Kaq shumë i kanë dyllosur veshët “shoqatat dibrane” ?

0

Ka sot dy probleme të mëdha që duhet ti preokupojë të gjithë dibranët: ata që banojnë në Dibër, ata që janë vendosur përgjithnjë në Tiranë e në qytetet e tjera “të buta” të Shqipërisë, ata që kanë ikur përkohësisht apo përgjithmonë larg vendit.
Rruga e Arbrit është e para, e kërkuar zyrtarisht para 20 vjetësh nëpërmjet një peticioni të intelektualëve të Dibrës, e vënë si kryefjalë në faqet e shtypit dhe të televizioneve zyrtarisht që në fushatën zgjedhore të qershorit 2005, e zotuar në tre zgjedhje të tjera radhazi të së djathtës 8 vjet në pushtet dhe të së majtës tash tre vjet.
Rruga e Arbrit zyrtarisht është e tradhtuar.
Mbytja e Dibrës nëpërmjet gjolit të Skavicës është e dyta, mbytje që e shndërron Dibrën në një koloni financiare, që e rrënon dhe pëson atë që në Dibër ka shprehjen e nëmës “Të humb emri!”
Janë këto dy probleme jetike për Dibrën që dy shoqatat që bëjnë emër e zë publik, kësaj dhe asaj ane të kufirit shqiptaro-shqiptar, “Lidhja e intelektualëve dibranë” dhe shoqata “Bashkësia dibrane” duhet të flasin, duhet të bërtasin, duhet të dalin në rrugë e me parullën “PO DIBRËS!” JO SKAVICËS!” dhe “Ndërtoni Rrugën e Arbrit” të tregojnë se e duan Dibrën, e mbrojnë dhe do ta mbrojnë atë.
U bënë kaq vite që zëri i këtyre dy shoqatave e bashkë me ta zëri i atyre që Dibra i ka shpallur “Qytetarë nderi” nuk dëgjohet, që pena e tyre nuk shkruan. Në adresat e tyre nuk gjen asnjë peticion, protestë, solidaritet për mbrojtjen e Dibrës, për zhvillimin e saj. Dibrës iu mbyll dega universitare e universitetit të Durrësit në një kohë që ajo duhet të kishte jo “degë” por “trung me rrënjë” universitar. Askush nuk foli, as zyrtarisht as veç e veç, individualisht në detyrimin intelektual.
Sikur komuniteti dibran që, si thuhet, ka mbi shtatëdhjetë mijë burra, gra, bijë, bija, nipër e stërnipër të ikur nga serbi i viteve 1913-1920 dhe 1943-1944, të dilte një ditë e të mbushte Rrugën e Dibrës do të tronditesh Tirana dhe zëri do të kapërcente kufijtë. Në Tiranë nuk ka komunitet më të pranishëm në një lagje më vete sa “Mëhalla e Dibranëve”
Ishte gjë e bukur kur dibranët e dy krahëve të kufirit shqiptaro-shqiptar u ngritën për të mbrojtur Radikën. Dhe jo vetëm dibranët.
Po pse nuk veprohet kështu sot? Po pse nuk dëgjojnë, nuk shikojnë për atë që po ndodh? Për deklaratat e përditshme të “gjiknurëve” për fillimin e mbytjes së Dibrës? Për heshtjen që mbretëron për ndërtimin e Rrugës së Arbrit?
Është koha që shoqatat dibrane, njerëzit që kanë varur në mur titullin “Qytetar nderi i Dibrës”, të heqin “dyllin nga veshët”, të heqin “copën e zezë mbi sy”, të flasin e thërresin në “kupë të Korabit” për Rrugën e Arbrit, anulimin e ndërtimit të Skavicës, zhvillimin e gjithanshëm të Dibrës
Dibranët e moçëm e mbrojtën Dibrën me pushkë e me gjak, nuk ia lanë serbit…

Comments

comments

Share.

About Author

Abdurahim Ashiku

Leave A Reply

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.