KOMISIONAR NË VENDIN TËND DHE TË HUAJ

0

KOMISIONAR NË VENDIN TËND DHE TË HUAJ

Rrëfimi i një komisionari votimesh NË Atdhe dhe në Mërgim

Unë studenti i dhjetorit, anëtar i Partisë Demokratike në votën time të parë në jetë, komisioner në vendlindje, nuk pashë vota. Nuk numërova vota. Nuk më dha kush mundësi të numëroja vota. Kutitë mbi mushkë dhe mushka bashkë me fletët e votimit fluturoi në përrua. U mbyll votimi. Merre kutinë. Ik zhduku. Rezultatin e jap unë…
Ika, hodha teserën e Partisë Demokratike dhe kapërceva malet.
I zhgënjyer…
I revoltuar…
Pa shpresë për të ardhmen…
E keqja që ka kapluar Shqipërinë është se 26 maji i vitit 1996 vazhdon të jetë atje. Në çdo votim, në të gjithë vendin, në qytetet e mëdha dhe në fshatrat midis malesh.
Votat i numërojnë komisionerë partiakë. Njerëz që gjatë gjithë procesit e shohin njeri tjetrin si hasëm, si armiq të betuar. Njerëz që fusin duart e me to njollosin jo procesin, por Shqipërinë…

*             *                   *

Fletët e votimit numëroheshin sipas një riti monoton.
Në fillim fletën e shihte “dhikastikos liturgos”, përfaqësuesi ligjor, gjykatës, prokuror, avokat apo pjesëtar i sistemit të drejtësisë greke.
Më pas fleta kalonte dorë më dorë tek të gjithë pjesëtarët e komisionit.
Përsëri nga e para: në dorën dhe vështrimin e përqendruar të personit të drejtësisë e pastaj tek ne, dorë më dorë.
Vota deklarohej me zë, tri herë.
Më pas hidhej në një tablet për tu regjistruar e për tu përcjellë në sistem.
Në kohë reale…
Në ekrane televizionesh…

