Kompanitë e sektorit të hidrokarbureve rezultojnë debitoret më të mëdha tek administrate e Tatimeve

0

Kompanitë e sektorit të hidrokarbureve rezultojnë debitoret më të mëdha tek administrate e Tatimeve. Sipas një liste të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, ndër 15 kompanitë me borxhe më të mëdha ndaj kësaj administrate, shtatë prej tyre i përkasin pikërisht atyre të nxjerrjes, përpunimit apo tregtimit të hidrokarbureve.

Por në “listën e zezë” nuk mungojnë as ndërmarrje të mëdha me pronësi tërësisht shtetërore, edhe ato në sektorin e energjetikës, duke treguar se në këtë degë të ekonomisë po përjetohen probleme të rënda financiare.
Debitori më i madh, sipas Tatimeve, është shoqëria ARMO, e përpunimit të naftës, me qendër në Ballsh, ku 15 për qind e aksioneve i takojnë shtetit shqiptar dhe 85% privatëve.

Kjo ndërmarrje, pas privatizimit të pasuksesshëm nga Rezart Taçi, ka kaluar shumë teladhe, duke filluar nga mospagimi në kohë i punonjësve, deri tek vonesat në likuidimet e të tretëve. Jo më kot ajo është goditur tashmë nga një numër urdhërash sekuestroje nga ana e përmbaruesve, e fundit ndër të cilat mban datën 2 tetor 2017. Shuma që u detyrohet Tatimeve, në formën e detyrimeve të papaguara për taksa e kontribute, aktualisht është në nivelin e 21.3 miliardë lekëve, apo 160 milionë euro.

Kompania e naftës që pason në vendin e katërt është Deveron Oil Albania, edhe kjo me qendër në Fier, e cila ka një borxh nga administratës fiskale në masën e 7.1 miliardë lekëve, apo 53.3 milionë euro.
Më pas vijon kompania e mirënjohur e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinzë, Bankers Petroleum, që tashmë ka ndrushuar edhe pronësinë, duke kaluar nga kanadezët, tek pronarë nga Kina, me 1.5 miliardë lekë detyrime. E ndjekur nga Transpetrol, me qendër në Berat, me 830 miliionë lekë të reja detyrime, Fullpet me 800 milionë lekë, etj.

Lista e 15 debitorëve më të mëdhenj përfundon me Anika Mercuria Refinery Associated, e cila ende vijon të jetë kompania-mëmë e ARMO-s, me 706 milionë lekë borxhe ndaj Tatimeve. Kompania në fjalë ka qenë themeluar nga Rezart Taçi, por u ble nga pronarët e rinj.

Debitorët shtetërorë
Por në listën e tre më të mëdhenjve figurojnë edhe dy ndërmarrjet më të mëdha në pronësi të shtetit. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike rezulton me një debi prej 78.5 milionë eurosh, i pasuar menjëherë nga kompania tjetër hidroenergjetike KESH, me 62.9 milionë euro borxhe. Të dy këto kompani, që zotërohen nga shteti, i detyrohen sërish shtetit një shumë gjigande prej 141.4 milionë eurosh. Pra, tre kompanitë më të mëdha debitore ndaj Tatimeve janë, ose 100% me pronësi shtetërore, ose me shtetin aksioner të pakicës (ARMO).

Borxhet
15 kompanitë kanë një detyrim në total prej mbi 59 miliardë lekësh, ose 446 milionë eurosh. Kjo përbën 40.4% të borxhit të akumuluar në fund të vitit 2016. Në rritjen e detyrimeve tatimore të papaguara në afat, peshën kryesore e zënë kompanitë ARMO, OSHEE dhe KESH me 40 miliardë lekë ose 27.2% të të gjithë shumës së borxhit të papaguar në fund të vitit 2016. Peshë të rëndësishme në totalin e borxhit zënë gjithnjë subjektet buxhetore dhe entet publike, me rreth 17% të totalit të stokut të borxhit në fund të vitit 2016.

Kurse, sa u përket detyrimeve të privatëve, në fund të vitit 2016 numri i bizneseve debitore arriti në 146.650. Ndërkohë, ende është në proces gjyqësor mnjohja e një shume detyrimesh në vlerën 37.4 miliardë lekë, e cila, në rast se shuhet, do të ulte shumë totalin e borxheve.

Në të dhënat më sipër nuk janë përfshirë fshirjet e borxheve me dhe pa kushte, të zbatuara gjatë muajit tetor 2017 për 13.210 tatimpagues, me një shumë prej rreth 8.84 miliardë lekësh. Në rast se merren ato parasysh, shuma totale e borxhit zbret në 111.7 miliardë lekë.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.