Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme

0

Kryeministri Edi Rama prezantoi sot në Kuvend programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme prioritet i të cilit do të jetë e ardhmja e fëmijëve.

Edi Rama:”Do të bëjmë çmos që fituesit e këtyre zgjedhjeve të jenë ata që nuk kanë moshën për të votuar. Kjo shumicë qeverisëse do të vendosë interesin e fëmijëve në politikbërjen qeverisëse, dhe reformat që bëjnë shtet në emër të fëmijëve” tha Rama.

Në fillim bëri një përmbledhje të 4 vjeçarit që lamë pas dhe pastaj prezantoi premtimet dhe objektivat për 4 vjeçarin që vjen.

Do mbyllet kapitulli i titujve te pronesise

Rama foli për mbylljen përfundimisht të kapitullit të titujve të pronësisë, procesin e legalizimeve si dhe ngritjen e një strukture të posaçme do të bëjë inventarin e pronave të shtetit

Rama: Do të angazhohemi fuqimisht, në bashkëpunim me pushtetin vendor, pa dallim majtas, apo djathtas, për të mbyllur përfundimisht kapitullin kaq shumëvjeçar të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore. Po ashtu, do të mbyllim edhe procesin e legalizimeve

Do të mbyllim procesin e legalizimeve. Një strukturë e posaçme do të bëjë inventarin e pronave të shtetit, që nga rrugët që janë ende thuhet pronë publike, por mish për topat e sekserëve nëpër hipoteka, deri tek të gjitha tokat e lira bujqësore, apo turistike të cilat nuk mund ti lihen në dorë grabitqarëve, sekserëve dhe parallinjve të këtij vendi.

 

Premtimi per turizmin

Rama: E kemi ne në dorë që turizmin ta kthejmë në një nga burimet më të shtuar të rritjes ekonomike dhe të punësimit në 4 vitet e ardhshme. Ta ndryshojmë fort qasjen në këtë sektor, ta ngrejmë në një nivel të ri bashkëpunimin me pushtetin vendor dhe me gjithë industrinë. Ti rrisim ndjeshëm cështjet e brendshme dhe të huaja në turizëm dhe do ta bëjmë. Qysh vitin e ardhshëm mos prenotoni pushime jashtë sezoni turistik do të sjellë një erë të re në Shqipëri.

Premtime te tjera

-Do rrisim çdo vit vlerën financiare të çekut të bebes që nga pr/ buxheti i ardhshëm.

-Do përqëndrojmë energji e burime financiare tek shkolla e edukimi.

-Do të rrisim sërish pagat e mësuesve gjatë këtij mandati. Do rrisim mbështetjen publike e morale ndaj tyre.

-Do të punojmë shumë fort për konkretizimin e disa nismave në kuadrin e bashkëpunimit rajonal, në radhë të parë, brenda suazës së Procesit të Berlinit.

-Do të shumëfishojmë gjithashtu përpjekjet, për të konkretizuar më shpejt dhe më shumë prej nismave, tanimë të dakordësuara me Kosovën në mbledhjet e përbashkëta të dy qeverive.

Do të reformojmë rrënjësisht qeverisjen, institucionet e gërryera prej vitesh e vitesh të tëra nga korrupsioni dhe sistemin e degraduar prej vitesh e vitesh të tëra të shërbimeve për qytetarët. Dhe do ta bëjmë!

-Kemi një vizion të plotë dhe një plan të qartë që ka nisur të jetësohet me strukturën e re të qeverisë dhe do të vazhdojë kaskadë deri në bazën e piramidës së shtetit. Parimi i qeverisjes tonë do të jetë: “Më shumë me më pak!”

-E kemi ne në dorë të vigjëlojmë mbi procesin e Vetting-ut dhe të shtyjmë përpara në tërësi Reformën në Drejtësi. Fokusimi edhe i opinionit publik tek peshqit e mëdhenj është mëse i kuptueshëm. Por, ndërkohë, sistemi ynë i drejtësisë shkatërron përditë shpresa dhe të drejta të shumë e shumë njerëzve të zakonshëm. Ne do të shtyjmë fort, jo vetëm që opinioni publik të shohë prova konkrete të dobisë kombëtare të Vetting-ut

-E kemi ne në dorë të rimëkëmbim çdo shkollë ekzistuese që ende kërkon, edhe pse prej shumë vitesh, dorën e shtetit; çdo dhomë dhe mjedis spitali që po ashtu ende pret prej shumë vitesh dorën e shtetit; çdo rrugë kombëtare që sot lëngon prej dorës së një shteti që në infrastrukturën rrugore në këto 20 e kusur vite ka lënë gjurmët e gishtave të një papërgjegjshmërie dhe paaftësie spektakolare. Dhe do t’i bëjmë!

Një program i madh investimesh do të nisë të zbatohet gjatë këtij mandati në infrastrukturën rrugore, shkollore dhe shëndetësore të vendit, falë të cilit do të hapen edhe shumë vende të reja pune, si dhe do të ndikohet ndjeshëm rritja ekonomike e Shqipërisë.

