, shokëve të mi që këtë vit mbaruan studimet e larta. Desha të shkruaj për ëndrrat dhe dëshirat e të gjithëve, për gatishmërinë e tyre për të shërbyer në zonat malore të vendit tonë që nga Tropoja në Tepelenë, për gatishmërinë e Skënder Kuçit, Gaqo Grazhdanit, Fadil Demrozit, Muharrem Lokes. Ali Zykës, Pavllo Konomit, Daniel Sollomonit, Jorgji Kutros, Loni Sollakut, Novruz Starovës, Dhionis Çakallit, Përparim Kodrës, Stavri Ndreçkçs, Mazllëm Hoxhës, Marie Limonit, Aliqi Terezit, Kristacgji Naçit, dhe shumë e shumë të tjerëve. Shpreha e dësghirës dhe e gatishmërisë së tyre është formuluar në letrën drejtuar gazetës “Zëri i Rinisë

Shënime nga salla !

Katër vjet e gjysmë më parë, në ditën e parë të shtatorit isha ulur në këtë sallë të madhe, diku andej nga fundi dhe bisedoja me dy tre shokë që njihja, me të cilët kisha mbaruar shkollën e mesme. Pas ceremonisë së fillimit të vitit të ri shkollor, na thanë të qëndronim aty se dikush do të na fliste. Leksioni i parë i përbashkët për të gjithë fakultetet që punimi i rregullores dhe statutit të Institutit Bujqësor. Pyetëm atëherë për shumë gjëra, për orarin, për provimet, zaçotet, seminaret, mensën dhe për shumë gjëra të tjera që i kishim dëgjuar nga të tjerët.
Këta mu kujtuan sot (ndoshta njëkohësisht u kujtohen edhe shokëve të tjerë), në këtë takim me pedagogët dhe studentët, që është organizuar me rastin e dhënies së diplomave. Shumë ndryshime kanë ndodhur që atëherë, ne u rritëm, u poqëm, fituam shumë shprehi të jetës, që nesër do t’i çojmë në fshat, u bëmë specialistë të lartë.
Flet rektori i Institutit, Gaqo Tashko. Na uron rrugë të mbarë në detyrën e re për lulëzimin e atdheut. Ne rritim këtë vit me 114 specialistë të bujqësisë, blegtorisë dhe pyjeve radhët e armatës së specialistëve që punojnë në të katër anët e vendit.
Pastaj e marrin fjalën shokët e mi, Ibrahimi, Kristua… Ata shprehin në emër të gjithë shokëve dëshirat e secilit, që një ditë më parë i shfaqëm në mbledhjen e organizatës së rinisë për të punuar atje ku është më vështirë dhe ku e do e mira e atdheut.
– Duam të jemi edhe në jetë luftëtarë e nxënës – kjo është dëshirë që lexohet në fytyrat e të gjithëve – Instituti do të na ketë neve  në prodhim përçuesit e së resë, eksperimentatorët, studiuesit e shumë problemeve teorike e praktike që shtrohen para bujqësisë. Dëshirojmë që me institutin e pedagogët të lidhemi në një nyje të pazgjidhshme dhe biblioteka shkencore t’i zgjerojë më shumë lidhjet me bazën.
– Jeta i jepet njeriut vetëm një herë – ka thënë Ostrovski – theksoi ministri i bujqësisë, Pirro Dodbibiba – prandaj ai duhet të punojë në mënyrë të tillë që mos bëhet pishman për ato që ka bërë. Edhe ju- vazhdoi shoku Pirro Dodbiba – duhet të punoni kudo që të jeni, pa u lodhur, që ta çoni bujqësinë tonë  përpara. Ju keni nevojë shumë për të mësuar nga jeta, nga praktika, duhet të punoni që të jeni nxënës të praktikës, të së resë, ta futni atë sa më thellë e sa më shpejt në bujqësinë tonë.
Pas shpërndarjes së diplomave, përsëri u mblodhëm së bashku ashti si 4 vjet e gjysmë më parë, u mblodhëm bashkërisht në atë sallë. Zëvendës dekani i fakultetit të agronomisë, pedagogu Astrit Kallapodhi kërkon mendimin tonë rreth përmirësimit të punës mësimore dhe praktike në institut e na jep disa këshilla të vlefshme për punën dhe për jetën.

Në jetë duhet të jesh gjithnjë nxënës

Të mërkurën dhe të enjten në dhomat tona, në ato dhoma ku dritaret deri natën vonë në ditët e provimeve të shtetit vështronin në errësirë si sy të ndezur, është prishur qetësia. Të gjithë përgatiten për udhëtim. Valixhet nuk i nxënë librat, dispensat e fletoret e konspekteve të leksioneve. Pako që qëndrojnë do të gjesh në çdo dhomë. Secili përgatitet që të marrë me vete sa më tepër literaturë teorike që do të jetë ndihmëse atje në fshatin më të largët ku do të punojë, ku pedagogu shokët janë larg dhe pyetjet memece, që natyra shtron para teje, duan zgjidhje.
Më pëlqen por edhe më emocionon kjo skenë e largimit, sido që dhoma nuk ka atë pamjen e dikurshme dhe copa gazetash e fletë fletoresh mbulojnë dyshemenë. Është fillimi i një rrjedhe të re në jetë, rrjedhë e cila do të shpërndahet në çdo cep të atdheut.
Bajrami është i shqetësuar. Baulen e ka mbushur plot e përplot.
– Ç’ke? – e pyes.
– Më duhen  edhe disa dispensa, por nuk po e gjej Cenin.
-Tani sapo u ngjit lart.
Ai përplasi derën dhe  ngjit përpjetë shkallëve. Bri baules së mbyllur me zor, ishin një grumbull librash dhe dispensash…
Në jetë duhet të jesh gjithnjë nxënës, studiues…

Mirupafshim

Në stacionin e autobusëve të interurbanit në Tiranë ka gjallëri. Njerëz që përqafohen me njeri-tjetrin, zëra, buri makinash. Atmosferë e zakonshme ndarjeje, që këto mëngjese u përsëritën me ngjyra të ndryshme…
Kaloj mes shokëve e shoqeve të mi. Përqafime, urime për rrugë të mbarë, punë të mbarë. Dhionis Çakalli u nis për në Vlorë, Përparimi e Petraqi për në Korçë, Bajrami dhe Skënderi për në Ersekë, Muharremi për Burrel, Ahmeti dhe Zeqiri për Tropojë, Nikollë Gjoni për Mirditë, Andoni dhe Forja për Përmet…
Pas pushimeve ata do të nisen atje ku e kërkon nevoja e atdheut.
Mirupafshim!
Adresa jonë është fusha dhe mali, atje ku mbillet dhe korret!

Tiranë, 16 shkurt 1966

Nga Arkivi i gazetarit

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.