KATËR GRYKËT E MURRËS

0

MA RINOVE SHPIRTIN OR MANUKA I SELISHTËS

                                                T’mujshe edh’ un’ me fluturue,

                                                dojsh edhe un’ me u nisë me ty,

                                                m’e pa prap at vend me sy !

( Filip Shiroka « Shko dallëndyshë » )

E mata disa here derisa e preva të publikoj në gazetë telefonin familjar dhe celularin vetjak. Ndjej se kam bërë mire.

E them këtë sepse tashmë e ndjej se e jetoj jetën më aktivisht. E them këtë sepse tashmë e ndjej veten jo vetëm në Athinë ku kam nëntë vjet i ngujuar, por edhe në treva të tjera greke.

E them këtë sepse tani e ndjej veten  më pranë vendit tim, e ndjej veten në Shqipëri, në dheun ku linda dhe u rrita, atje ku gurët e gjembat më gjakosnin këmbët e zbathura, majëmaleve të lartë duke kapur retë…

Një telefonatë nga Mitilini më ngjiti në bjeshkët e Hynoskës. Më ngjit javë për javë sa here më merr Beni i Ilnicës…

Një telefonatë nga Korfuzi më zbriti në luginën e Drinit. Më zbret sa herë më merr në telefon Ibrahimi nga Muhurri…

Për ta kam shkruajtur…

Sot më mori në telefon një burrë nga Manukajt e Selishtës, Guri e quajnë. Është mësues. Ka mbaruar për anglisht dhe gjermanisht. Më mori nga Kavalla në veriun ekstrem të Greqisë. Punon në peshkim, një ndër punët më të lodhshme dhe më të vështira…

 Në atë bisedë të shkurtër takuam të njohurit, Mevlud Bucin me të tjerë. E kemi lënë të takohemi përsëri në telefon dhe në internet. Kjo e fundit më gëzoi: Shqiptarët, edhe në skaje të largëta të Greqisë, dinë të lidhen me kohën, dinë ta tregojnë kulturën e tyre…

Mua nuk më pritet, kam ngrënë „zallnec“, kur themi në anët tona, dhe po eci përpara, po e ftoj birin e Manukajve në një udhëtim në dheun e tij, në një…

          UDHËTIM NËPËR „KATËR GRYKËT E MURRËS“

Kështu quhet në emërtimin popullor. Kështu quhet edhe në emërtimin e „Nëntë Maleve të Dibrës“. Katër fshatrat:- Selishta, Lukani, Kacnia dhe Qafë – Murra i rrjedhin ujërat duke i bashkuar në Lunarë. Selishta matet me Lukanin, i bëjnë karshillëk njeri tjetrit. Janë në një garë se kush do t’i hedhë themelet e shtëpive më lart. Lukani afrohet paksa nën Qafën Lukanjake. Dritaret nuk arrijnë të shohin bukurinë e madhështinë e bjeshkëve të Pllajës ku mërzejnë që nga qershori e deri në tetor kope të mëdha delesh e qengjash. Ama pyllin e thanave, atë që shtrihet lart e poshtë rrugës që të çon në Krue të Zi e prej andej në Hurdhë Muhurr, Shqath e Bulaç, masivi më i madh i thanave në vend, e ka si në pëllëmbë të dorës…

Selishta shkallë – shkallë u ngjitet maleve të Pratit. Shtëpia me themele më të larta në male është ajo e Budinëve. Gjëja më interesante dhe më e paharrueshme në këtë kullë është “Pusi i Kurt Budinit”. Duket disi e çuditshme që në shtrungë të burimeve malore dikush të ketë hapur një pus. Nuk është një pus i zakonshëm, është një pus që i merr ujërat direkt nga akujt e nëndheshëm, akuj shekullorë. Kur pi ujë nga ai pus vetvetiu të shpërthen nga shpirti fjala falenderimore. Kur e dëgjon këtë Kurti shtëpia e tij hapet në dyer e dritare, e kafja i jep aromë shtëpisë e malit të tërë…

Selishta ka pasuri pyllin e Pratit. Ka pasuri dhitë dhe kecat. Ka edhe një “minierë” guri me të cilin bëhen betone e mure që nuk i çan as topi, ka edhe një minierë mermeri me damarë të kuq si gjaku…

