KUR DIGJEJ SHQIPERIA

0

KUR DIGJEJ SHQIPËRIA E MBYLLESHIN GAZETAT

 

Shënime të gazetarit

 

Unë nuk e jetova dimrin e egër ’97 në Shqipëri. I larguar fill pas zgjedhjeve të 26 majit për shkak të dhunës dhe përndjekjes që mu bë, jetoja në Salaminë të Greqisë prej ku nëpërmjet BBC dhe Zërit të Amerikës, si dhe televizioneve greke që kishin “pushtuar” në sinkron tërë jugun e Shqipërisë, përjetoja dhimbjen shqiptare.
Re të zeza vinin, të zeza si asnjëherë tjetër. Digjej gazeta “Koha Jonë”, mbylleshin të gjitha gazetat përjashtuar RD-në mbrojtëse e pushtimit të ri alafashist, digjesh gjithçka në rrënjë të kuotës zero, breshri kallashnikovësh, shi plumbash që merrnin jetë…
Asnjëherë, në asnjë kohë, jeta nuk ishte kaq e rrezikuar…
Asnjëherë, në asnjë kohë, Shqipëria nuk kishte ngelë kaq ngushtë…

Po i përcjell ato momente nëpërmjet “Pasivitetit” të ditarit tim, shokut që nuk më ndahet, që flet dhe shkruan me mua…
Ato ditë, në Athinë, doli numri i parë i një gazete të re shqip, gazetës “Vëllazërimi”, gazetë që mbuloi stendat e kioskave boshatisur nga gazetat që vinin nga Shqipëria.
Unë isha një zë, bashkë me zërat e Topores, Xholit, Bigzës, Martikos, Blidos…

 

Rreshta nga Ditari

 

24 janar ’97

Në Lushnje, sipas ZA dhe BBC paska krisur. Qenka djegur bashkia dhe këshilli i rrethit nga njerëzit që kanë dhënë para me fajde. Gjendja tepër e rëndë…

25 janar ’97

Në Shqipëri vazhdojnë turbullirat, vazhdojnë djegiet e shkatërrimet. PD-së së Berishës iu “rritën djemtë”, atë që mbollën, atë po korrin. Ata që i  ngjitën në pushtet (rruga), ata po i rrëzojnë (rruga). Mjerë populli, mjerë ata që i zë nën vete ky tërmet. Meraku është spostuar për në Tiranë. Ç’të bëjmë?

26 janar ’97
Nga Shqipëria, sipas ZA dhe BBC, flitet për protesta shoqëruar me shkatërrim e djegie. PD-ja e filloi me djegie dhe po e mbyll me djegie. Shqipëria në flakë. Ku shkon kështu vendi potencialisht më i pasur dhe më i arsimuar në Evropë? Ç’është ky neronizëm që po hedh shtat?

27 janar ’97

Në Shqipëri ka zbritur në “fushën e betejës” ushtria për të mbrojtur diktaturën berishiane. Një veprim i tillë konsiderohet i paprecedent në tërë Lindjen. Kjo është cilësuar nga Perëndimi nëpërmjet ZA dhe BBC.

29 janar ’97

Në mbrëmje më mori në telefon Stefan Martiko. Biseduam për gjendjen në Shqipëri ku kanë filluar arrestimet e socialistëve, drejtuesve të PS në rrethe të ndryshme. Shqipëria është në shtetrrethim. Berisha vendosi diktaturën ushtarake. Të huajt po e quajnë këtë një rast flagrant, i padëgjuar në demokraci.

30 janar ’97

Në Tiranë qenka formuar një koalicion partish për rrëzimin e Berishës dhe zgjedhjet e reja parlamentare.

2 shkurt ’97

Shkova herët në Omonia ku mora gazetën dhe takova organizatorët e demonstratës para ambasadës shqiptare, demonstratë e cila u përcoll nga tërë masmedia televizive greke. Në ekran dy fëmijë u ofruan policëve grekë karafila të kuq dhe flamurin e kuq shqiptar…

5 shkurt ’97

Në Vlorë, sipas BBC, ka pas përleshje të ashpra me policinë e përdorim të armëve.

10 shkurt ’97

Mjetet  e informacionit të botës, radiot e televizionet, përcollën dhunën policore në Vlorë. Është vrarë me armë zjarri një 30 vjeçar dhe ka vdekur nga infarkti një 53 vjeçar. Gjendja është tepër e rëndë.
11 shkurt ’97

Sot më 11 shkurt, në orën 11.00 (sipas Tiranës) dhe 12.00 sipas orës greke, qëndrova një minutë në këmbë në heshtje, në kujtim të viktimave të terrorit berishian në Vlorë duke u bashkuar me hidhërimin dhe zinë mbarëkombëtare, me flamurin shqiptar në gjysmë shtizë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre. Gjaku i tyre u bëftë dritë për Shqipërinë, një Shqipëri pa diktatura dhe pa diktatorë të çdo ngjyre qofshin. Ora 12.06.