Partneriteti me biznesin do të hyjë në një fazë të re. Qeveria e re do të ketë një Ministre Shteti për mbrojtjen e sipërmarrjes, de facto figurën e Ombudsmanit, Avokatit të Sipërmarrjes brenda qeverisë.

-E kemi ne në dorë të rrisim volumin e investimeve, duke mos e rritur, por duke e ulur borxhin; të kapërcejmë nivelin 5% të rritjes ekonomike në vitin e tretë të këtij mandati; të krijojmë mundësi për 220 mijë vende pune më shumë në librat e llogarive të shtetit

-Të rrisim përsëri rroga e pensione në harkun e katërvjeçarit, përsëri pa e rritur borxhin;
-Të rrisim më tutje eksportet bujqësore, duke i stimuluar ato dhe më fort dhe duke hequr dorë nga subvencionimet joeficente me frymëzim partiak. Dhe do ta bëjmë!

– Reformimi dhe ngritja në një nivel krejt tjetër i Emergjencave Civile është një domosdoshmëri imediate. Dhe do ta bëjmë!

Ftesa per tryeze, vota e emigranteve ne 2021 

Ftoi opozitën për reflektim për shembullin që jepet në Parlament. Gjithashtu e ftoi për tu ulur në një tryezë për të diskutuar çështje madhore kombëtare që kanë të bëjnë me Shqipërinë dhe imazhin e saj përtej kufijve si dhe për të bërë realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Edi Rama: “Askush prej nesh nuk fiton duke dëmtuar reputacionin e Shqipërisë në sytë e botës, të tjerët, dashakëqinjtë e këtij vendi fitojnë

Dekriminalizimi a kanabisi, të dyja tema të ngritura me shumë forcë nga Partia Demokratike; problematika reale padyshim, por që sipas meje u frynë, duke kaluar çdo cak e masë në veshët e në sytë e botës.

Nëse sot, ne jemi në një ofensivë totale dhe me rezultate të paimagjinueshme kundër kanabisit, e kotë të mohohet se edhe opozita pati kontributin e saj.

Dakord, le të mos e debatojmë këtë e ta marrim të mirëqenë kështu siç mendoni ju, por le të provojmë të paktën që problemet e një përmase të caktuar, t’i diskutojmë njëherë së bashku. Të përpiqemi njëherë t’i adresojmë e t’i zgjidhim në shqip, me durim e mirëbesim.

 Ashtu sikundër të përpiqemi, dreqi e mori, të ndajmë raportimet e fakteve nga kriminalizimi i shqiptarëve në burimet e huaja të informimit, ku sot flitet paturpësisht në disa qytete për krim etnik shqiptar! Ndaj kësaj besoj se nuk ka asnjë diskutim që ne duhet të jemi bashkë.

Në emër të shumicës qeverisëse, unë ju shpreh sot gatishmërinë tonë, që të ndërmarrim një nismë të përbashkët, një tryezë të hapur për gjërat e mëdha që duhet të na bashkojnë, të cilat, e përsëris, në numër janë shumë më pak sesa ato që na ndajnë, po në thelbin, në peshën e tyre janë paketa e detyrimeve madhore të partive të vërteta politike dhe të politikanëve seriozë të çdo vendi.

Ju ftoj të gjithëve të mos humbasim më kohë, por të ulemi dhe ta bëjmë së bashku realitet votimin e emigrantëve në zgjedhjet politike të vitit 2021.

Policia e Jashtme

Një vëmendje iu kushtua dhe politikës së jashtme, ku u nënviza vijimsia e aleancës strategjike me SHBA-ne dhe BE si dhe forcimi i institucioneve.

Rama deklaroi:  “Shqipëria meriton çeljen e negociatave. Të padrejta sebepet e reja”

Kemi gati projektin për bashkimin doganor me Kosovën

Mesazhi i Ramës për Greqinë: S’mbyllim sytë, as gojën për të drejtat tona

Mesimet nga e kaluara

Edi Rama: ” Kemi gjykuar gabim kur çdo sulm përtej kufijve etikë të opozitës e kemi skualifikuar për shkak të   shëmtisë të pajustfikueshme të formës, pa e analizuar sidoqoftë arsyen burimore.

25 qershori provoi edhe një herë, këtë herë edhe më qartë se të tjera herët, se në Shqipëri nuk fiton kush i fryn më shumë zjarrit të konfliktit, kush abuzon, shan dhe bllofon më shumë me kartat e veta. 

Kush i qan hallet miletit ditën, pasi ka numëruar natën sa ka shqepur nga shteti. 

Votat nuk merren, duke mbushur veshët e të huajve me baltë ndaj njëri – tjetrit.

Zgjedhjet nuk fitohen, duke financuar apo nxitur të huajt të deklarojnë e të publikojnë sensacione të zymta për këtë vend, që është njësoj i të gjithëve ne, yni dhe i juaji.

Pushteti nuk merret, duke shkuar në Bruksel të ndarë si të ishim përfaqësi grupimesh në një konflikt ndëretnik.