Qafë – Murra është fshati më i gjatë jo vetëm ndër Katër Grykët por edhe në tërë Dibrën. Shtëpitë e saj fillojnë në Lunarë, i ngiten në të dy krahët lumit të Murrës, pushojnë paksa në Palpus dhe marrin rrugët djathtas e majtas, njëra në drejtim të Monasdrenit e tjetra në drejtim të Kalasë së Skënderbeut. Nuk mjaftojnë tre orë rrugë për të matur me këmbë tërë gjatësinë e Qafë – Murrës. E majta e fshatit, kur ngjitesh lart, ka një pyll madhështor ku mërzejnë dhitë dhe kecat. E djathta ka pllaja të bukura verore ku mërzejnë delet e qengjat.

Manazdreni është lagjja më e bukur e Qafë Murrës, është një ballkon malor nga ku ke në pëllëmbë të dorës tërës luginën e Matit, që nga Klosi, në Burrel e deri tutje ku liqeni i Ulzës, si një gjethe e stërmadhe hardhie, merr dhe i jep qiellit kaltërsi. Kush ka qenë në Qafë Murrë dhe nuk është ngjitur në Monasdren ka humbur jo vetëm bukurinë poshtëballkonore por në veçanti atë që ngjitet lart malit, në çati të tij, gjelbërimin e mrekullueshëm të pishave dhe…begatinë e tij, begati për të cilën do të flasim kur të t’i ngjitemi anës tjetër. ..

Kështjella e Skënderbeut, Kështjella e Stelushit siç njihet në histori, ndryn në vetvete shumë ndodhi e legjenda. Njëra prej tyre lidhet me Skënderbeun dhe kërcimin nga njeri kep në tjetrin të kalit të tij. Gjurmët e patkonjve të kalit unë nuk i kam parë. Vendasit të betohen se ata janë mbi shkëmb të gjalla si të ishin ngulur dje.

Me Qafë – Murrën më lidh një kujtim i vjetër i rinisë së hershme, atëherë kur shërbeja si agronom i mesëm në lokalitetin e Muhurrit. Është një kujtim që 45 vitet e jetës së mëvonshme nuk e kanë shuar. Ishte pikërisht maji i vitit 1960, dita e Shën Kollit, 22 maji, ditë që në Katër Grykë ashtu si edhe në Çidhën, Lurë etj. festohet prej mijëra vjetësh, ditë e cila ndonëse ka një emër paskristian, ritet e zakonet janë shumë më të hershme, rite pagane. Në shtëpinë e kulturës (Qafë – Murra është një fshat me kulturë e tradita të spikatura në tërë Malet e Dibrës), ndër të tjera kishte edhe një radio. Jo një radio me energji elektrike, sepse kjo do t’i vinte fshatit një dekadë më vonë, por një radio me vajguri. E kam në sy llambën që ndriçonte sallën, “gjeneratorin” që merrte nga gypi i qelqtë i llambës nxehtësinë për ta kthyer në energji elektrike, dhe aparatin që përcillte këngët e Radio – Tiranës. Vite më vonë, sa herë hyja në atë shtëpi modeste kulture, vështrimi më ndalej tek “qoshku i radios me vajguri”. Radioja nuk është më. Ajo me kohë u zëvendësua nga radiot me bateri, radiot me energji elektrike, televizorët bardh e zi, televizorët me ngjyra, kompjuterët, interneti. Me siguri Guri i Manukajve, mësues, emigrant në një zonë të thellë të Greqisë, do të ketë një adresë interneti me Selishtën…

                   SHTRUNGA E KACNISË

Me fjalën “shtrungë” blegtorët kuptojnë një vend të ngushtë në fund të vathës së thurur me purteka ku delet apo dhitë detyrohen të lëshojnë qumështin e çmuar që përcjell jetën e tyre në tryezat njerëzore. Shtrunga është kështu vendi ku milen bagëtitë e imëta. Në Kacni me fjalën “Shtrungë”, si fjalë e përveçme e shkruar me germë të madhe, kuptojnë vendin ku milen malet, vendin ku burimet mblidhen dhe duke rënë në theqafje të njëpasnjëshme malore, shkumëzojnë  ashtu siç shkumëzon qumështi kur vlon në kusitë e bakërta…

Kacnia është një fshat i vogël, një fshat që ka sipër “një batanije qiell”. Shtëpitë i ka të vendosura në të dy anët e një përroi me shtrat të thellë e të ngushtë, përrua që mbledh djersën e maleve në lindje të Katër Grykëve…

