KOHË E VRANËT, PAK DIELL E SHUMË SHI…

0

Shënime rrugëtimi në dheun e lënë…

E kemi lënë dheun e të parëve, dheun tonë, ku lindëm dhe u rritëm, ku gjakosëm gishtat e këmbëve zbathur gurëve të kalldrëmtë e rrëpirave malore, ku balta është …
Jo, jo këtë të fundit atëkohë nuk e dinim, na e mësoi ikja, na e mësoi mërgimi i zi.
E kemi lënë në kërkim të një jete më të mirë, një jete deri në shitje të identitetit, harrimit të gjuhës mëmë e protestash pse nuk na jepet pasaportë e nënshtetësi vendesh të tjerë (!)
E kemi lënë, por ajo nuk na le. Nuk na lenë rrënjët, ato që mbetën nga këputja që u bëmë. Mbetën shumë, shumë rrënjë të jetës sonë. Nuk i morëm  dot dhe as kemi për ti marrë kurrë. Ne jo e jo, por as fëmijët, as nipërit,  as stërnipërit…
Të gjithë një ditë me diell do të thonë “Rrënjët e mia janë nga Shqipëria”, “Unë jam me origjinë shqiptare”.
Shumë rrënjë kemi lënë e pak kemi hedhë…
Kësaj radhe udhëtimin drejt rrënjëve tona na e tërhoqi Erali, im nip, djali i Altinit. I shkulëm lehtë rrënjët për një javë të tërë të tre, unë,  ime shoqe-Natasha dhe im bir –Indriti. Erali mbushi më 5 mars 2013 pesë vjeç dhe na thërriste të bashkonim rrënjë e degë, të qeshnim e të gëzoheshim me të e me të gjithë të tjerët…

EMOCIONE QË TË SHTOJNË JETËN…

Bukur organizohen ditë gëzimet në dheun tim, bukur sa e qeshmja dhe lotët mblidhen si të duan të bëjnë ngrehina që çasti mos harrohet kurrë. Kështu u ndjeva kur në një mjedis pranë kopshtit të nipit shpërtheu kënga dhe vallja, kur në një lokal në krahë të majtë të Rrugës së Elbasanit u mblodhëm si në një tufë me lule, qeshëm sa na dhembën nofullat, kënduam sa na u ngjir zëri, lotuam sa mjekra i mblodhi për ti derdhur krua…
Kishin ardhur njerëzit e gjakut tim, Bexheti me djalin-Arlendin që rasti e kishte sjellë nga Anglia, Neziri dhe Klejdini, djali pas pesë vajzash, Hamidja, motra ime e vogël me bashkëshortët e tyre, Nexhin, Kujtimin,  Xhilen…
Kishin ardhur njerëzit e Natshës, nipi –Albani dhe kunata-Xhevria, Abdullai dhe Bela, Almendi me fëmijët që me Eralin nuk ndahen asnjëherë…
Kishte ardhur Meleqja, gjyshja e Eralit së bashku me vëllanë dhe gjakun e vet…
Kishte ardhur halla e Eralit, Erblina, vajza ime, me Gurjonin që nuk i ndan asgjë kur takohen e luajnë bashkë.
Në krye ishin Altini- djali im i madh dhe nusja e djalit, prindërit e Eralit…
Harrova njeri ? Me siguri. Lash pa përmendur Ebin tim të bukur, motrën e Eralit me tortën-dhuratë për vëllanë. Lash pa përmendur Shpresën…
I tha Eralit Nëna Natasha…
– Ti ke dy nëna, Nëna Leqen dhe Nëna Tashën…
– Jo, tha ai. Kam tre nëna; Nëna Tashën, Nëna Leqen dhe Nëna Shpresën…
Kishte të drejtë; Nëna Shpresa e ka rritë…