*                   *                   *

Ka marrë nënshtetësinë e vendit ku tash 23 vjetësh është banor i tij. Ka, si i thonë, dyshtetësi, shqiptare e greke. Ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet.
Për më se një dekadë na ndante një mur apartamenti banimi. Jetën e tij i përmblodha në një libër me titull: “Rrëfimet e komshiut”.
Kësaj radhe në një rrëfim për votën. Rrëfim në dy kohë e në dy vende ndarë me një kufi tokësor, afër e afër gjeografikisht. Larg e larg demokratisht…
“E thjeshtë, më thotë ndërsa gjerbim kafe, jo vetëm për mua, por për gjithë ata qindra mijëra shqiptarë anë e kënd botës.
E veçanta, ajo për të cilën po të tregoj, është se më thirrën të jem pjesë e votimeve zyrtare në lagjen ku banoj, komisioner në Kipseli të Athinës…
Nuk jam shprehur publikisht, përveçse nëpërmjet votës që vetëm unë e di, anësi ndaj ndonjë partie.
Thjesht më thirrën dhe isha komisioner.
Komisioner si të gjithë të tjerët ulur në tavolinë pa ndonjë kokardë partie në thilenë e këmishës.
Vrojtoja njerëzit që hynin, tregonin identitetin, vendvendosjen e emrit në listën zgjedhore, merrnin fletën e votimit, fshiheshin në kabinë dhe vinin, pa ndonjë shenjë të veçantë në fytyrë dhe e hidhnin atë në kuti…
Pastaj erdhi numërimi.
Ne vetëm shihnin….
Fletët e votimit numëroheshin sipas një riti monoton.
Në fillim e shihte “dhikastikos liturgos”, përfaqësuesi ligjor, gjykatës, prokuror, avokat apo pjesëtar i sistemit të drejtësisë greke.
Më pas fleta kalonte dorë më dorë tek të gjithë pjesëtarët e komisionit.
Përsëri nga e para: në dorën dhe vështrimin e përqendruar të personit të drejtësisë e pastaj tek ne, dorë më dorë.
Vota deklarohej me zë, tri herë.
Më pas hidhej në një tablet për tu regjistruar e për tu përcjellë në sistem.
Në kohë reale…
Në ekrane televizionesh shtetëror e privatë…
Kaq.
Thjeshtë dhe qartë.
Në komision ishim pesë vetë. Asnjë nuk jepte shenjë se i përkiste njërës apo tjetrës parti në garë. Të gjithë ishin vullnetarë të zgjedhur si në “loton me gogla” nga bashkia.
Dhe “gogla” ra mbi emrin tim, një emigrant shqiptar me nënshtetësi greke.
Po ta përsërisë edhe njëherë: Më bëri përshtypje rregulli. Çdo votues merrte në dorë fletën e votimit dhe një zarf apostafat për zgjedhjet. Futej në kabinën e fshehtë dhe kthehej me fletën e votimit në dorë. E paloste dhe e fuste në zarf. Mbi zarf, në katër kënde të saj dhe në qendër vihej vula e qendrës së votimit. Riti i mëtejshëm ishte i zakonshëm. Hidhej në kuti për tu hapur vetëm kur kishin mbaruar votimet.
Votimet filluan në orën 7.00 të mëngjesit dhe mbaruan në orën 19.00 të pasdites.
Numërimi dhe deklarimi i rezultatit përfundoi në orën 11.00 të natës.
Çdo gjë ishte me një rregull të jashtëzakonshëm. Nuk i shkonte kujt ndërmend të tjetërsonte e jo më të zgjaste dorën të prekte kutinë e votimit dhe votën e partive.
Në orën 11.00 kur përfunduam i shtrënguam dorën njeri tjetrit dhe thamë “mirë u pafshim”.
Nuk do të t’i tregoja këto sikur në ato çaste mendja të mos më fluturonte larg në një fshat të thellë të vendit tim.
Isha komisioner në zgjedhjet kuvendare të 26 majit 1996.
Sapo kisha mbaruar studimet e larta e si anëtar i Partisë Demokratike që në Lëvizjen Studentore më caktuan komisioner në fshat.
Në mesditë na morën në telefon dhe na njoftuan se votimet përfunduan. “Merrni kutitë dhe nisuni për në Librazhd,” ishte urdhri.
I morëm pa firma e vula. Komisionerët e Partisë Socialiste kishin ikur.
Mund të bënim çfarë të donim me fletët e votimit. E mbushëm kutinë sa nuk merrte më.
Në mes të rrugës na urdhëruan që ti hedhim kutitë. Rezultati kishte dalë katër orë përpara se të mbyllej votimi. Madje na urdhëruan që së bashku me kutitë të hedhim në humnerë edhe mushkën. E gjora mushkë përfundoi bashkë me kutitë fletët e të cilës fluturonin në humnerën e përroit të thellë.
Unë studenti i dhjetorit, anëtar i Partisë Demokratike në votën time të parë në jetë, komisioner në vendlindje nuk pashë vota. Nuk numërova vota. Nuk më dha kush mundësi të numëroja vota. Kutitë mbi mushkë dhe mushka bashkë me fletët e votimit fluturoi në përrua. U mbyll votimi. Merre kutinë. Ik zhduku. Rezultatin e jap unë…
Ika, hodha teserën e Partisë Demokratike dhe kapërceva malet.
I zhgënjyer…
I revoltuar…
Pa shpresë për të ardhmen…
E keqja që ka kapluar Shqipërinë është se 26 maji i vitit 1996 vazhdon të jetë atje. Në çdo votim, në të gjithë vendin, në qytetet e mëdha dhe në fshatrat midis malesh.
Votat i numërojnë komisionerë partiakë. Njerëz që gjatë gjithë procesit e shohin njeri tjetrin si hasëm, si armiq të betuar. Njerëz që fusin duart e me to njollosin jo procesin, por Shqipërinë…
Në Greqi pashë se vota është e shenjtë. Pashë se për të është krijuar një kulturë dhe traditë për tu admiruar.
Pse nuk bëhet edhe tek ne kështu?
PSE?
Pyes dhe nuk gjej përgjigje.
Pse mos të zgjidhen “me gogla” njerëz që nuk varen nga partitë për të qenë dëshmitarë të votës së lirë?
Pse në procesin e numërimit të votave të mos thirren studentët, të juridikut në radhë të parë, që të japin në praktikë “provimin e drejtësisë?
Pse në dokumentimin e votës dhe vulosjen e rezultatit të mos thirren juristët, prokurorë, gjyqtarë, avokatë të paguar nga shteti (në Greqi ato paguhen, madje mirë) ?    
Është për të ardhur keq që në një vend pas 28 viteve nuk ka zgjedhje. Ka vetëm sherre. Pa pikë turpi. Lamë nam. Lamë nam. Lamë nam.
Hahet presidenti me kryeministrin për çfarë? Për mustaqet e Çelos.
A i ndoqe zgjedhjet në Greqi sa demokratike u bënë? Fitoi Micotaqis. E merr në telefon Cipras dhe e uron për fitoren dhe i thotë eja nesër të të bëj dorëzimet. Të marrësh karrigen time. Kësaj i thonë demokraci.
E priti të nesërmen në zyrë Ai, humbësi.
“Unë po iki, shëndet, mirupafshim.”
Dhe e zuri karrigen tjetri.
Kjo është demokracia në fqinjin tonë më të afërm gjeografikisht, por jo në Shqipëri.
Mua që më ra rasti në jetë të jem në komision votimi, në dy vende të ndryshme, në dy kuti votimi të ndryshme pashë diferencën e natës me ditën. Qe gjë shumë e mirë, eksperiencë e mirë që vajta. Më tepër pashë se çfarë bëhet. Rregull i paparë. Është për të pasur zili.
Lanë nam atje. Mjerë ne që kemi atje prindër e njerëz të gjakut”

Abdurahim Ashiku

KOMIAthinë 15 korrik 2019

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.