Nga Kacnia, një rrugë malore e shtruar me kalldrëm e çakëll të merr në një litar dredhash midis pishash shekullore e të ngjit në minierën e Kromit. Jo ndoshta por me siguri kjo është miniera më e lartë në vend. Galeritë e saj i ngjiten malit deri në afërsi të majës. Zbresin edhe poshtë deri në Monasdre. Kromi është një pasuri e veçantë e zbuluar e këtyre maleve “të humbur” të vendit. Mermeri i kuq dhe guri për ndërtime të cilësisë së lartë janë një tjetër pasuri e “njohur” e këtyre maleve. Ka edhe të tjera pasuri nëntoka e kësaj zone, pasuri që lidhen me minerale të rrallë e me vlera të mëdha. Këtu, në minierën e maleve të Kacnisë është një traverbank që syun e ka pas të shikojë Bulqizën. Edhe nga Bulqiza është një traverbank që syun e ka të shohë Kacninë. Thashë “syun e ka” në një kohë që duhet të thosha se “syun e kishte”. Shumë gjëra që dje bënë hapa drejt thellësive, ndër të tjera edhe dy traverbanket paralelë të Klosit që synonin nivelin e pestë të nëntokës së Bulqizës apo Rampa e Qafës së Buallit tani kanë humbur nga kujtesa e kohës…

Nga Kacnia në Shtrungë jam ngjitur më këmbë vetëm një herë. Ishte fundi i muajit maj të vitit 1982. Ndër udhëtimet e mija në këmbë ai ka qenë më i bukuri i jetës sime. Një ditë e bukur maji kur lulet dhe zogjtë zgjojnë natyrën e sythet e drurëve çahen duke nxjerrë gjethet e filizat e ripërtëritjes së jetës. Një përrua me ujëvara që lidhin njëra me tjetrën shkumën siç lidhen rruazat e perlave në qafën e të Bukurës së Dheut. Trofta malore që pasi mbështesin bishtin e tyre mbi gurët e ujëvarave kërcejnë e ngjiten drejt burimeve malore. Dikur, në një reportazh, pata hedhë disa penelata mbi këtë bukuri ngjitjeje ashtu siç pata hedhë mbi bukuritë që fshihen pikërisht në krye të kësaj shkallareje natyrore, bukurinë e Shtrungës…

Livadhe me lule, burime që i mbledhin ujërat  në një prua të qetë në kërthizën e tyre. Trofta të vogla që shkumohen nën ujin e akullt. Plloska dëbore midis gjelbërimit …Nuk të mbetet gjë tjetër veçse të ulesh në gjunjë e me sytë drejt pastërtisë kaltërore të qiellit të lutesh i befasuar. Ishte një bukuri e virgjër, bukuri që e kishin shijuar vetëm barinjtë e Kacnisë, dendrologët dhe gjeologët…

Por kjo nuk është asgjë përballë asaj që do të shihja më vonë, asaj që do të shihja duke iu ngjit lart e më lart malit. Liqenet e Kacnisë janë liqenet më të bukur që kam parë në jetën time. Unë kam parë dhe kam jetuar me javë midis liqeneve të Lurës. Kam rrahur me këmbë fushën e mrekullueshme të Pelave. Jam ngjitur kreshtës së malit nga ku në një krah kam parë bukurinë që shpaloset me Zall – Gjoçajn, Matin e Mirditën dhe nga ana tjetër bukuritë që lidhet me Lurën, Gjagjishtin, e tej e më tej me Korabin. Janë vende me të vërtetë të bukura në të cilat ndonjëherë do t’a ul këmbëkryq mallin tim. Por liqenet e Kacnisë janë më të  bukurit e më të bukurve. Një mbi një, në tre-katër tarraca natyrore malore, ata kanë parë dhe janë parë për mijëra vjet me qiellin. Kur je në breg të tyre të duket vetja si pjesë e tyre. Kur i ngjitesh malit, nga rrafshnalta e të cilit syu rrokulliset drejt Bulqizës nga jugu e drejt liqeneve artificialë të Balgjajt e më tej drejt Matit, e ndjen veten se je Zot i natyrës. Kur e zbret shikimin poshtë, mbi liqenet e Kacnisë e ndjen veten se je eksplorator i vetëm i një vendi dhe bukurie që nuk përshkruhet…