 

Thirrja per tolerance dhe respekt mes politikaneve 

Edi Rama: I bëj thirrje sot kryetarëve të partive dhe deputetëve të rritemi e të vetëndërgjegjësohemi për dëmin e madh që u bëhet fëmijëve si pasojë e shfaqjes së agresivitetit e mos respektit mes nesh.  Le të debatojmë e kundërshtojmë por të mos lejojmë që bashkëjetesa jonë politike të jetë barku që prodhon modele dhe shembuj të këqinj për fëmijët. Ju ftoj të reflektoni në modelet e këqinj të bashkëjetesës që ky kuvend dhe katundi ynë politik ka sjellë.

Dekriminalizimi dhe kanabisi, probleme reale, por u frynë. Opozita luajti një rol në shkundjen tonë ndaj këtyre problematikave” deklaroi ai.

Rama-opozitës: Nuk jemi armiq. Basha doli bashkë me vajzën e vogël…
Rama në seancën e sotme kishte disa mesazhe paqeje për opozitën. “Sot dhe 4 vjet me radhe do të jemi forca e shembullit, jo shembulli i forcës. Jemi të vetëdijshëm për gabimet dhe defektet tona. Kemi kuptuar që e kemi pasur gabim kur menduam se durimi me opozitën nuk ia vlen.

Nuk jemi as armiq as kundërshtare, ne jemi konkurrentë që luftojmë me ide dhe politikë. Në një nga ditët e protestës së opozitës, Basha doli në protestë bashkë me vajzën e vogël.

Nuk dua ta komentoj këtë episod por dua të them se në fund fare, qofshim në qetësi a konflikt, çdo gjë që ne bëjmë lidhet me fëmijët tanë. Dhe në këtë punën tonë, në çdo gjë që bëjmë keq, u bëjmë keq fëmijëve të të gjithë Shqipërisë” thotë Rama.

Rama: Në 2018 presim hapjen e negociatave, prioritet Vettingu
Kryeministri deklaroi në fjalën e tij se Shqipëria pret hapjen e negociatave në 2018, ndërsa vendosi theksin edhe te Vettingu.

Çelja e negociatave vitin e ardhshëm është ajo që Shqipëria pret dhe është e padrejtë të zvarritet duke nxjerr sebepe të reja.  Megjithatë asgjë për hatërmbetje, dihet si funksionon BE, dhe ky proces gjithnjë i paparashikueshëm.

Ne nuk na mbetet asgjë vemese të bëjmë sa më mirë atë që kemi në dorë. Reforma ne Drejtësi dhe Vettingu, fokusi i publikut të “peshqit e mëdhenj” është i kuptueshëm. Ne do të shtyjmë fort që opinioni të shohë veprimet konkrete

Rama: Greqia deklarata fluturake, s’do mbyllim sytë per te drejtat tona
Kreu i qeverisë u ndal edhe te marrëdhëniet me fqinjët duke deklaruar se probleme ka vetëm me Greqinë, ndërsa kërkoi që të zgjidhen me dialog dhe jo me deklarata fluturake, sikur i cilësoi ai, ato të Athinës pak ditë më parë për cështjen e minoritetit.

Bashkim doganor me Kosovën dhe zero probleme me fqinjët. Mesazhi im për Greqinë është i thjeshtë; duam miqësi dhe respekt dhe bashkëpunim.

Cdo grek që jeton në Shqipëri është i barabartë dhe minoriteti është një urë e vyer mes dy vendeve dhe popujve, kujdesi i qeverisë vetëm do të vijojë të rritet.

Por Shqipëria, pavarësisht halleve nuk do të mbyllë as sytë dhe as gojën në mbrojtje të vërtetave të veta. Koha do të sjellë zgjidhjet për të dyja palët, me këmbë në tokë, jo deklarata fluturake në distancë. Nivel i ri marrëdhënies miqësie dhe bashkëpunimi”.

Debati për Skënderbeun, Rama: Analizë dhe reflektim
Në Kuvend, Rama u ndal edhe te debati për mbulimin e Skënderbeut ditën e faljes së Bajramit, që solli reagime të shumta.

Edhe gjuha jonë sot, shqipe, gjuha e unifikuar shqipe është e kërcënuar, ca nga inercia e boshllëkut të arsimit në tranzicion, ca nga çorodia e pjellë prej tranzicionit që na shfaqet në forma shqetësuese marrëzie, si ishte ajo që përfshiu edhe heroin tonë kombëtar Skënderbeun.

Njerëz që nuk maten as me zgjatimin e funbarkut të kalit të Gjergjit mbinë nga dheu për t’i bërë karshillëk historisë së tij, historisë sonë të fëmijëve tanë.

Aq qesharak, ai episod kërkon analizë, reflektim, jo për perden që nuk e mbuloi monumentin, por me cfarë u shfaq duke e përdorur atë perde të montuar si embrioni i një krimbi kërcënues, për harmoninë fetare dhe përkatësinë evropiane të shqiptarëve”deklaroi Rama.

 

Share.

About Author

Leave A Reply