NJË TAKIM ME DY MIQ TË NJOHUR LARG

Jemi njohur larg e larg me njëri tjetrin. Me Namik Selmanin na ka njohur   krijimtaria, gjuha shqipe së cilës i është përkushtuar me një libër, proza dhe poezia e tij, na ka njohur edhe krijimtaria ime publicistike lexuar prej tij në faqet e internetit. Më kërkonte takim pa tjetër, takim në praninë e një miku të tij të dashuruar pas Aristidh Kolës, një avokati, Agron Gjedinë e shoqatës “Bytyçi”. Nuk mund ti refuzoja. Të dy këmbëngulnin të vinin në Athinë me një  çmim simbolik për nder të arvanitasit të madh Aristidh Kola, një çmim që do tua jepnin familjes, kryetarit të shoqatës së Arvanitasve…
Biseduam në përgjithësi duke u futur paksa edhe në hollësi. E lamë që të mblidhemi më 9 korrik, në përvjetorin e 69 të lindjes së studiuesit të madh të çështjes  arvanite, të mbrojtësit me fjalë e me vepra letrare e shkencore të çështjes kosovare.
Një barrë e madhe, por edhe një vlerë që një tubim shqiptar, Shoqata “Bytyçi” kërkon ta përcjellë nga malet e larta të Tropojës në ultësirat e Greqisë.

FALEMINDERIT  DËFRIM METHASANI

Dëfrim Methasanin e njoh që kur ishte mësues në Lurë e Fushë-Çidhën. E kam njohur për pasionin e madh për sportin dhe për drejtimin bukur të spektakleve sportive në Dibër. U rrit dhe u ngjit Dëfrimi duke u bërë një zë i veçantë në gazetarinë sportive…
Sa mori vesh që do të zbrisja në Tiranë më kërkoi të pinim një kafe, ashtu, dibrançe, me miq e shokë të vjetër. I thashë që mos harrojë Shuaipin, babanë e tij, mikun tim të udhëtimeve maleve të Dibrës, bjeshkëve të Korabit.
Na mblodhi me një të rënë të telefonit tek “Vjosa” një lokal modest në këmbë të hotelit të dikurshëm me të njëjtin emër, lokal i një dibrani që tash më bren ndërgjegjja që nuk ia mora emrin, ashtu siç nuk ua mora dy miqve të rinj të asaj valleje, njeri prej Reçi e tjetri prej Çidhne. U çmalla me Shuaipin, me Dëfrimin, Xhelil Cibakun, Shpëtim Camin…
Folëm për Dibrën, shprazëm mbi tavolinë e gjerbëm së bashku me kafenë mallin dhe dashurinë për njerëzit dhe vendet…

NË KULLËN E AGOLLIT TË POEZISË DHE PROZËS SHQIPE

Nuk mund të rrija pa u ngjitur në “Kullën e Dritëro Agollit”, pa u takuar me Sadijen, “Rojën e Kullës”, pa dëgjuar zërin dhe këshillat e njeriut të madh të letrave shqipe.
Kësaj radhe u ngjita së bashku me djalin, me Indritin. Ishte një ngjitje pas 17 vjetësh, një ngjitje që më kujtonte ikjen time nga mëmëdheu me djalin tim të vogël për dore, një ngjitje që më kujtonte dhembjen e ikjes nga mëmëdheu.
Përjetuam çaste të mrekullueshme të katërt, Dritëroi, Sadija, unë dhe Indriti, çaste fiksuar në shiritin magnetik që pret zbardhje, çaste që u fiksuan në fotografi, njërën prej të cilave po e veçoj.
Të tjerat, një ditë tjetër, në një numër të veçantë të gazetës…

FTESË NË RADIO TIRANA

Kësaj radhe nuk i shpëtova dot  gazetares së Radio Tiranës  Kozeta Hoxha. I kisha shpëtuar disa herë por kësaj radhe më mbërtheu dhe nuk kisha si të mos ngjitem e të futem në një sallë ku s’pipëtinte asgjë. Ishte hera e parë që intervistohesha në radio dhe emocionet më kishin mbërthyer.  Për fat nuk do të flisja drejtpërdrejt kështu edhe fjalët u thanë për të “nesërmen” kur unë do të isha në udhëtim dhe ndonjë gjë mund të rregullohej në montim. Nuk qe nevoja sepse Kozeta din të t’i largojë emocionet dhe ta drejtojë fjalën në rrjedhshmëri. Më pyeti për mësuesit shqiptarë që vullnetarisht u mësojnë fëmijëve Gjuhën Shqipe, për dy librat që kam bërë për këta Rilindës në kuptimin e plotë të fjalës, për librin e ri në proces për ta…
Ishte një bisedë e këndshme. Nuk e di se kush e dëgjoi. As unë nuk e dëgjova…