Kam bërë shumë fotografi të liqeneve e të natyrës së bukur. Kam bërë në qershor. Kam bërë edhe në korrik e shtator kur kam udhëtuar drejt tyre me makinë nëpër një rrugë verore që në atë kohë kërkonte që liqeneve e natyrës t’u jepej një kuptim tjetër, t’i zgjonte e t’i bënte pjesë të jetës. Për to kam shkruar rreth një çerek shekulli më parë. Sot nuk po shkruaj gjë. Edhe liqenet, edhe pasuritë dhe bukuritë e mëdha të kësaj zone ndër më të bukurat dhe më të begatat e vendit, janë kthyer në gjumin shekullor. Ndoshta ndonjëherë dikush do t’i zgjojë. Atëherë, vetëm atëherë, do të thosha (në qoftë se do të jem gjallë) se Shqipëria është në rrugën e madhe të Evropës, në rrugët e Zvicrës (për të cilat flasin pa kokë politikanët tanë në fushatat elektorale).

          BARDHËSIA E KATËR GRYKËVE TË MURRËS

Gjëja më e fundit që më është mbyllur në kasafortën e kujtesës (së cilës i ka humbur çelësi) është bardhësia reflektuese e Katër Grykëve të Murrës, bardhësia e dëborës, bardhësi e cila është një me bardhësinë e shpirtrave të banorëve të saj…

Në dimrin e vitit 1985, në atë dimër ku çatitë e kullave ishin rrafshuar me dëborën, më qëlloi të udhëtoj nëpër të Katër Grykët e Murrës. Nuk e di se si ishte dimri i  vitit 2005, por di se ai dimër ishte më i vështirë se ai i vitit 1954 apo ai i vitit 1967. Tre ditë u ngujuam në Muhurr derisa një gjurmë këmbësh lidhi ultësirën e Drinit me malet e Selishtës. Nuk mund ta harroj kurrë atë rrugë më këmbë, ngjitjen në të përpjetën e Gurit të Kuq, ku çdo hap përpara shoqërohej me një rrëshqitje dy hapa prapa. U nisëm në mëngjes dhe arritëm në Selishtë në mbrëmje duke u errur, bëmë një ditë të tërë rrugë kur normalisht do të kishim bërë dy orë.

Të nesërmen mëngjesi na ofroi një pamje mahnitëse. Dëbora kishte pushuar dhe mbi qiellin e kaltër shndriste dielli. Shndriste lart dhe llamburiste poshtë. Nuk ka gjë më të bukur se sa një ditë me diell lart e dëborë poshtë. E zakonshme është kjo bukuri kudo por e jashtëzakonshme është kur ajo ka për sfond bukuritë e Selishtës, Lukanit, Qaf Murrës dhe Pratit. Udhëtuam për katër ditë nën diellin që shkëlqen lart dhe dëborën që reflekton poshtë. Udhëtuam nën një temperaturë që në mesditë shënonte dymbëdhjetë nën zero e para lindjes së diellit shënonte njëzet poshtë zeros. Nga Selishta zbritëm deri në rrjedhën e Murrës për t’u ngjitur në Lukan e për ta kaluar natën në shtëpinë më afër qafës së Lukanjakëve, në krye të fshatit. Në atë kullë pata bujtë e pata pirë kafe në vitin 1960 me Lam Tahirin që pendë me Lok Zhuzhin e Bulaçit, kur hidheshin në luftë kundër serbit, përveshnin krahët deri në bërryl e thirrja “Besa besë Burra!”i bënte njerëzit male mbi male…

Të nesërmen kaluam qafën e malit dhe zbritëm në Murrën e Vjetër. Më tej zbritëm në Qafë Murrë e bujtëm në kullën e Lalajve. Të pasnesërmen zbritëm luginën e kaluam nëpër Kacni për t’u ngjitur më tej në krye të Selishtës. Më tej u ngjitëm në Prat e më pas në lartësi të maleve për t’u takuar me sharrëtarët që kishin ardhë nga Luznia e Selishta dhe kishin filluar punën e tyre të përditshme…

Atëherë pata bërë një reportazh me vijim në disa numra në gazetën lokale, reportazh që fliste për bardhësinë e dëborës në male dhe për bardhësinë e njerëzve mbi male…

Athinë,maj 2005

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.