13 shkurt ’97

Nga lajmet e mbrëmjes mësova se gjykata ka vendosur paraqitjen dy herë në javë të S. Brokajt në policinë gjyqësore…
Në Shqipëri sa vjen e më e vështirë bëhet. Në veçanti në Vlorë por edhe në zonat e tjera, po mbretëron kaosi…

2 mars ’97

Në Shqipëri është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, caprifuoko i luftës. Berisha shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, fundin e vet të turpshëm.

3 mars ’97

Media greke dhe ajo botërore orë të tëra i ka kushtuar “Shqipërisë në zjarr”, gjendjes atje, kaosit që zotëron. Nga Shqipëria, me helikopterë ushtarakë italianë ikën gazetarët dhe të huajt. Është djegë gazeta (zyrat) e KJ. Vazhdon dhuna e egër fashiste.

Parlamenti i PD-së në shkatërrim zgjedh me 113 vota pro, një kundër dhe 4 abstenime Berishën President !
Një parlament si ai i tetorit 1944 i gjermanëve që u qëllua nga partizanët e E. Hoxhës me top.
Historia përsëritet në spirale. Komunisti-fashist Sali Berisha bëhet për së dyti president !

4 mars ’97

Shqipëria vazhdon të jetë nën krisma armësh, nën zjarrin e ndezur nga Berisha. Greqia, nëpërmjet televizioneve të saj, po e bën tërë Shqipërinë “Vorio Epir”, të flasë greqisht.

Në Tiranë sot doli vetëm RD-ja…

5 mars ’97

Takova Ilia Blidon djalin e Filip Blidos koleg që ka punuar në Maqellarë të Dibrës, që këtu kanë një tjetër mbiemër, Apostoli. Ilia këmbëngul për nxjerrjen shpejt të një gazete në shqip…

Në Shqipëri vazhdon kaosi, vazhdon gjakderdhja. Në televizion sot pamë edhe Andrean e Delvinës me armë në dorë.

6 mars ’97

Berisha, në takimin shumë partiak bëri “lëshimin e detyruar”- qeveri teknike-amnisti për rrëmbyesit e armëve. Ndërkohë jugu, ku edhe ushtria është bashkuar me “rebelët” nuk i dorëzon armët pa dhënë dorëheqjen Berisha.
Jugu zien…

7 mars ’97

U vendos botimi i gazetës me emrin “FJALA”. I shkoftë fjala në vesh të Zotit !

10 mars ’97

Në mëngjes në orën 10.30 shkova në Omonia dhe prej andej në zyrën e gazetës “Vëllazërimi”. Emri i saj u ndryshua …

…Shqipëria në flakë e nën gjëmime armësh. Njoftohet se është marrë Berati, Kuçova, Përmeti. Ka ngelur vetëm Juglindja, Korça etj. Numri i të vrarëve dhe i gjakut të derdhur vazhdon rritjen….

11 mars ’97

Në Shqipëri vazhdon tensioni, vazhdon sulmi drejt Tiranës. Jugu, me përjashtim të Korçës, Pogradecit dhe Kolonjës është nën armë. Plasi edhe në Veri, në Tropojë e Kukës…

15 mars ’97

Sot doli numri i parë i “Vëllazërimit”. Është një sukses. Pastë fat dhe lexues sa më të shumtë!

Mjetet greke të informacionit dhanë me flesh dorëheqjen e Berishës. Nuk u konfirmua një gjë e tillë nga ZA dhe nga Radio Tirana. Sido që të jetë Berisha po jeton grahmat e fundit të pushtetit të tij. Në Shqipëri flitet për normalizim të gjendjes.

21 mars ’97

Në mbrëmje televizioni grek njoftoi për ardhjen në Selanik të Fatos Nanos për të takuar fëmijët. U tha se do të vijë edhe në Athinë.

22 mars ’97

Sot doli numri 2 i gazetës “Vëllazërimi”…

2 prill ‘97

Në mbrëmje patëm një takim me Bashkim Finon tek Politekniu. Me të ishte edhe Ylli Bufi, Arben Malaj e të tjerë…

15 prill ‘97
Sot trupat shumëkombëshe “pushtuan” Shqipërinë. Ditë e zezë për popullin shqiptar, prilli i zi, “prilli i zisë së madhe”…

22 prill ‘97

Në mëngjes shkova te “Vëllazërimi”. Në orën 12.00 bëmë një takim me stafin e gazetës, takim që shënoi prologun e fundit të gazetës. Ky numër gazete, më i miri në formë dhe përmbajtje, nuk u mor nga shitësit dhe lexuesit…

 

Abdurahim Ashiku

 

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.