ME NJERIUN QË BASHKOI TRUPIN ME KOKËN E ALI PASHAIT

I kam në bibliotekën time ikanake veprat e tij, veprën e Irakli Koçollarit për Ali Pashë Tepelenën, “Alipashaidën” e Haxhi Sheretit, “Policia sekrete e Ali Pashë Tepelenës”, “Arvanitët”, “Ali Pasha në arkivat angleze”…
Për të “…Aliu i ngjante në shumë aspekte vullkaneve. Brenda tij fshihej një shpirt i frikshëm, si shpirti i pa treguar, i tmerrshëm i vullkaneve…
Por shpërthimet vullkanike janë një lloj lindjeje. Përmes çarjes së tyre eruptive këto hapësira të mbarsura bien në jetë të panjohurat e fshehura, të ngjizura kushedi që kur, gatuar, rritur në dhembjen dhe pulset e shpirtit…
Ndoshta, shpirti eruptiv i tepelenasit, pasi i kish mësuar brezat me rreziqet dhe zjarrin, me dhunën dhe revoltën, me ëndrrën dhe shpresën, një ditë duhej të shuhej, që t’i linte vend farës së hedhur mbi hirin e shpirtit të tij për stinët e begatisë, të nesërmes.”
U harruam në bisedë për Ali Pashanë për tu kujtuar në fund për mikun e tij  Kristo Zharkalliun për të cilin më dha librin e tij të fundit ende të padalë në qarkullim, Ali Pashanë e shikuar nëpërmjet arkivave angleze.
Irakli Koçollari me këmbënguljen e një kërkuesi të palodhur, të një shkencëtari, historiani, letrari…e ngriti në këmbë Ali Pashanë, i bashkoi pas afro dy shekujsh trupin dhe kokën…
Një bisedë për Ali Pashanë mbetet të zbardhet nga shiriti magnetik i diktofonit tim…

SHIU I ASAJ DITVEREJE…

Atë ditë, 14 mars 2013, qielli i kishte mbledhur tërë burimet e kozmosit për ti derdhur mbi Tiranë, derdhje që do të më shoqëronte në tërë rrugën e kthimit.
Në kujtesën e asaj dite mu fiksuan shitësit ambulantë të bollokumeve, nën ombrella të vogla apo mushama, me kanistrat në duar apo në cepe muresh mbi trotuare, të mërdhirë, të dëshpëruar sepse askush nuk blinte, askush nuk ua hidhte sytë. Një industri e tërë ishte përgatitur për të prodhuar bollokume “origjinale Elbasani”…
Në mbrëmje, përmes një peizazhi që lundronte mbi ujëra, përmes një shiu që nuk dinte të pushonte një dekik, mora rrugën e kthimit për në Athinë.
Në atë udhëtim, si në udhëtimet e tjera, u tundëm deri në dhimbje kurrizi e tronditje veshkash ndërsa përshkonim rrugën nga Fieri tej Levanit dhe nga Memaliaj në Tepelenë.
Të njëmbëdhjetë kilometrat që ndan Memaliajn me Tepelenën i bëmë për tre çerek ore. I bëmë duke prekur tavanin e autobusit nga hyrje daljet nëpër gropa, të frikësuar nga  gërricjet e llamarinave të autobusit mbi gurët e rrugës dalë kërcënueshëm nga shiu dhe mirëmbajtja e munguar prej vitesh…
…Shiu vazhdoi gjatë gjithë rrugës, edhe pasi kaluam kufirin, deri poshtë në Artë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, Tiranë, Athinë, mars 2013

 

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.