Klosi kërkon hetim ndaj ndohtesve të lumit Erzen

0

Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Z. Blendi Klosi, ishte mëngjesin e sotëm në grykëderdhjen e lumit Erzen, ku inspektoi nga afër aksionin e pastrimit nga mbetjet spitalore të hedhura përgjatë zonës, një situatë krimi mjedisor denoncuar pak ditë më parë në media.

I shoqëruar nga përfaqësues të strukturave të mjedisit të qarkut dhe bashkisë Durrës, ministri Klosi pa nga afër ndotjen e shkaktuar duke u shprehur për mediat se është e pafalshme që në një zonë me potenciale të mëdha zhvillimi turistik në vend të evidentohet një numër kaq i madh mbetjesh spitalore të cilat padyshim kanë një autor. Minsitri Klosi theksoi bashkëpunimin edhe me organet e rendit për të vënë para përgjegjësisë autorin konkret të këtij krimi mjedisor.

I pyetur nga mediat për situatën edhe në grykëderdhjen e Ishmitm ministri Klosi bëri me dije se situata në lumin Ishëm, padyshim është një shqetësim i Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit, por tashmë është bërë një investim goxha të madh me fondet e qeverisë shqiptare gjatë këtij viti ndërkohë që ministria nëpërmjet zv.ministres Çuçi është në një aksion shumë të madh për të evidentuar të gjithë shkelësit e ujërave në vend dhe deri tani janë evidentuar plot 800 raste ku biznese të ndyshme që kanë komunikim me lumenjtë dhe bregdetin nuk zbatojnë lejen mjedisore.

Në fund të fjalës së tij, ministri Klosi apeloi qytetarët që të denoncojnë në platformën e bashkëqeverisjes çdo krim mjedisor sepse mjedisi është një pasuri jonë e përbashkët.

Deklarata e plotë e ministrit Klosi
Jemi këtu së bashku me gjithë strukturat e mjedisit në qarkun e Durrësit dhe po ashtu në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit për të ndjekur një krim të tmerrshëm mjedisor. Besoj edhe ju jeni njohur nga mediat se është evidentuar një hedhje mbeturinash në lumin Erzen të cilat vijnë nga mbetjet spitalore, mbetjet më të rrezikshme përsa i përket jetës së qytetarëve.

Jemi këtu për të bërë një aksion pastrimi për të pasur mundësinë që nga ky moment të reflektojmë të gjithë se sa shumë duhet të punojmë për të mbrojtur mjedisin, sa shumë ne duhet të evidentojmë çdo shkelës mjedisor dhe se sa shumë organet e drejtësisë dhe të rendit, por edhe të gjithë qytetarët do të duhet të dënojnë çdo shfaqje të krimeve mjedisore. Është një situate e cila mund të përsëritej në çdo cep të Shqipërisë, e cila pa mediat do të ishte e pamundur që të evidentohej, pa bashkëpunimin me qytetarët do të ishte e pamundur që të gjykohet dhe të dënohet prandaj ne do të donim shumë që ky pastrim që po bëjmë sot duke u përpjekur që të eliminojmë një tragjedi të momentit, të jetë një aksion i përditshëm, do të jemi kudo ku qytetarët evidentojnë këtë shqetësim, do të jemi kudo me strukturat tona të mbrojtjes së mjedisit për të goditur çdo krim mjedisor. Mendoj që tashmë për Shqipërinë, aksioni të pastrojmë vendin tonë, të pastrojmë Shqipërinë , do të jetë një aksion gjithëpërfshirës. Duam shumë që në platformën tonë të bashkëqeverisjes në të të cilën kemi marrë shumë denoncime kohët e fundit të vazhdojnë qytetarët të denoncojnë sepse mjedisi ynë është një pasuri e përbashkët. Eshtë e pafalshme që në një zonë me potenciale të mëdha zhvillimi turistik në vend të evidentohet një numër kaq i madh mbetjesh spitalore të cilat padyshim kanë një autor dhe ne i kërkojmë organeve të drejtësisë, natyrisht do të bashkëpunojmë edhe me organet e rendit për të vënë para përgjegjësisë autorin konkret të këtij krimi mjedisor.

Ndotja nuk ka ardhur nga banorët e kësaj zone. E pranojmë të gjithë që përsa i përket të gjithë filozofisë së mbrojtjes së mjedisit ka nevojë për një reformim të thellë. Ne do të duhet që jo vetëm të bëjmë aksione në terren, por duhet shumë më shumë të punojnë nëpër zyrat tona për

të bërë një strategji të plotë të mbrojtjes së mjedisit. Aksioni ynë “Të pastrojmë Shqipërinë” i ka të tre konceptet; pra në radhë të parë do të duhet që të evidentojmë të gjithë vendet ku ka ndotje dhe krime mjedisore dhe t’i pastrojmë. E dyta po aq i rëndësishëm është rehabilitimi dhe e treta më e rëndësishme se kaq është që ne të ndërtojmë strategji të qarta nëpërmjet mekanizmave ligjorë dhe administrativë që ngjarje të tilla të mos ndodhin.

Edhe është e vërtetë, një ndotje e tillë ndotje me mbetje spitalore është një tragjedi shumë e madhe por kjo ka nevojë që të ketë edhe rregullime ligjore edhe rregullime administrative natyrisht edhe një përpjekje shumë më të madhe nga të gjithë që kush evidenton ngjarje të tilla t’i bëjë prezente në platformën tonë të bashkëqeverisjes që ne të kemi mundësi të reagojmë.

Përsa i përket lumit Ishëm, padyshim është një shqetësim i Ministrisë Turizmit dhe Mjedisit . Kemi bërë një investim goxha të madh me fondet e qeverisë shqiptare gjatë këtij viti dhe pas disa ditësh do të jemi edhe në Ishëm dhe do të jemi në të gjithë grykëderdhjet e lumenjve për të ndërtuar së bashku një strategji shumë të fortë që këtë pasuri të madhe kombëtare që ka bregdeti shqiptar, këtë burim kaq të madh të ardhurash edhe ekonomike që është pasuria jonë e turizmit, të kemi mundësi ta mbrojmë edhe të kemi mundësi edhe të investojmë më shumë për të bërë një Shqipëri më të pastër. Përsa i përket grykëderdhjes së lumenjve ministria nëpërmjet zv.ministres Çuçi është në një aksion shumë të madh për të evidentuar të gjithë shkelësit e ujërave në vendin tonë. Kemi evidentuar plot 800 raste ku biznese të ndyshme që kanë komunikim me lumenjtë dhe bregdetin dhe në shumicën e rasteve kontratat që ka shteti me këta përdorues, pra leja mjedisore nuk zbatohet. Do të jetë punë e përditshme e ministrisë evidentimi i çdo problematike që ka të bëjë me lumenjtë dhe me bregdetin shqiptar.

Comments

comments

Share.

About Author

Avatar

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.