KUJTIME TË HAJRI HOXHËS PËR 4 SHKURTIN 1944

0

KUJTIME TË HAJRI HOXHËS PËR 4 SHKURTIN 1944

 

Fragment nga libri në dorëshkrim

 

Më 1 shkurt 1944, shkruan në kujtimet e tij ish  partizani Hajri Hoxha, kujtime jetësore mbledhur në një libër voluminoz ende në dorëshkrim, takohemi me Eshrefin (Palikuqin A.A) e sipas porosisë shkojmë tek shtëpia e Mete Bahollit (Babai i Sul Bahollit).
Mixha Mete na thotë “pritni pak”.  Nuk vonoi, erdhi e së bashku me të na çon te shtëpia e Skënder Pustinës ku takojmë të vëllain e tij, Dinen e nënën e tyre. E kujtojmë rastin si Eshrefi edhe unë që si Metja e Dinja na shoqëruan rrugës së Dibrës e futemi në një rrugicë që sot e ka emrin rruga “4 shkurti”. Futemi në një furrë pjekjeje. Metja takohet me furrxhiun e dëgjuam fjalët “Simitet” ejani t’i merrni nesër. Kur morëm materialet te Dinja më 2 shkurt na thotë “Simitet” i morëm, ja i keni gati.
Sipas porosisë që kishim, dolëm dhe bëmë takim me shoferët Reshat Fetahun, Rasho Latin dhe ndihmësin Kurtin që do të bënim planin e marrjes së materialeve. Të tre këta ishin të lidhur me lëvizjen antifashiste. Unë me Rashon e Kurtin kishim miqësi familjare. Ata shpesh kishin sjellë materiale me korrierin partizan Refik Sharkun. Bëjmë planin që më 3 shkurt të niseshim duke e ngarkuar makinën me arka sapuni e ndër to do futnim materialet. Kështu vepruam duke  marrë edhe një makinë shkrimi kjo jo se s ‘kishte makinë shkrimi në Dibër, por atë e merrnim me qëllim që çdo material propagandistik që do të shtypej në Dibër të mos diktohej.
E lamë fjalën që të niseshim më 4 shkurt. Si edhe në net të tjera, si Eshrefi dhe unë fjetëm në shtëpitë që ishim përpara. Por ky plan i nisjes na u prish, sepse siç dihet në 4 shkurt ndodhi masakra e operacionit gjerman e bashkëpunëtorëve të tyre kundra popullit të Tiranës.

Më kujtohet si sot  në mesnatë, ku unë bujtsha tek shtëpia e Reshit Korumit (karshi shtëpisë së Xhindollëve) dëgjova britma grash, fëmijësh, trokitje e shqyerje dyersh. Të gjithë çohemi e nuk vonoi, shqyen dyert edhe të kësaj shtëpie, mercenarët kontrollojnë pasaportat e për fat ikën. Dëgjojmë të shtëna armësh.
Të nesërmen pamë pak më tej katër vetë të pushkatuar…

Abdurahim Ashiku

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.